Rakunët janë futur në listën e specieve pushtuese që po kërcënojnë biodiversitetin europian, së bashku me grerëzat vrasëse, ibisët (lloje zogu) dhe disa lloje algash. Dikur të perceptuar si kafshë të ëmbla e fotogjenike, rakunët e Amerikës së Veriut janë shndërruar në një rrezik serioz për ekosistemin e Gjermanisë. Një studim i ri i publikuar nga shkencëtarët e Frankfurtit në revistën Ecological Indicators bën thirrje për veprim urgjent për të frenuar dëmin.
Sipas studimit, rakunët nuk janë thjesht grumbullues mbeturinash siç shpesh përshkruhen, por grabitqarë shumë efektivë. Ata shkatërrojnë fole zogjsh, vezë dhe këlyshë, dhe krijojnë një “frenezinë e gjuetisë” në habitatet e ndjeshme. Dëmet janë të ndjeshme veçanërisht në qytete si Kassel, ku llogariten mbi 100 rakunë për çdo 100 hektarë – afro një rakun për çdo fushë futbolli.
Shkencëtarët që udhëhoqën kërkimin nga Universiteti i Goethes dhe Qendra për Kërkime mbi Biodiversitetin dhe Klimën Senckenberg theksojnë se mitet emocionale dhe dezinformimi pengojnë ndërhyrjet e nevojshme. Për shembull, ide të paqarta mbi strukturën shoqërore të rakunëve apo pretendime se gjuetia i bën ata të shumohen më shpejt, janë të rreme dhe të bazuara në studime të vjetra nga Amerika e Veriut.
“Këto mite kanë pasoja reale,” tha Dr. Dorian Dörge, koordinator shkencor i projektit ZOWIAC. “Ato pengojnë masat mbrojtëse dhe rrezikojnë speciet autoktone që janë tashmë në rrezik.” Për më tepër, përpjekjet për sterilizim nuk janë as të realizueshme dhe shpesh bien ndesh me ligjet e BE-së për menaxhimin e specieve pushtuese.
Autorët e studimit propozojnë plane të koordinuara kontrolli, përfshirë gjuetinë në zona të ndjeshme, financim nga qeveria federale dhe një fushatë të re ndërgjegjësimi publik. “Nuk mund të lejojmë që simpatia për kafshë ‘karizmatike’ të pengojë zbatimin e ligjeve për mbrojtjen e biodiversitetit,” tha profesori Sven Klimpel, autor udhëheqës i studimit.
Por rakunët nuk janë të vetmit pushtues të ekosistemeve në Europë. Komisioni Europian paralajmëron për mbi 12,000 specie të huaja, nga të cilat rreth 15% konsiderohen pushtuese. Prej tyre, pothuajse 90 janë shpallur “me shqetësim të Bashkimit”, çka detyron shtetet anëtare të marrin masa parandaluese dhe kontrolluese.
Në Mesdhe, rreth 900 specie pushtuese rrezikojnë biodiversitetin, përfshirë peshq helmues dhe alga që kanë ndryshuar strukturën e habitatit. Përpjekjet për t’i kthyer në ushqim gourmet kanë sjellë rezultate të kufizuara. Ndërkohë, ibisët e shenjtë afrikanë – zogj të adhuruar në Egjiptin e lashtë – po kthehen në problem në veri të Italisë, ku prekin speciet vendase.
Zyrtarët europianë vlerësojnë se kostoja ekonomike e specieve pushtuese në BE arrin 12 miliardë euro në vit, ndërsa globalisht kjo shifër i afrohet 400 miliardë eurove. Sipas ekspertëve, përballimi i kësaj krize kërkon jo vetëm menaxhimin e drejtpërdrejtë të habitateve, por edhe përballjen me perceptimet e rreme që vonojnë ndërhyrjen.
© SYRI.net