Pse aktorët nuk e pranojnë ndryshimin

Pse aktorët nuk e pranojnë ndryshimin

Nga Enton Abilekaj - 12/02/2018

Zemërimi i aktorëve të njohur të skenës dhe ekranit, është bërë hit tashmë nëpër televizione e portale. Ata që nuk janë përfshirë në politikë, që, ndryshe nga kolegët e tyre perëndimorë, kanë hezituar rolin e intelektualit dhe asnjë rol në skenë, këtë herë nuk po kujdesen. Krejt pa politesë, i dhanë fund durimit për t’u sjellë “trishtime e kobe” rilindasve të kapur në befasi. Pasi nënshtroi shoqërinë civile, arriti të merret vesh me opozitën dhe i futi në xhep mediat tradicionale, Rilindja u zgjua befas e tronditur nga zemërimi i Robert Ndrenikës. Ishte i pari, por jo i fundit. Dhjetra aktorë e regjisorë, janë tashmë bashkë në një rezistencë të shpallur ndaj projekteve të Edi Ramës për artin skenik dhe kinematografinë. Nëse nga 2013, me kontratat 6 –mujore, me projektet e kontrolluara nga Ministria dhe me presionin administrativ, ata heshtën, nuk u angazhuan, zgjodhën sigurinë, sot për godinën e Teatrit dhe projektligjin për artin dhe kulturën, situata është ndryshe. Ata që kurrë nuk janë përfshirë në çështje politike, pavarësisht kërkesës së mediave dhe shoqërisë, sot kërkojnë mbështetjen e medias dhe shoqërisë në një betejë me Rilindjen në vecanti dhe politkën në përgjithësi.

Në letër, është e vështirë të kuptohet nëse trupa e aktorëve dhe regjisorëve ka të drejtë. Projekti për Teatrin Kombëtar, ashtu siç është paraqitur nga Ministria e Kulturës, duket i denjë për atë emrin që mban institucioni. Godina aktuale, përveçse e amortizuar, nuk ka as arkitekturën e përshtatshme. Projekti i një godine të re, nuk është kundërshtuar, madje është kërkuar prej vitesh nga trupa e TK. Ashtu si nuk mund të mohohet se nevoja për ta ndryshuar menaxhimin e Artit dhe Kulturës është imediate. Prej me shumë se 20 vjetësh Qendra Kombëtare e Kinematografisë kontrollohet nga 6 shoqata kineastësh, që zgjedhin anetarët e Bordit dhe ndajnë projektet me njëri – tjetrin. Nuk ka konkurencë, nuk ka nxitje talentesh, ka vetëm miq që qarkullojnë me projekte të miratuara paraprakisht. Kjo situatë e ka rrënuar totalisht edhe atë pak cilësi që kishte kinemaja shqiptare. Ndryshimi është i domosdoshëm, aksush nuk mund të zemërohet nda ndryshimi, askush nuk mund të gjejë mbështetje për këtë. Por atëherë pse Robert Ndrenika udhëhoqi një zemërimin e pandalshëm të artistëve? A drejtohet ajo kundër godinës së re të teatrit apo kundër projektligjit për artin dhe kulturën? A nuk ka të drejtë Ministrja e Kulturës kur flet për nevojën e ndryshimit?

Në dukje po, por revolta nuk është kundër asaj që duket. Ata që protestojnë sot dhe kërkojnë aleancën me shoqërinë civile dhe mediat, nuk janë kundër ndryshimit. Ata janë kundër mungesës së transparencës, janë kundër bishtave që Edi rama dhe Qeveria e tij i nxjerrin çdo projekti që shitet si zgjidhje, por në fakt është një biznes i tij me shokët ndërtues. Ata kanë frikë se kulla e Stadiumit Kombëtar, do të ngrihet si bisht apo më keq si trup mbi Teatrin Kombëtar, do t’i marrë frymën dhe do ta zhdukë si simbol, ashtu siç zhduku simbolin e Stadiumit Kombëtar. Ata e dinë, ashtu si të gjithë shqiptarët që jemi vendi i vetëm në botë që Stadimin Kombëtar të Futbollit e kemi me bisht, e dinë që këta prishin Parkun historik të Lodrave, me projekt për lulishte që në fakt është një kullë e re, e dinë që Rilindja e quan “zhvillim të zonës”, shndërrimin e lulishteve në pallate, e dinë që në 2002 Edi Rama, atëherë kryetar i Bashkisë së Tiranës, projektoi një kullë që do ta gllabëronte Teatrin Kombëtar. Aktorët nuk hezitojnë të shkojnë tek Turbina, me kushte të mira për të dhënë shfaqje, për sa kohë do të ndërtohet Teatri, por kanë frikë se nuk do ta gjejnë më Teatrin. Ashtu sic e dinë se nuk mundet që një klan i vogël të kontrollojë ato pak miliona që investohen për Kinematografinë, por kanë frikë se financimi I projekteve artistike do të përfundojë si financimi I shoqërisë civile nga AMSHC, ku një grusht besnikësh marrin miliona për t’i shërbyer qeverisë.

Ata nuk janë kundër ndryshimit, ata janë kundër maskës së ndryshimit, nuk janë kundër zhvillimit, janë kundër asaj që Rilindja quan “zhvillim”, që në fakt është shkatërrim pa kthim, varrosje nën beton e historisë dhe vlerave.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Mirela13/02/2018 21:10

Bravo i dashur qe me kuptove! Do te kesh edhe ti nje m2 beton nga kulla qe do ngreme aty.

Fuck all na e shkerdhyet Tiranen

John13/02/2018 14:29

Ide te ngaterruara qe vetem autori e di se cfare donte te thoshte. Mos botoni me nga ky njeri qe nuk di te lidhe dy fjali.

Shto koment

Denonco