Arinjtë polarë ‘pushtojnë’ ishujt ruse, shpallet gjendja emergjente

Arinjtë polarë ‘pushtojnë’ ishujt ruse, shpallet gjendja emergjente

13:43, 11/02/2019
A+ Aa A-

Autoritetet ruse e kanë dërguar një grup të specialistëve në një rajon të largët për t’i qetësuar dhe për t’i larguar disa arinjë të uritur polarë, të cilët i kanë rrethuar njerëzit që jetojnë në një grup ishujsh.

Ky vendim u mor pasi zyrtarët në arkipelagun “Novaya Zemlya”, në të cilin banojnë rreth 3 mijë banorë, kërkuan ndihmë nga autoritetet qendrore. “Nuk jemi përballur asnjëherë më parë me një numër kaq të madh të arinjve. Ata i kanë ndjekur njerëzit”, tha Zhigansha Musin, udhëheqëse e administratës lokale.

“Njerëzit janë të frikësuar dhe nuk po guxojnë të dalin nga shtëpitë e tyre. Prindërit nuk kanë vullnet t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla dhe çerdhe”, tha zëvendëskryetari i këtij rajoni, Alexander Minayev. Për këtë arsye, autoritetet e kanë shpallur gjendjen emergjente.

Në disa pamje të publikuara, arinjtë polarë janë parë duke kërkuar ushqim në mbeturina, ndërsa përpjekjet e banorëve për t’i frikësuar arinjtë me bori të veturave dhe me qen kanë dështuar.

Në Rusi, arinjtë polarë konsiderohen kafshë të rrezikuara nga zhdukja dhe vrasja e tyre me armë është e ndaluar me ligj. Sidoqoftë, autoritetet thonë se mund të jenë të detyruara ta bëjnë një përjashtim nga ky ligj, nëse dështojnë përpjekjet tjera për t’i larguar kafshët, shkruan “The Guardian”


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco