Requiem për ‘çunat e Sajmes’

Requiem për ‘çunat e Sajmes’

Nga Andi Bushati - 11/10/2017

Diçka ka ngecur në propagandën e Rilindjes. Për katër vite na u tha se kishim policinë që donim; Se kishim hequr nga rrugët mustaqellinjtë barkderrë për t’i zëvendësuar me djem dhe vajza të reja të devotshëm; Se korrupsioni ishte zhdukur dhe kriminelët nuk largoheshin më në drejtim të paditur.

Miti i policisë që duam u pompua me spote televizive dhe me konferenca marramendëse ku asistonin edhe diplomatët e huaj.

Mjerë kush ishte kritik ndaj tij. Të flisje për “çunat e Sajmes”, që i linin kriminelët të iknin etiketoheshe menjëherë si pjesë e makinerisë së baltës. Të përmendje batërdinë e kultivimit të hashashit, ishe menjëherë pjesë e kazanit të shpifjeve.

Por tani, me fillimin e mandatit të dytë të Ramës, duket sikur gjithçka ka ndryshuar. Vetë kryeministri në fjalën e tij të parë në parlament falenderoi opozitën për rolin që kishte luajtur në denoncimin e kanabisit dhe pranoi si pa të keq se na paskësh gënjyer për katër vite me radhë.

Megjithatë, çudia nuk përfundon këtu.

Lapsi.al ka publikuar sot një analizë shteruese ku shpjegohet se si ministri i ri i Brendshëm po çmonton gjithçka që trashëgoi nga paraardhësi i tij (lexo shkrimin poshtë/Lapsi.al). Proceduarat e tenderave të Tahirit po anullohen nga Xhafa, drejtorët e policisë që punuan me të janë hequr të gjithë nga puna, njerëzit e tij të afërt janë lënë në hije si të pabesueshëm.

Natyrisht, askush nuk mund të gëlltisë sapunin për djathë dhe të besojë se mëkatet e policisë duhet të bien mbi ministrin e larguar. Që prej 2013 edhe policia, ashtu si i gjithë shteti, drejtohet me dorë të hekurt nga Rama. Sajmir Tahiri mund të fajësohet për lidhjet me kriminelët, po aq sa Ilir Beqja për tenderat që u dha koncesionarëve të shëndetësisë, apo Eron Veliaj për grataçielat që u ka firmosur oligarkëve të Tiranës. Të gjithë e dinë se pas tyre fshihet një dorë e vetme dhe, faji i atyre që kanë nënshkruar, është se nuk kanë ditur t’i rezistojnë.  

Por tani Rama, i diskredituar në publikun vendas dhe i kapur mat nga partnerët ndërkombëtarë, po bën gjithçka për të treguar se të gjitha fajet i ka pasur Sajmir Tahiri. Ai në fakt po përsërit të njëjtën lojë të vjetër, që luajti kur ishte në krye të bashkisë së Tiranës.  Edhe atëherë, pasi u doli boja rryshfeteve të mëdha që jepeshin për lejet e ndërtimit në kryeqytet, ai i hoqi qafe një e nga një edhe Gonxhen, edhe Lamen, edhe Kodhelin. Qëllimi ishte i qartë: fajin për këtë e kanë të tjerët dhe unë nuk kam ditur gjë.

Tani në kryeministri, ai po përpiqet të inskenojë kapitullin e dytë të të njëjtit serial, duke krijuar përshtypjen se i gjithë mëkati ka qenë i Saje Qorrit (nuk do të jetë çudi që një ditë ta thërrasi edhe ai si Berisha) dhe i çunave të tij.

Dhe deri këtu, në raportin e shefit me vartësin, Rama është në të drejtën e tij. Nëse njeriu me të cilin ka ndarë pushtetin, influencat, lidhjet me krimin dhe paratë që burojnë prej tij, e pranon këtë linçim, kjo është një çështje e krenarisë apo e nënshtrimit personal. Ai mund të rebelohet ose të ulë kokën.

Por, përpos raportit Rama-  Tahiri, kjo histori ka edhe në anën tjetër. Atë që duhet të ketë qeveria me publikun. Dhe pikërisht këtu propaganda e Rilindjes ka ngecur. Sepse nga njëra anë ajo vazhdon t’a quajë historinë e policisë që deshëm një histori suksesi dhe nga ana tjetër do të përbaltë njeriun që e ka drejtuar për katër vite atë. Pra ajo po përpiqet të shesë fabulën e pamundur të një policie perfekte, të drejtuar nga një kupolë mëkatarësh. Dhe këtë zor se është në gjendje ta besojë ndokush. /Lapsi.al.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

d12/10/2017 08:07

Bushati ka bindjen se meqe Rama u detyrua te heqe "ujqerit e rij " si Sajmo apo Beqja, e te vere ujqerit e vjeter si Xhafa apo Ruci, me ne fund u gjeten "ustallaret" qe do. te luftojne krimin. U gjend zgjidhja e reformes ne drejtesi qe do te kreje te fameshmin Vetting. Me bekimin e mbeshtetjen e ambasadorit Lu, u gjend personi qe do. te dekriminalizoje shtetin shqiptar e ky na qenka nje ish hetues i ish sigurimit e nje demokrat i kulluar "pro amerikan", Fatmir Xhafa. Permendi z.Lu nja tre emra "kapobandash" te njohur ne Shqiperi, por sepse nuk u kujtua te permend edhe vellane e reformatorit te drejtesise e te policise, shokut Fatmir, i njohur si nje bos i mafies nderkombetare te droges. Iku sa i miri, e erdhi fat miri i Shqiperise. Ne emer te shtetit gjerman, e degjuam socialistin Gabriel, t'ju rekomandoje shqiptareve, qe te mos e vrasin mendjen per pluralizem demokratik, por te kenaqen me fatin e mire Xhafa. "Na e kreme komunizmin, e na do. ta krejme edhe kapitalizmin", kjo eshte shprehja qe kam degjuar ta thoshte me "murje" ne vitin 1991, nje nga ish 200 petritat qe "themeluan" partine komuniste shqiptare ne 1941-shin.

reflection12/10/2017 04:33

Te gjitha komentet me siper duket se jane bere nga nje dore qe firmos ne borderote e Ministrise se Brendeshme. Nuk shtrohet problemi eshte bere c'eshte bere, tani e tutje u dashka dore e forte. Kush ja ka hapur rrugen krimit deri tani. Per kete te jape llogari Rama qe ngrinte ne qiell Saimirin e "cunat" e tij. I nxorri Rama djajte nga shishja e si fut dot me brenda.

Tyryry11/10/2017 23:24

Këto lart qenkan "ato"...shkruesit....u bë si u bë tani mbaroi...dmth sipas këtyre ky është një fillim i ri....hajde hajde...kjo është propaganda....ore ju hiqni dorë nga propaganda ju gjoja-komentuesit...njëlloj është edhe Xhafa...të kuq janë këto rilindjevdekasit...

Jonian joni11/10/2017 21:02

Tani ka vetem nje gje per te bere, nje pune e madhe per te ndare njeher e mire policin nga krimi per te dalluar ku mbarojne strukturat e vendosjes se rendit e ku fillojn bandat, nuk ka rrug te mesme.

Benton11/10/2017 20:37

Pas gjithe kesaj katastrofe te krijuar, presim vetem te behet mire hapat e radhes per te vendosur sigurin ne vend dhe mire te filloj reformimi ne polici se me perkrahesit e krimit gjithandaj nuk mund te behet asgje.

Hektor Tole11/10/2017 20:18

Kemi nevoj imediate per te pasur disa masa te cilat duhet te sigurojne rendin dhe qetesine e qytetareve shqiptare te cilet nuk kane asnje lidhje me krimin as me grogen as me ndonje gje tjeter te paligjshme, keto grupet qe jane tani ne veprim duhet ta kene ndjere rrezikun e ndryshimit te rregullave qe po vjene. Ashtu si duhet te kishte qene gjithmon.

Nelson nelsi11/10/2017 20:09

Duket qarte qe nderkombetaret nuk e donin me sajmirin ne ministri sepse i doli nami. Ndryshimet e reja e reja kan sjell me shume shprese per vendin dhe mbi te gjitha siguri

Ardit Reka11/10/2017 20:05

Gjerat kan ndryshuar me ardhjen e ministrit te ri. besoj se do ti bej gjerat ashtu si duhet ne muajt ne vazhdim

Shto koment

Denonco