A janë Tardigradët jashtëtokësorë?

A janë Tardigradët jashtëtokësorë?

19:42, 07/10/2023
A+ Aa A-

Si mund të bëjë jeta autostop në galaktikë?

Udhëtimi në hapësirë ​​në distanca të gjata është ende larg mundësive të njeriut. Por gjallesa të tjerë mund të jenë duke udhëtuar nga një sistem planetar në tjetrin.

Kur kuptuam se kishte një furacak ekstradiellor, 'Oumuamua, quajtur sipas fjalës havajane "zbulues", kishte kaluar pikën e tij më të afërt me Diellin dhe po largohej shumë shpejt. Dhe ky është shikimi i parë në vitin 2017 i një objekti si asteroidin nga një zonë tjetër e galaktikës, një lajmëtar nga botët e largëta. Çfarë dimë për këtë copëz të errët që vizitoi sistemin tonë diellor me një trajektore dhe shpejtësi kaq të madhe? Shumë pak. Duke parë karakteristikat, kuptojmë që nuk vjen nga duzinat e yjeve që janë pranë nesh, sepse shpejtësia do të kishte qenë shumë më e madhe. Por kemi identifikuar katër yje të tjerë të largët, pranë të cilëve mund të ketë kaluar në miliona vitet e fundit, me një shpejtësi aq të ulët sa mund ta kishte origjinën në një nga këto sisteme yjore.

Pra, nuk e dimë se nga vjen saktësisht. Disa raporte lënë të kuptosh se mund të jetë i formuar nga akulli i hidrogjenit). Sipas një hipoteze, mund të jetë "fragment i një ekzoplaneti". Ajo që është e sigurt është fragmente si Oumuamua mund të fusin në kontakt sisteme të ndryshme yjore. Sipas një studimi, 10,000 asteroidë ekstradiellorë e kalojnë orbitën e Neptunit çdo ditë.

Do të ishte interesante të eksploroje përbërjen e tij. Ky lloj objekti duket se është një vektor i përshtatshëm për transportimin e jetës nga një pjesë e galaktikës në tjetrën. Ndonëse një mision hapësinor i këtij lloji do të ishte i vështirë për shkak të shpejtësisë me të cilën lëvizin këto fragmente, nuk do të ishte e pamundur, meqë në të ardhmen kapaciteti ynë vëzhgues do të përmirësohet ndjeshëm, e do të na lejojë t'i identifikojmë këto trupa më shpejt se ç'identifikuam Oumuamuan.

Ne duhet të kujtojmë se sistemit dellor i duhen rreth 230 milionë vjet që të rrotullohet rreth qendrës së galaktikës. Që kur u formua 4.5 miliardë vjet më parë, ai ka bërë rrotullimin e plotë rreth 20 herë. Kjo do të thotë se sistemi diellor i porsalindur ka pasur shumë raste për të rënë në kontakt me fragmente nga sistemet e yjeve të largëta.

Kristalet mikroskopike të akullit dhe pluhuri që përmbajnë baktere dhe spore të afta për të përballuar kushtet në hapësirë, mund të përhapen në hapësirë ​​nga zonat e atmosferës së sipërme të një planeti. Kur dimensionet bëhen mikroskopike, marrëdhënia midis forcës gravitacionale, e cila varet nga masa, dhe shtytjes për shkak të rrezatimit yjor, që varet nga sipërfaqja, e kthen ekuilibrin në favor të kësaj të fundit. Është sikur një planet të linte pas tij një gjurmë parfumi.

Image

Hapësira është më pak bosh se ç'mund të mendojmë ne. Në fakt, pjesët e ndryshme të galaktikës komunikojnë duke shkëmbyer materiale në shkallë kohore të krahasueshme me ato të shfaqjes së jetës në planetin tonë.

Por sa e mundur është që gjallesat të mbijetojnë në hapësirë? Edhe këtu natyra na befason. Llojet e ndryshme të likeneve, baktereve dhe sporeve mund të mbijetojnë, duke humbur ujin e tyre dhe duke hyrë në një gjendje pasiviteti total, që mund të zgjasë për periudha të gjata. Teste të këtij lloji janë bërë në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar dhe në laboratorë të ndryshëm.

Një rast i jashtëzakonshëm është ai i tardigradëve. Këto mikrokafshë shumë të zakonshme janë rreth gjysmë milimetri dhe jetojnë në ujë. Ato kanë tetë këmbë, një gojë dhe një sistem tretës, si dhe një strukturë të thjeshtë nervore dhe truri. Ato janë gjithashtu në gjendje të riprodhohen seksualisht. Ato ekzistojnë në natyrë në mijëra versione të ndryshme dhe kanë një metabolizëm me karakteristika unike. Për t'u bërë ballë kushteve të zgjatura të thatësirës, ​​trupat e tyre mund të arrijnë dehidratim të plotë, duke humbur rreth 90% të ujit dhe duke u përkulur në një strukturë të vogël. Pasi përfundon ky proces, metabolizmi i tyre bëhet 100 herë më i ngadaltë.

ADN-ja e tardigradëve mbrohet nga një proteinë që redukton dëmtimin nga rrezatimi. A mjafton ky informacion për të thënë që këto mikrokafshë vijnë nga hapësira? Do të thosha jo.

Image

Metabolizmi i tyre i pazakontë ka më shumë gjasa të jetë rezultat i përshtatjes evolucionare që ka ndodhur në planetin tonë. Tardigradët janë ndër të paktat qenie të gjalla që kanë dalë të padëmtuara nga të pesë zhdukjet masive që kanë ndodhur në Tokë. Kjo është arsyeja pse ato janë kandidatët më të mirë për një udhëtim të gjatë në hapësirë ​​në bordin e një meteori ose një komete. Duke pasur parasysh përmasat e tyre mikroskopike, është e mundur që ato të mbijetojnë nga përplasja dhe të mbeten joaktive për një kohë të gjatë, gati për t'u rizgjuar nga letargjia.

Problemi i origjinës së jetës mbetet i hapur, edhe pse po bëjmë përparim drejt një zgjidhjeje. Në dekadën e fundit, instrumentet llogaritëse gjithnjë e më të fuqishme na kanë lejuar të riprodhojmë, duke filluar nga parimet e para të mekanikës kuantike, formimin e sistemeve molekulare gjithnjë e më të mëdha dhe komplekse, të përbëra nga mijëra atome. Fusha e biologjisë llogaritëse po rritet me një ritëm të jashtëzakonshëm. Tani është vetëm çështje e fuqisë kompjuterike.

Ne kemi zhvilluar gjithashtu aftësinë tonë për të deshifruar dhe manipuluar ADN-në, deri në krijimin e strukturave të para gjenomike të thjeshtuara, që rrjedhin nga organizmat e gjallë dhe të aftë për t'u riprodhuar.  Po flasim për jetën sintetike, të ndërtuar rreth ADN-së së krijuar nga njeriu, një fushë me perspektiva të mëdha zhvillimi.

Prandaj, ka të ngjarë që krijimi i strukturave komplekse molekulare të nevojshme për jetën ose konfirmimi i ekzistencës së grupeve të stabilitetit gjenomik në evolucionin e specieve virale dhe bakteriale janë objektiva që në të ardhmen do të jenë brenda mundësive tona.  Deri në atë pikë sa do të kemi një mjet tjetër për të kuptuar se si u zhvillua jeta në Tokë.

Kush e di?  Mbase do të zbulojmë se jashtëtokësorët janë gjallesa të veçanta biologjike që kanë jetuar me ne gjithmonë./Marrë nga BBC – Syri.net

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco