Ka shumë arsye për të qenë optimistë këto kohë. Por kur mendon ...

Ka shumë arsye për të qenë optimistë këto kohë. Por kur mendon ...

Nga Fareed Zakaria - 18/02/2018

Ku janë vendet arabe në këtë lojë gjeopolitike? Realiteti më shastisës, në lidhje me luftën e fuqive në Lindjen e Mesme këto kohë, është mungesa e arabëve. Shikoni luftimet e fundit. Janë të gjitha fuqi jo-arabe – iranianët, turqit, rusët, izraelitët dhe amerikanët – të angazhuara në operacione luftarake, për të përcaktuar se kush do ta formësojë botën arabe

Rusia është bërë i vetmi ndërmjetës i fuqive në Lindjen e Mesme, me të cilin të gjithë bisedojnë Kjo nuk ndodh sepse Rusia është e fuqishme, por sepse ka qenë mendjemprehtë. Që nga viti 1973, kur Henry Kissingeri i dëboi rusët nga Lindja e Mesme, SHBA ka qenë fuqia e jashtme dominuese. Ajo po e humbet këtë rol

Ka shumë arsye për të qenë optimistë sot. Në pothuaj çdo pjesë të botës, ekonomitë po rriten dhe lufta, varfëria e sëmundjet po reduktohen. Por, pastaj të vjen në mendje Lindja e Mesme.

Siria mbetet një vend i shkatërruar; më shumë se 5 milionë njerëz tashmë kanë ikur. Jemeni tani është vendi i zisë së bukës më të rëndë në botë dhe lufta duket se nuk ka gjasa të përfundojë. Iraku, i sapodalë nga lufta civile dhe beteja me Shtetin Islamik, vlerëson se nevojiten afro 100 miliardë dollarë për rindërtimin – para që nuk ka. Dhe rreziku i konfliktit më të madh në rajon duket më i pranishëm se kurrë. Po shohim luftime midis Turqisë dhe luftëtarëve të mbështetur nga amerikanët, dhe shkëmbime zjarri midis Izraelit dhe Sirisë. Kohët e fundit, sulmet ajrore të SHBA vranë ndoshta dhjetëra mercenarë rusë në Siri, një përshkallëzim shqetësues për ish-kundërshtarët e Luftës së Ftohtë.

Përballë një situate të tillë, administrata Trump duket e paangazhuar. Strategjia e saj, nëse mund të quhet e tillë, ka qenë dyfishimi i qëndrimit anti-iranian – duke ia nënkontraktuar politikën e jashtme Izraelit dhe Arabië Saudite. Por ngjarjet e fundit e bëjnë të qartë se nuk po funksionon.

Në numrin e fundit të Foreign Affairs, studiuesi i Lindjes së Mesme, Vali Nasr bën thirrje për një rithikim themelor të politikës së Uashingtonit kundrejt Iranit. Administrata po vepron nën supozimin se paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme është rezultat i një Irani në ngjitje, që përpiqet të përhapë ideologjinë e tij. Irani përshkruhet shpeh në korridoret e Uashingtonit si “më i interesuar për të qenë një kauzë, se sa një vend”.

Nasr shkruan se kjo është një premisë e gabuar. Origjina e paqëndrueshmërisë së sotme në Lindjet e Mesme nuk është në ambiciet e Iranit. Ishte rezultat i pushtimit të IRakut nga SHBA në vitin 2003, që përmbysi ekuilibrin e fuqive mes shteteve arabe dhe Iranit, duke rrëzuar Sadam Huseinin dhe lejuar përhapjen e kaosit. Irani i ndoqi me forcë interesat e veta kombëtare, duke kërkuar të ketë influencë në fqinjësinë e tij. Ai nuk u përpoq të përhapë fondamentalizmin islamik; në fakt, ka qenë pararojë e luftës kundër grupeve terroriste sunite, si Shteti Islamik.

Strategjia e Iranit ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme, sepse Irani angazhohet në vende ku ka aleatë të fortë lokalë (Irak, Siri, Jemen), është i gatshëm të futet me trupa dhe militantë dhe luan një lojë largpamëse. Kundërshtarët e tij, në përgjithësi, nuk i kanë këto avantazhe. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli – të huajt në botën arabe – kryesisht luftojnë nga qielli. Por dominimi ajror ka kufizimet e tij, kur flitet për formimin e realiteteve politike në terren. Është shumë domethënëse, më shpjegoi Nasr, se Siria, e mbështetur nga Irani dhe Rusia, arriti të rrëzonte një avion luftarak izraelit. “Është hera e parë në 30 vjet që një sulm ushtarak izraelit ka ndeshur në një reagim. Kjo tregon se sa e vështirë do të jetë të largohen Irani dhe Rusia, nga Siria”.

Ndërkohë, Turqia po merr masa gjithnjë e më të guximshme në Sirinë veriore kundër forcave kurde, të mbështetura nga amerikanët. Kjo ngre mundësinë që, në një moment, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara – aleatët e NATO-s – të mund ta gjejnë veten duke qëlluar mbi njëri-tjetrin.

Ku janë vendet arabe në këtë lojë gjeopolitike? “Realiteti më shastisës, në lidhje me luftën e fuqive në Lindjen e Mesme këto ditë,” tha Nasr, “është mungesa e arabëve. Shikoni luftimet e fundit. Janë të gjitha fuqi jo-arabe – iranianët, turqit, rusët, izraelitët dhe amerikanët – të angazhuara në operacione luftarake, për të përcaktuar se kush do ta formësojë botën arabe”.

Në këtë pikë, Irani nuk po përpiqet aspak të jetë një fuqi revolucionare, por kërkon të ratifikojë status quo-në, kryesisht sepse ka fituar. Prania e tij në Irak dhe Siri tashmë është e ngulitur. Aleati i tij sirian, Bashar al Assad ka mbijetuar dhe po e konsolidon pushtetin mbi Sirinë e rrënuar. Përpjekjet e Arabisë Saudite për të luftuar ndikimin e Iranit në Jemen, Liban dhe Katar kanë dështuar, deri më sot. Katari është tashmë më pranë Iranit dhe Turqisë, dhe çarjet brenda botës arabe vazhdojnë të thellohen.

Nga ana e saj, Rusia – që është reshtuar krah Iranit e njëkohësisht ruan lidhje të ngushta me Izraelin – ka dalë si ekuilibruesi i jashtëm, që dikur ishte SHBA. “Rusia është bërë i vetmi ndërmjetës i fuqive në Lindjen e Mesme, me të cilin të gjithë bisedojnë”, shkruan Nasr në Foreign Affairs. Kjo nuk ndodh sepse Rusia është e fuqishme, por sepse ka qenë mendjemprehtë.

Që nga viti 1973, kur Henry Kissingeri i dëboi rusët nga Lindja e Mesme, SHBA ka qenë fuqia e jashtme dominuese. Ajo po e humbet këtë rol, për shkak të një kombinimi të drojës, mosangazhimit dhe një refuzimi kokëfortë për të pranuar realitetet në terren. Një qasje e ndryshme – angazhimi me Iranin dhe bashkëpunimi me Turqinë dhe Rusinë – mund të rikthejë SHBA në vendin e vet unik në rajon, si dhe të ndihmojë për krijimin e një ekuilibri më të qëndrueshëm të fuqive, në atë që mbetet pika e nxehtë më shpërthyese e botës.

/Marrë nga The Washington Post-Bota.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco