A janë të sigurtë helikopterët? Përse po ndodhin kaq shumë aksidente?

A janë të sigurtë helikopterët? Përse po ndodhin kaq shumë aksidente?

10:21, 28/01/2020

Nga Guy Adams, Daily Mail

Jo shumë kohë më parë, Lord Sugar i merrte për një udhëtim pompoz me helikopter fituesit e ‘Apprentice’, ndërsa lejonte BBC-në ta filmonte kur shkonte në takimet e biznesit me helikopter.

Kohët kanë ndryshuar. Pasi mësoi për përplasjen që vrau yllin e basketbollit, Kobe Bryant, plutokrati më i famshëm në vend ka lajmëruar se do të heqë dorë nga kjo mënyrë transporti alla-Bond.

Lord Sugar tani beson se helikopterët janë të pasigurt, duke e bazuar mendimin e tij tek njohja që ka për ‘fizikën’, por edhe te aksidenti i vitit 2018, që vrau presidentin e klubit Leicester, Vichai Srivaddhanaprabha.

“Lajm i tmerrshëm”, tha ai për vdekjen e Bryant. “Edhe ajo që ndodhi me pronarin e Leicester vitin e shkuar, thjesht e kanë forcuar urrejtjen time ndaj helikopterëve. Më është dashur t’i përdor disa herë, por jo më shumë. Ata sfidojnë fizikën dhe unë jam një pilot i kualifikuar”.

Shumë ekspertë të kolltuqeve duket se janë dakord. Në të vërtetë, thirrjet për autoritetet e fluturimeve që të rritet siguria e helikopterëve ishin trend dje në median sociale.

Disa vëzhgues madje sugjeronin se të gjithë pasagjerët duhet të pajisen me parashutë. Reagimi duket se është nxitur nga një seri katastrofash me profil të lartë.

Në vitet ’90, pronari i ekipit Chelsea, Matthew Harding u zhduk kur helikopteri i tij u rrëzua në Cheshire për shkak të motit të keq. Një dekadë më vonë, piloti i garave, skocezi Coli McRae vdiq bashkë me djalin e tij pesëvjeçar dhe dy miqtë nga një përplasje pranë shtëpisë së tij në Lanark. Një hetim zbuloi se ai po fluturonte ulët kur nuk ishte e nevojshme dhe e sigurt për ta bërë diçka të tillë.

Të dy incidentet tërhoqën mbulim të gjerë për shkak të famës së viktimave. Siç ndodhi me një incident në vitin 2012, kur Paul McCartney për pak u përplas me helikopterin e tij kur piloti u çorientua.

Njësoj si ylli i basketbollit, Bryant, që po udhëtonte me një Sikorsky S-76, një model i prodhuar në vitet ’70 për t’u përdorur në industrinë e naftës.

Frika e publikur për sigurinë e helikopterëve është shtuar edhe për shkak të tragjedive me turistë. Tre të tilla ndodhën në Nju Jork, në Kanionin e Madh dhe në Australi brenda pak muajsh në vitin 2018.

Po ashtu ka një dyshim të frikshëm se mënyra se si fluturojnë helikopterët, i bën ata shumë të rrezikshëm.

Atëherë cila është e vërteta? Përgjigjia e drejtpërdrejtë është se kjo është çështje opinioni. Një përgjigje më e nuancuar është se gjithçka varet nga qasja që keni ju ndaj rrezikut, po ashtu edhe nga interpretimi i statistikave të ndryshme rreth numrit të aksidenteve.

Ndoshta shifra më e përhapur është ajo nga Administrata e Aviacionit Federal në SHBA, që po bashkërendon hetimet për vdekjen e Bryant. Ata tregojnë se helikopterët përjetojnë 3.45 aksidente për 100 mijë orë fluturim dhe 0.93 fatale në vitin e fundit, sipas shifrave në dispozicion. Në industrinë e aviacionit, shkalla e krahasueshme është 0.84 aksidente fatale.

Në vitet e shkuara, shifra ka qenë më e keqe- mes viteve 2000 dhe 2005, kishte 2.36 vdekje për 100 mijë orë fluturimi me helikopter.

Sidoqoftë, këto shifra nuk krahasohen kështu.

David Gleave, një hetues i sigurisë ajrore, thotë: “Helikopterët kanë një shkallë më të lartë aksidentesh sesa avionët me krahë bazuar në orët e fluturimit. Por nëse i konsideron me milje, shkalla e aksidentëve është shumë më e lartë sepse nuk janë aq të shpejtë”.

Gleave i konsideron helikopterët si relativisht të rrezikshëm, por kjo nuk do të thotë se rreziku është në nivele të papranueshme. Ai ia atribuon rrezikun e rritur kompleksitetit teknik dhe pjesëve rrotulluese.

Por disa reflektojnë edhe faktin se helikopterët shpesh përdoren për të ndërmarrë udhëtime të rrezikshme, të papërshtatshme për avionët. Helikopterët shpesh përdoren në misione të kërkim-shpëtimit, të cilat ndodhin në kushte të vështira atmosferike.

Një tjetër shkak i aksidenteve janë edhe defektet teknike, siç ndodhi me pronarin e Leicester, ku një vidë që kontrollonte rotorin e bishtit të helikopterit, u këput.

Për dallim nga avionët, që mund të ulen në mënyrë të sigurt edhe kur kanë probleme në motorr, një helikopter është e pamundur të pilotohet nëse rotori i bishtit, që e mban atë drejt, ndalon së punuari. Megjithatë, është krejt e mundur që të shmanget tragjedia nëse dëmtohet rotori kryesor.

Julian Bray, një ekspert i aviacionit, thotë: “Mund të ulësh një helikopter edhe nëse nuk funksionon motorri. Rotori ngadalësohet, por nuk bie nga qielli. Rotori i bishtit është i rrezikshëm, sepse pa të, helikopteri bëhet si një shufër”.

Duket e frikshme, por shanset që të ndodhë kjo, janë të pakëta. Dhe helikopteri mund t’ju dërgojë në vende të ndryshme, ku format e tjera të transportit nuk arrijnë me atë shpejtësi.

Me fjalë të tjera, nëse doni të hyni në një helikopter, në diskutim është pyetja e vjetër: do bëni analizën mes riskut dhe shpërblimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco