FOTO/ Coumboscuro, fshati italian ku nuk flitet italisht

FOTO/ Coumboscuro, fshati italian ku nuk flitet italisht

16:47, 25/01/2022
A+ Aa A-

Me nofkën “Provansa e vogël”, Sancto Lucio de Coumboscuro është një fshat i izoluar pothuajse në gjithçka.

Shtrirë pranë kufirit midis rajonit të Piemontit në Itali dhe Francës, vizitorët ose duhet të fluturojnë drejt Torinos e më pas t’i hipin trenit apo autobusit, ose të udhëtojnë drejt jugut nga Provansa për të shkuar atje.

Vizitorëve u falet nëse vrasin mendjen nëse janë në vendin e duhur, sidomos kur vendasit iu thonë mirupafshim me një fjalë të padëgjuar për ta, "arveire" në vend të "arrivederci".

Gjuha zyrtare e Coumboscuros është provensale, një dialekt i vjetër mesjetar neo-latin i oksitanes, gjuhës që flitet në rajonin e Oksitanisë në Francë.

Në fshat jetojnë vetëm rreth 30 njerëz dhe jeta nuk është e lehtë. Coumboscuro përbëhet kryesisht nga familje barinjsh që shpesh i shohin bagëtitë nën sulmet e ujqve që enden andej.

Elektriciteti shpesh ikën për javë të tëra gjatë dimrit, ndërsa lidhja e internetit është minimale.

Por lëndinat malore të fshatit dhe fushat e purpurta me lule livando janë ideale për vizitorë që kërkojnë të stakohen nga e përditshmja, ashtu siç është edhe pamja mahnitëse nga majat e Alpeve që zbret poshtë në Cote d'Azur.

Harrojini baret, supermarketet dhe restorantet, jeta sociale kufizohet me ndonjë event folklorike që zhvillohet në fshat, ose kur dalin për mbledhje kërpudhash fundjavave.

Stil jetese pa ritëm

Vendasit kanë për përqafuar një stil jetese të thjeshtë, me ritëm të ngadaltë, në harmoni me natyrën.

"Nuk kemi televizorë. Nuk ia ndjen mungesën asaj që nuk e ke, në radhë të parë. Kur na ikin dritat për 15 ditë rresht nuk ka arsye paniku; nxjerrim llampat me vaj të gjyshërve”, thotë për CNN Travel baresha vendase Agnes Garrone, 25 vjeç.

"Unë jam mësuar me zgjimin që pa gdhirë për t’u kujdesur për dhentë. Punoj 365 ditë në vit, zero pushime. Nuk njoh Krishtlindje apo Viti i Ri, sepse kopeja do ushqim e kujdes edhe gjatë festave”.

"Është jetë me sakrifica, por kur sheh ardhjen në jetë të një qengji ia bën hallall”.

Garrone drejton La Meiro di Choco, një fermë e vjetër që është i vetmi hotel në Coumboscuro.

Bujtësit aty flenë në kabina tradicionale druri, shijojnë prodhime të freskëta nga frutorja dhe kanë mundësinë të blejnë lesh nga më i miri nga një racë deleje indigjene italiane të quajtur Sambucana, të njohur edhe si Demontina.

Ndërsa shumë nga të rinjtë kanë ikur në kërkim të një të ardhmeje më të mirë gjetkë shumë vite më parë, Garrone dhe vëllezërit e saj vendosën të qëndronin e të punonin tokën e të parëve.

Nëna e tyre rrit kanabis e bimë të tjera për qëllime mjekësore dhe bën shurupe të ndryshëm.

Rilindja kulturore

"Vizitorët janë të mirëpritur, duam që njerëzit ta zbulojnë botën tonë, nuk duam të harrohemi dhe kemi shumë trashëgimi për të ofruar”, thotë Garrone.

Ajo konsideron si gjuhën e nënës provensalen, që shpesh shihet si një përzierje mes frëngjishtes e italishtes.

Shpjegon që të qenit pjesë e një komuniteti gjuhësor e socio-kulturor që daton shekuj prapa i jep një ndjesi të fortë identiteti e përkatësie territoriale.

Zona e Piemonit ku gjendet Coumboscuro i ka kaluar herë Italisë e herë Francës në histori, çka shpejgon se pse vendasit si Garrone nuk ndihen as italianë as francezë, por thjesht provensalë.

Lagjja kryesore, që përbëhet nga vetëm tetë kasolle druri piktoreske e me një kishëz të vjetër me mure me afreske, është themeluar më 1018 nga murgjit francezë që hapën tokë buke.

Ndonëse Coumboscuro lulëzoi për shumë vjet, gjërat nisën të ndryshonin në vitet 1400 kur dimrat e ashpër bënë që shumë familje të zhvendoseshin në Provansë për pjesën më të madhe të vitit e të ktheheshin vetëm gjatë verës. 

Popullsia e fshatit është tkurrur gjatë viteve, por Coumboscuro pati një farë rilindjeje në vitet 1950 kur gjyshi i Garrones, Sergio Arneodo, u bë mësuesi i fshatit.

Pasi studioi gjuhën e lashtë vendase, ai ndihmoi në rigjallërimin e rrënjëve linguistike dhe tërheqjen folkloristike të gjuhës provensale, duke i dhënë komunitetit shtysën e shumë nevojitur.

Falë fushatave për ndërgjegjësim nga komuniteti lokal, Italia e njohu zyrtarisht ekzistencën e minoritetit oksiton më 1999 dhe provensalja tani mbrohet me ligj.

Megjithatë, ajo mbetet gjuhë në rrezik zhdukjeje dhe u fut në Atlasin e Gjuhëve të Botës në Rrezik nga UNESCO më 2010.

"Kjo është ndër luginat e pakta në botë ku gjuha jonë ka mbijetuar”, thotë Davide Arnoedo, drejtor i Muzeut Etnografik të Coumboscuros. Ai është djali i Sergio Arneodos dhe daja i Garrones.

"Në të kaluarën ishte gjuhë lirike, letrare, e folur nga artistë endacakë, që më pas kaloi në harresë, por falë përpjekjeve të tim’eti të rinjtë rizbuluan trashëgiminë e të parëve të tyre dhe shumë vendosën të qëndronin”.

Trashëgimi e pasur

Shtrigat e shamanët luajnë rol të madh në botën provensale, ashtu si dhe ushqimi i shkëlqyer alpin, dhe pa diskutim që ka pakëz atmosferë magjike në Coumboscuro.

Në fakt, legjenda thotë që një numri vendasish iu dha dhuntia e shërimit të kockave të thyera dhe e kyçeve të ndrydhur.

Disa besojnë edhe se pyjet banohen nga zana e faunë të quajtur Sarvanë, që thuhet se jo vetëm iu mësuan vendasve si të bëjnë gjalpin dhe djathërat Toma e Castelmagno, por edhe iu bënin rrengje fermerëve duke iu vjedhur qumështin e freskët dhe trastat me arra.

Çdo vit, Coumboscuro mban Boucoun de Saber, ose "kafshatën e diturisë”, një panair ushqimi që ofron specialitetet alpine me origjinë provensale.

Kuzhina lokale përfshin La Mato, që bëhet me oriz, erëza e presh, si dhe patate të tymosura që bëhen në vatër sipas një rituali të lashtë.

Aioli, një salcë mesdhetare me bazë hudhre, është popullore si garniturë për pjatat klasike. Dandeiroli , makarona shtëpie me pana e arra, janë një tjetër pjatë që dallon nga të tjera.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco