Misioni i pamundur i kthyer në mundësi i Sebastian Kurz

Misioni i pamundur i kthyer në mundësi i Sebastian Kurz

Nga Dr. Enver Bytyçi - 16/10/2017

Austria zgjodhi dje Këshillin Kombëtar ose parlamentin e saj. Në më pak se një orë pas mbylljes së kutive të votimit u dhanë rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Fituesi është OVP (Partia Popullore Austriake). Ylli i kësaj fitoreje u bë shefi 31 vjear i kësaj partie, Sebastian Kurz. Prej vitit 2008 konservatorët e partisë në fjalë ishin në vendin e dytë dhe qeverisën si partnerë në një koalicion të kryesuar nga socialdemokratët austriakë.

OVP dhe Sebastian Kurz hynë në zgjedhjet e këtij viti nën presionin e të qenit partnerë në koalicion si dhe nën presionin e të djathtës ekstreme FPO (Partia Austriake e Lirisë), kandidati i së cilës ishte fitues i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar në Austri. Askush nuk besonte se OVP do të ishte partia fituese me 31.6 të votave në zgjedhjet e djeshme. Ndaj Kurz u shpreh para mbështetësve të tij se "Ne bëmë të pamundurën të mundur" dhe e quajti atë si një fitore historike! Në vend të dytë u renditën socialdemokratët me 26.9 për qind, ndërsa ekstremistët e djathtë zunë vendin e tretë me 26 për qind.

Kurz është tashmë kancelar i Austrisë. Ai ka lënë të hapur opsionet e një koalicioni qeverisës. Për të nuk ka tabu, edhe për faktin se konservatorët tradicionalë të Kurz kanë bashkëqeverisur si me socialdemokratët, ashtu dhe me ekstremistët djathtistë. Ai është i hapur. E sigurt është se koalicioni me cilëndo prej partive që vijnë në rend të dytë ose të tretë krijon mundësinë e formimit të një mazhorance me dy të tretat e votave, çka jep shanse për një reformë kushtetutese në vend. Mesa duket koalicioni do të varet shumë nga dakortësia për një reformë të tillë.

Sebastian Kurz është sot personazhi i ditës në Austri dhe jo vetëm. Ai u bë kancelari më i ri në historinë e këtij vendi si dhe lideri politik më i ri i një vendi europian. Madje në të gjithë historinë e saj. Vetëm 31 vjeç, ai zgjoi shpresa dhe mbolli optimizëm te qytetarët austriakë, duke krijuar besim dhe marrë votën e tyre për zhvillimin e një Austrie ndryshe. Tezat e tij konservatore, sidomos për emigracionin, qëndrimin ndaj Turqisë dhe fesë islame, i dhanë kuptim fushatës elektorale dhe ngjallën shpresën se vendi do të marrë frymë lirisht pa frikën e tensioneve sociale. Ai, ndryshe nga ekstremistët e djathtë, nuk u shfaq armiqësor me emigrantët, as me vendet nga ata vijnë, nuk shfaqi urrejtje ndaj islamit. Përkundrazi, mori në mbrojtje emigrantët që ekzistojnë në Austri dhe premtoi parandalimin e një emigracioni të paligjshëm, ndërtoi strategjinë e mbrojtjes dhe sigurisë sociale të qytetarëve dhe shpalli një program bindës për këto synime. Në një farë mënyre analistët i krahasojnë qëndrimet e Kurz me politikat e vendeve të Vishegradit sa i përket emigracionit, ku më së shumti dallohet Hungaria.

Lideri i ri konservator austriak u zgjodh në krye të OVP-së në maj të këtij viti. Në pak muaj realizoi një reformë të spikatur në parti dhe forcoi strukturat e saj. Ai nuk i ndryshoi ato, por krijoi një distancë me gardën e vjetër të kësaj partie, duke ndryshuar stilin dhe retorikën elektorale. Sllogani kryesor i tij ishte "Sot është koha", "O sot, o kurrë"! Kështu ai dha mesazhin e qartë e të prerë për ndryshimin në Austri. Për të ndryshimi nuk ishte thjesht një ndërrim i një kancelari nga një kancelar tjetër. Ishte më i thellë, në ide, në program, në vizione, në qartësinë e pandryshueshmërinë e premtimeve. Ai u dha austriakëve thelbin e ndryshimit. "Unë kam vullnetin që ta ndryshoj sistemin", u premtoi në çdo takim zgjedhësve dhe në ditën e fitores deklaroi se "Rezultati i zgjedhjeve është kërkesë për ndryshim në vend.

Sebastian Kurz erdhi në qeverinë federale si ministër për Europën kur ishte 24 vjeç. Në moshën 27 vjeçare ai u bë ministër i Punëve të Jashtme, post të cilin e përdori me mjeshtëri për ushtrimin e politikave të jashtme të Austrisë gjithnjë nga pozita konservatore, edhe pse si kancelar ose shef kabineti kishte një socialdemokrat. Sapo u zgjodh në krye të partisë në moshën 30 vjeçare ai kërkoi zgjidhjen e koalicionit me socialdemokratët dhe me këmbëngulje e çoi Austrinë në zgjedhje të reja. Momenti politik më i rëndësishëm i tij është emërimi në detyrën e rëndësishme të ministrit të Jashtëm. Një person në moshë aq  të re e pa asnjë përvojë diplomatike në këtë post ishte risi në Europë. Kishte kryer vetëm një praktikë punë në ambasadën e Austrisë në Washington, kishte qëndruar në Bruksel disa ditë në përpjekje për t'u njohur me praktikat europiane të politikës së Jashtme dhe kaq. Megjithatë ai u shqua për intuitën e tij të jashtëzakonshme dhe u orientuar shumë qartë në qëëndrimet dhe idetë e tij. Kjo i dha Sebastian Kurz një performancë të pazakontë, i dha besimin e anëtarëve të partisë, të cilën e përfaqësoi dhe më në fund edhe besimin e qytetarëve austriakë.

Kurz sapo mori detyrën e kreut të partisë, përveçse proklamimit të ideve dhe programit të tij për ndryshim, dha edhe disa mesazhe simbolike. Psh ndryshoi ngjyrën e flamurit të partisë , por dhe u paraqit në zgjedhje me emra të rinj në listën e deputetëve.

Të gjithë këta faktorë e bënë Sebastian Kurz yllin e zgjedhjeve të djeshme në Austri, e bënë atë kancelarin e parë 31 vjçar të vendit dhe liderin politik më të ri në Këshillin e Europës. Për Shqipërinë kjo duhet vlerësuar si një fitore e saj, sepse kancelari i ri austriak është i njohur për vullnetin dhe përpjekjet e tij në mbështetje të aspiratave të shqiptarëve për integrimeve europiane. Eshtë gjithashtu shenjë e një ndikimi të padiskututeshëm të shtetit mik të shqiptarëve, Austrisë, në promovimin e shtetit shqiptar e atij të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, një pjesë e të cilave e kanë selinë e tyre në Vjenë.

Ndërkaq fitorja e Sebastian Kurz është gjithashtu fitorja e së djathtës kundrejt një të majte të amortizuar e amorfizuar, pa ide dhe pa veprim aktiv për të realizuar ndryshimin e madh që qytetarët europianë kërkojnë në kohët e sotme. Në këtë kuptim fitorja e OVP dhe Sebastian Kurz është e disafishtë dhe një lajm i mrekullueshëm për Austrinë, për Europën, për Ballkanin dhe për ne shqiptarët!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco