10 hackerët më të mëdhenj, çfarë bënë dhe ku janë tani

10 hackerët më të mëdhenj, çfarë bënë dhe ku janë tani

16:13, 24/10/2018
A+ Aa A-

Jo të gjithë hackerët janë të këqinj. Ata të mirët quhen ‘hakerët me kapele të bardha’ dhe hakojnë për përmirësimin e sigurisë së kompjuterëve.

Ata që e bëjnë thjesht për qejf quhen ‘hakerët me kapele gri’. Por kur flasim për hakerë mendja zakonisht shkon tek ata të këqijtë, ‘me kapele të zezë’, të cilët mund të shkaktojnë dëme të mëdha.

Ja disa nga ‘kapelezinjtë’ më të famshëm, çfarë bënë për të fituar reputacionin e tyre dhe ku gjenden sot.

1. Kevin Mitnick

Departamenti i Drejtësisë i SHBA e ka quajtur ‘kriminelin e kompjuterëve më të kërkuar në historinë e SHBA’. Historia e Kevin Mitnick është kaq e bujshme sa që u përdor edhe si bazë për filmin me titull Track Down.

Çfarë bëri?

Pasi kreu një vit burg për hakim të rrjetit të Digital Equipment Corporation, ai u la i lirë me kusht për një periudhë trevjeçare. Por nga fundi i kësaj periudhe, u arratis dhe për dy vjet e gjysmë hakoi pa pushim sistemet paralajmëruese të mbrojtjes kombëtare dhe vodhi sekretet e korporatave.

Ku është tani?

Mitnick u kap dhe u dënua me pesë vjet burg. Pasi e kreu të gjithë dënimin, u bë consulent dhe folës publik për sigurinë e kompjuterëve. Tani drejton Mitnick Security Consulting, LLC.

Image

2. Jonathan James

Historia e Jonathan James, i njohur si ‘c0mrade’, është tragjike. Ai e filloi hacking në moshë të re, duke arritur të ndërhynte në disa rrjete qeveritare e komerciale, për të cilat u dënua me burg teksa ishte ende minoren.

Çfarë bëri?

James hyri në rrjetin e NASA-s dhe shkarkoi mjaftueshëm kode sigurie (asete me vlerë 1.7 milionë dollarë në atë kohë) për të mësuar se si funksiononte Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar. NASA u detyrua ta mbyllte gjithë rrjetin e saj për tri javë të plotë teksa investigonte për ndërhyrjen, me kosto 41 mijë dollarë shtesë.

Ku është tani?

Më 2007, disa kompani të profilit të lartë ranë viktimë e sulmeve të shumta malinje në rrjet. Ndonëse James mohoi përfshirjen, ai ishte i dyshuar dhe u vu nën hetim. Më 2008, James kreu vetëvrasje, duke besuar se do ta dënonin për krime që nuk i kishte kryer.

3. Albert Gonzalez

Albert Gonzalez e nisi si lideri i një grupi hakerësh të quajtur ShadowCrew. Përveç vjedhjes dhe shitjes së numrave të kartave të kreditit, ShadowCrew falsifikonte pasaporta, karta sigurimi shëndetësor dhe certifikata lindjeje për vjedhje identiteti.

Çfarë bëri?

Albert Gonzalez e çau rrugën drejtë famës në internet duke vjedhur mbi 170 milionë numra kartash krediti dhe bankomatësh brenda një periudhe 2-vjeçare. Më pas ndërhyri në databazën e TJX Companies dhe Heartland Payment Systems për të vjedhur të gjithë numrat e kartave të kreditit që ishin të ruajtura në to.

Ku është tani?

Gonzalez u dënua me 20 vjet burg dhe do të dalë më 2025.

4. Kevin Poulsen

Kevin Poulsen, i njohur edhe si ‘Dark Dante’, e fitoi famën duke përdorur njohuritë e tija të detajuara për sistemet telefonike. Në një moment, ai hakoi linjat telefonike të një stacioni radioje dhe nxori veten si telefonuesin fitues të një Porsche të re. Sipas medias, ai ishte ‘Hannibal Lecter i krimit kompjuterik’.

Çfarë bëri?

Poulsen hyri në listën e të kërkuarve të FBI-së kur ndërhyri në sistemet federale dhe vodhi informacione për përgjimet. Më pas u kap në një supermarket dhe u dënua me 51 muaj burg dhe 56 mijë dollarë gjobë.

Ku është tani?

Poulsen ndryshoi sjellje pas daljes nga burgu më 1995. Nisi punë si gazetar dhe tani është editor kontribues për Wired. Më 2006, ndihmoi autoritetet të identifikonin 744 autorë krimesh seksuale në MySpace.

5. Gary McKinnon

Gary McKinnon, i njohur si ‘Solo’ në internet, koordinoi atë që do të bëhej ndërhyrja më e madhe në rrjetin kompjuterik ushtarak për të gjitha kohët.

Çfarë bëri?

Gjatë një periudhe 13-mujore nga shkurti  2001 në mars 2002, McKinnon hyri ilegalisht në 97 kompjuterë të Forcave të Armatosura të SHBA NASA-s. Ai tha se po kërkonte për informacione për fshehjen e energjisë së lirë (një teori konspirative që pretendon për burime alternative energjie që janë më eficente dhe mbahen sekret) dhe për UFO-t, por sipas autoriteteve amerikane ai kishte fshirë një numër krik programesh dhe kishte nxjerrë jashtë funksioni mbi 300 kompjuterë, me një me vlerë mbi 700 mijë dollarë.

Ku është tani?

Duke qenë me prejardhje skoceze dhe duke operuar jashtë Britanisë së Madhe, McKinnon arriti t’i shpëtonte qeverisë amerikane deri më 2005, kur u përball me ekstradimin. Pas një serie apelesh, Theresa May bllokoi ekstradimin e tij me arsyen se ishte ‘shumë i sëmurë’ dhe ekstradimi nuk përputhej me të drejtat e njeriut.

6. Robert Tappan Morris

Robert Tappan Morris i mori njohuritë për kompjuterët nga babai i tij, Robert Morris, i cili ishte shkencëtar kompjuterësh në Bell Labs dhe më pas në NSA. Morrisit i kreditohet krijimi ‘krimbit’ të parë të njohur kompjuterik, një malware që shumohet duke hyrë në çdo kompjuter në rrjet.

Çfarë bëri?

Më 1988, ai krijoi Morris Worm teksa ishte student në Cornell University. Programi kishte për qëllim kalkulimin e përmasave të internetit, por kishte një defekt: kompjuterët mund të infektoheshin në vazhdimësi dhe çdo infeksion e ngadalësonte edhe më tepër kompjuterin. Ai bëri të papërdorueshëm mbi gjashtë mijë kompjuterë.

Ku është tani?

Më 1989, Robert Tappan Morris u shpall fajtor për shkeljen e Aktit të Abuzimit dhe Mashtrimit Kompjuterik. U dënua tre vjet me kusht, 400 orë punë në shërbim të komunitetit dhe gjobë 10050 dollarë. Më vonë themeloi Y Combinator dhe tani është profesor i përhershëm në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts.

Image

7. Loyd Blankenship

Loyd Blankenship, i njohur si ‘The Mentor’ në rrethet e hacking-ut, ka qenë hacker aktiv që në vitet ’70. Ai ishte anëtar i disa grupeve hacking-u në të kaluarën, më i famshmi prej tyre Legion of Doom (LOD).

Çfarë bëri?

Blankenship është autor i një eseje të titulluar ‘Fjalët e fundit të Mentorit’ (e quajtur edhe ‘Ndërgjegjja e një hackeri dhe Manifesti i hackerit’) të cilën e shkroi pasi u arrestua më 1986. Eseja është shndërruar në një lloj guri themeli në kulturën e hacking-ut.

Ku është tani?

Blankenship u pajtua nga Steve Jackson Games më 1989 për të punuar për GURPS Cyberpunk. Shërbimi Sekret i SHBA vërshoi në shtëpinë e tij më 1990 dhe konfiskoi librin e rregullave të lojës, duke e quajtur ‘një udhëzues për krimin kompjuterik’. Që atëherë, ai ka hequr dorë nga hacking-u dhe tani është shef i dizenjimit dhe kërkimeve në kompaninë e sigurisë së kompjuterëve McAfee.

8. Julian Assange

Julian Assange e nisi që në moshën 16 me emrin ‘Mendax’. Gjatë katër vjetëve, ai ndërhyri në rrjetet të shumtë qeveritarë, korporatash dhe arsimorë – përsfshirë Pentagon, NASA, Lockheed Martin, Citibank, dhe Stanford University.

Çfarë bëri?

Assange më 2006 krijoi WikiLeaks si platformë për publikimin e rrjedhjeve të lajmeve dhe dokumentave sekretë nga burime anonime. SHBA nisi hetimin kundër Assange më 2010 duke e akuzuar nën Aktin e Spiunazhit të vitit 1917.

Ku është tani?

Aktualisht Assange është qytetari i Ekuadorit dhe qëndron në ambasadën ekuadoriane në Londër, duke iu druajtur ekstradimit në SHBA.

9. Guccifer 2.0

Kush është Guccifer 2.0? Askush nuk e di me siguri. Mund të jetë një person apo një grup i maskuar si një person i vetëm. Emri i bën homazh një hackeri rumun (i njohur si ‘Guccifer’), i cili shpesh kishte në shënjestër zyrtarë të qeverisë amerikan dhe të tjerë nga sfera politike.

Çfarë bëri?

Gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA, u hakua rrjeti i Konventës Kombëare Demokratike. Mijëra dokumente u publikuan në WikiLeaks e gjetkë. Shum besojnë se Guccifer 2.0 është një mbulim për inteligjencën ruse, por në një intervistë me Vice, Guccifer 2.0 deklaroi se ishte rumun dhe jo rus.

Ku është tani?

Guccifer 2.0 u zhduk pak para zgjedhjeve presidenciale më 2016 dhe u rishfaq njëherë në janar 2017 për të siguruar që ai nuk kishte lidhje me inteligjencën ruse.

10. Anonymous

Anonymous është ndoshta hackeri më i njohur i të gjitha kohëve, e megjithatë më i mjegullti. Anonymous nuk është një person i vetëm, por një grup i decentralizuar hackerësh pa anëtarësi të vërtetë apo hierarki. Kushdo mund të veprojë në emër të Anonymous.

Çfarë bënë?

Që nga debutimi më 2003, Anonymous kreditohet për sulmin kundër shënjestrave të famshme, përfshirë Amazon, PayPal, Sony, Kisha Baptiste Westboro, Kisha e Shkencologjisë, pjesë të web-it të errët, si dhe qeveritë e Australisë, Sirisë, Indisë e SHBA, ndër shumë të tjera.

Ku janë tani?

Anonymous e vazhdon aktivitetin edhe sot e kësaj dite. Që më 2011, nga Anonymous kanë dalë dy grupe të tjerë: LulzSec e AntiSec.

Ruhuni nga hackerët e ditëve moderne

Mos ua kini frikën emrave të mësipërm, sado të zotë të jenë në thyerjen e çdo barriere mbrojtëse në rrjet. Ata nuk merren me individë, por preferojnë organizatat dhe njësitë e mëdha.

Por, duhet të shqetësoheni vërtet nga një lloj tjetër hackerësh, ata që duan t’ju vjedhin të dhënat personale për të përfituar vetë. Për t’u mbrojtur përdorin software sigurie dhe mësoni si ta dalloni kur llogaritë tuaja online kanë pësuar sulme nga jashtë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco