Përse ambasadori Lu merret me samarin, kur përpara ka gomarin?!

Përse ambasadori Lu merret me samarin, kur përpara ka gomarin?!

Nga SYRI.net - 10/03/2018

Duket se kapja e 613 kilogramëve kokainë kolumbiane në Maminas e ka zënë në befasi dhe ka e detyruar Edi Ramën, që të ndryshojë komplet strategjinë e propagandës ditore. Përveç kamikazëve si puna e Taulant Ballës, Elisa Spiropalit apo Blerina Gjylametit, ai vetë personalisht është angazhuar në një fushatë të paprecedentë, për ta nxjerrë kryetarin e opozitës Lulzim Basha dhe gjithë Partinë Demokratike si “agjentë” të Rusisë, që duan të destabilizojnë Shqipërinë e Edi Ramë dhe madje gjithë rajonin!

Çështja e burimit të pagesave të PD-së, për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aktualisht po hetohet nga prokuroria shqiptare. Demokratët janë treguar të hapur duke dorëzuar të gjithë dokumentacionin dhe madje kanë inkurajuar organet e drejtësisë, që ta zbardhin deri në fund këtë tymnajë. Por kryeministrit, duke nuk i intereson fare ky proces, as të presë e të prononcohet pasi kur drejtësia të thotë fjalën e fundit. Ndaj ka hedhur në treg, një lojë globale spiunësh.

Në fakt e vërteta është se ai i ka lëshuar në prehër, Lulzim Bashës, një pazar të cilin po e kërkon me këmbëngulje. Për çfarë bëhet fjalë?

Edi Rama pikërisht në kohën që po kërkohen porositësit e sasisë rekord të kokainës së Maminasit dhe veçanërisht kur gjurmët që të çojnë te koka e një linje gjigante trafiku miliardësh i ka marrë në dorë DEA amerikane dhe agjenci të tjera të huaja ligj-zbatuese, frikën e madhe po e shfaq në formën e një revolte dhe i shqetësimi “properëndimor”, sikur rusët kanë infiltruar thellë në politikën shqiptare dhe madje paskan “paguar” Lulëzim Bashën, që të bëjë një fotografi me presidentin e SHBA, Donald Trump!

E gjithë kjo lojë qesharake dhe përpëlitëse me “spiunë rusë” bëhet, pikërisht në kohën që Lulzim Basha dhe opozita po artikulon tekstualisht se ekzistojnë indicie të besueshme, se  pas linjës së kokainës, Klumbi-Shqipëri-Europë qëndrojnë njerëz afër kryeminstrit. Mbyllja e kësaj historie nga ana e opozitës është pazari, që po ofron Rama duke shantazhuar me seriale të “007-ës”.

Në këtë situatë ditën e djeshme për kokainën e Maminasit foli edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu. Në fakt ai ishte deklaruar edhe më herët nëpërmjet një përshëndetjeje të ambasadës ditën e kapjes së kontenierit, duke përforcuar kryeministrin Rama, i cili nxitoi të thoshte se bëhej fjalë, “për një aksion dhe sukses vetëm shqiptarë”.

Por dje ai u pyet nëse kishim të bënim në këtë rast (Maminasi) me “peshq të mëdhenj”, terminologji që ai e ka kaq shumë qejf, pasi është edhe vetë autori i saj dhe e artikulon çdo fillim muaji, kohët e fundit. 

 “Nga çdo këndvështrim, Z. Çekaj është një peshk i madh. Kompania e tij importoi një ngarkesë bananesh që përmbante sasinë më të madhe të kokainës në historinë e Shqipërisë. Ai është hetuar më parë për trafikim kokaine nga prokurorët shqiptarë. Ne përgëzojmë punën e prokurorëve të Krimeve të Rënda që kërkuan urdhër arrestin për Z. Cekaj. Shqipëria ka një histori të gjatë arrestimesh të ngjalave dhe injorimi të peshqve të mëdhenj. Kjo gjë merr fund sot. Ne i bëjmë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë që të gjejnë Z. Çekaj dhe ta dorëzojnë atë përpara drejtësisë”.

Këtë deklaroi Lu duke i bërë kështu thirrje edhe institucioneve gjermane, që ta paketojnë dhe transferojnë në Shqipëri “peshkun e madh”, tregtarin e bananeve Çekaj.

Por ka diçka që nuk shkon, në këtë deklaratë të zotit Lu.

E para; ai “harron” në mënyrë të çuditëshme që “peshku i madh” Çekaj ka qenë vërdallë nëpër Durrës dhe Maminas, shumë ditë pas mbërritjes së ngarkesës me kokainë në portin shqiptarë dhe ja ka mbathur, vetë 2 ditë përpara kapjes së saj zyrtarisht.

Zoti Lu përpara se të kërkojë nga pala gjermane sjelljen e Çekajt nga Gjermania, më të thjeshtë do ta kishte që tu kërkonte llogari Xhafajt e Ramës, se përse “peshku i madh”, nuk u ndalua  që këtu, përderisa siç u zbulua më pas, dihej ose të paktën kishte dyshime të forta, se kontenieri i tij me banana kishte kokainë?

Përse nuk u mbajt nën survejim, kur policia e dinte që ky individ kishte edhe precedent të mëparshëm në këtë trafik (I janë kapur në Ekuador 93 kg kokainë në vitin 2015), por u lejua të kalonte i qetë nga dogana e Morinës?

Kaq të vështirë e kishin policët dhe agjentët e Xhafajt, që survejojnë edhe gazetarë, të ruanin në distancë një individ të dyshuar se trafikonte kokainë?!

Përse nuk e zë në gojë këtë dekonspirim flagrant të një operacioni që rezultoi vetëm me kapjen e mallit “pa zot” dhe dy “cironkave” zoti Lu, por anashkalon përgjegjësinë flagrante të  palës shqiptare dhe hidhet direkt në Gjermani?!

E dyta; përse  zoti Lu nxiton të cilësojë “peshk të madh” vetëm administratorin e firmës “Arbër Garden”, ndërkohë që hetimi nuk është mbyllur?!

 A nuk ngjason e gjithë kjo retorikë me përpëlitjen e Ramës, për ta mbyllur çështjen deri në kaq sa dihet, pra me suksesin rastësor të kapjes së mallit dhe dy 25 vjeçarëve punëtorë, si dhe shpalljen në kërkim të Arbër Çekajt?!

Përse ambasadori Lu e transferon “peshkun e madh” në Gjermani ndërkohë që fakte dhe indicie të shumta, po nxjerrin në pah se ai është pikërisht këtu në Shqipëri dhe i plotfuqishëm?!

Përse ambasadori Lu merret me samarin, kur përpara ka gomarin?!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

edvin10/03/2018 16:42

Sepse Lu eshte vet mbi gomar

Shto koment

Denonco