Renzi çon për skrap BE-në

Renzi çon për skrap BE-në

Nga Ilir Kulla - 06/03/2018

Askush më parë në historinë republikane të Italisë nuk ka pasur pushtet më shumë dhe më të pamerituar se Mateo Renzi. I ardhur gati nga hiçi, vetëm me një mandat Kryetari Bashkie në Firence dhe President Province, ai u ngrit deri në 42% me partinë e tij në zgjedhjet europiane të 2015. Në fakt, ajo ishte partia që ai ia mori atyre që fituan zgjedhjet e 2015 Bersanit dhe D’Alemës dhe në stilin më të shëmtuar të mundshëm, i përzuri ata nga politika dhe nga partia, duke i zëvendësuar me vajzën e një bankieri të korruptuar, zonjën Boschi, dhe me një çupëlinë pa asnjë kontribut, të cilën në fillim e bëri ministre të Jashtme të Italisë dhe më tej të BE-së, duke ia prerë rrugën Massimo D’Alemës, lider historik dhe Kryeministër i kësaj force politike.

2. Renzi e vodhi këtë forcë politike me premtimin se do çonte për skrap gjithçka të vjetër dhe të keqe të politikës italiane, por si përfundim çoi për skrap veten dhe partinë e tij. Në fillim rrëzoi Bersanin sepse ishte mik i Massimo D’Alemës, më vonë rrëzoi Enrico Letën, pavarësisht marrëveshjes politike që njëri nga të dy do ishte kryetar e tjetri Kryeministër, dhe pasi mori edhe qeverinë, vendosi të marrë gjithë Italinë. Për këtë, organizoi një referendum, ku kërkoi i vetëm të merrte edhe tepsinë, edhe timonin e Italisë bashkë me ishujt. E ndërkohë që kërkoi timonin dhe tepsinë bashkë, ato i përdori që të shpëtonte në mënyre korruptive bankat dhe kompanitë e oligarkisë italiane, duke filluar nga babai i ministres bukuroshe, që ishte edhe shoqja e tij.

3. Kur shkoi te Referendumi i famshëm aty përplasi turinjtë. Populli italian, popull antik që s’ka lejuar as perandorët romakë ia përplasi në fytyrë “Perandorit të fundit” romak edhe tepsinë, edhe timonin, duke e rrëzuar në mënyrë të turpshme. Ai u dorëhoq edhe nga partia, edhe nga timoni, por miqtë e tij oligarkë e urdhëruan edhe një herë të rikthehej duke çuar për skrap edhe punën e mirë të ministrit Miniti dhe të Kryeministrit Gentiloni. Si për ta kompletuar të gjithë veprën e tij skrapshkatërruese ai vendosi diktatin e tij në listat e kandidaturat e partisë së tij. Me këto lista blindoi shokët dhe shoqet e tij dhe të miqve të tij oligarkë dhe shkatërroi partinë më të madhe të 25 viteve të fundit, duke çuar në pushtet Lëvizjen 5 Yje dhe Legën e Mateo Salvinit dhe partinë e tij nga 42% në 18%.

4. Mateo Renzi i bëri të gjitha këto vetëm për 2 arsye; e para, arrogancë e tepruar, e dyta, fakti që ishte tërësisht i kapur nga oligarkia. Nga sot, populli italian ka mandatuar 2 forca politike antieuropiane për t’i qeverisur: Lëvizjen 5 Yje dhe Salvinin e Legës. Vitin që vjen në BE do të mbahen zgjedhjet europiane dhe sigurisht këto 2 forca do të shkojnë edhe më të forta se në zgjedhjet kombëtare dhe ky do të jetë akti i fundit i Mateo Renzit, i cili pasi çoi për skrap partinë, veten dhe Italinë do të çojë për skrap edhe Europën dhe do të hyjë në histori si Neroni, që për të kënaqur egon dhe arrogancën e vet dogji Romën antike.

Botuar në gazetën Panorama

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

katerina12/03/2018 15:32

Ne fakt, ne kete katundin tone, nuk ka analist dhe njohes me te mire te politikes se jashtme (fundja kete prof dhe pune ka) se sa Iliri. Per cudi komenti i ketij "altin" me siper me duket si vet dora e "Neronit tone", qe me arrogance per egon e vet, duke bere realitet gjithe deshirat e veta, duke mos e care fare koken, per popullin jo e jo, por as per detyren dhe pergjegjesine si KM, "po e con per skrap kete popull te lodhur e te ndryshkur".

altin07/03/2018 12:59

Sporti më popullor në Shqipëri: mashtrimi. Cilësia më e spikatur e portaleve online: disinformimi. Dikur, jo fort larg në kohë, vendi ku burrat mund të këpusnin ndonjë llaf kot ishte pijetorja a mejhaneja e katundit, mirëpo edhe aty, sado i pirë të ishe, nuk mund t'ia fusje aq kot, se të vinte ndonje gotë nga tavolina ngjitur, e shoqëruar me shprehjen: "kur u dehe kaq shumë, o ditëzi?!". Që mos merrem me gjithë "të dehurit" e portaleve, ju sugjeroj të pini ndonje sapllake ujë të freskët para se të shkruani, pastaj t'u hidhni edhe nje grusht ujë syve, që t'ju hapen e të shihni më qartë. Si thotë një personazh filmi: :Kthjellohu, more djalë! Kthjellohu!". Po ngatërron rojet e shoferët e familjarët. Le që s'ke si t'i njohësh e as pse t'i njohësh, por gjithmonë ke arsye që t'ia mbysësh kot.

gramoz06/03/2018 17:17

Kopje si kryedrogaxhiu jone, do edhe timonin edhe tepsine dhe po e çon per lesh Shqiperine. Me nje ndryshim te madh se populli italjan e çoj per lesh Renzin ndersa ne si gjithmone e marrim kthesen me vonese.

Landi06/03/2018 16:40

Po ky Skrapi nuk paska njeri ti terheqe valixhet ? Ketu pak drejtor te kesh qene, e te mos flase per pak minister dhe derisa vdesin kane makina me shofere per vete dhe per familjet. Pa folur per bodigarde e sherbetore ..... Shikoj Tahirin shkon ne gjykate me makine e bodyguard qe kishte kur ishte minister . Shikoj Haxhinaston dhe Sokol Dervishaj qe shkojne ne prokurori me makina dhe po ata shofere qe kane patur kur kane qene ministra. Çudi, se dikush eshte papune e dikush me pune por me paga shteti , me cfare i paguajne keta shofere , bodyguarde , sherbetore ne shtepi etj. Sic duket nuk paskan vetem pagat por edhe ca kursime ....

Shto koment

Denonco