Arrestohet italiani, ndiqte dy shqiptarë me automatik Zastava sepse i shanë nënën

Arrestohet italiani, ndiqte dy shqiptarë me automatik Zastava sepse i shanë nënën

15:39, 05/09/2017
A+ Aa A-

Një 41-vjeçar italian në Milano është arrestuar nga policia me automatik në dorë, teksa ndiqte për të vrarë dy shqiptarë, të cilët i kishin sharë nënën. Gianluigi Recrosio u kap teksa rrihte me grushta një djalë të zonës, në lagjen Giambellino, për t'i treguar se ku ishin fshehur dy shqiptarët.

Ndërhyrja e policisë erdhi pas një sinjalizimi anonim. Pasi e ndaluan Recrosion, iu sekuestrua arma, një automatik Zastava M70,  i prodhuar në ish-Jugosllavi. Në xhepa iu kap një karikator me 28 plumba dhe 20 fishekë të tjerë.

Sipas Corriere della Sera, Recrosio ka një karrierë të pasur kriminale: tentativë vrasjeje që kur sapo kishte mbushur moshën madhore, një seri precedentësh për shpërndarje droge, llogarinë e fundit me drejtësinë e ka pasur në qershor. Arma, Zastava M70, faktikisht Kalashnikov i prodhuar në Jugosllavi, ishte modifikuar, duke i prerë qytën për ta fshehur më lehtë.

Të arrestuarit iu sekuestrua edhe një motor i vjedhur. Ai akuzohet për “zotërim dhe mbajtje abuzive të armëve luftarake, kërcënim, rezistencë karshi zyrtarit publik”. Por dinamika e ngjarjeve ende nuk është krejtësisht e qartë.

Dy policët e parë që shkuan në vendngjarje u përqendruan te personi i armatosur, çka bëri që dy persona të tjerë, të cilët po shihnin rrahjen, t’ia mbathnin, ashtu si dhe djali që po rrihej. I arrestuari shpjegoi se “dy shqiptarët që njihja më kërcënuan nënën me vdekje”. Gruaja, 74 vjeç, jeton në atë pallat dhe të shtunën në mëngjes kishte thirrur të birin për t'i treguar për grindjen. Në këtë mënyrë, ai përshkoi qytetin, nga Corvetto ku jeton në Giambellino, me Kawasaki e Kalashnikov, për të marrë hak. Po atë tjetrin pse po e rrihte?

Recrosio tha se i njihte dy shqiptarët, por nuk e dinte se ku jetonin. Djali i njihte por nuk tregonte, ndaj edhe ai po e rrihte për të marrë informacionin.

Pavarësisht këtij rrëfimi, nisur nga precedentët e të arrestuarit, policia nuk përjashton pista të tjera si shkak për sherrin, përfshirë edhe drogën.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco