Tiranë/ Vijojnë kërkimet për 34-vjeçarin e zhdukur, shpallet në kërkim një 41-vjeçar i dyshuar për pengmarrje

Tiranë/ Vijojnë kërkimet për 34-vjeçarin e zhdukur, shpallet në kërkim një 41-vjeçar i dyshuar për pengmarrje

13:35, 09/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Zbardhen detaje të reja lidhur me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi në Tiranë, i cili rezulton i humbur prej disa ditësh dhe për të cilin familjarët ngritën alarmin pas ndërprerjes së kontakteve.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se, pas një sërë veprimesh intensive hetimore, është identifikuar dhe shpallur në kërkim një 41-vjeçar, i dyshuar si personi që ka mbajtur peng të riun. Ndërkohë, një 25-vjeçar ka përfunduar në pranga, pasi dyshohet se ka ndihmuar autorin e dyshuar pas ngjarjes.

Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga familjarët e 34-vjeçarit më 5 qershor, kur ata raportuan humbjen e kontakteve me të. Gjatë verifikimeve, policia ka arritur të gjejë motomjetin e të riut, si dhe të identifikojë ambientin ku ai dyshohet se ka hyrë për herë të fundit.

Sipas të dhënave paraprake, nga ky ambient ka dalë më pas 41-vjeçari i shpallur në kërkim, i cili dyshohet se e ka larguar 34-vjeçarin me automjet. Mjeti i përdorur në këtë lëvizje është gjetur dhe sekuestruar si provë materiale.

Grupi hetimor ka ushtruar kontrolle të shumta në ambientin ku dyshohet se është mbajtur peng 34-vjeçari, si dhe në zona të tjera të kryeqytetit dhe përreth tij, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e tij.

Nga hetimet ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka lëvizur edhe motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht, në një përpjekje të dyshuar për të fshehur gjurmët e ngjarjes.

Ndërsa kërkimet për gjetjen e të riut vijojnë pa ndërprerje, autoritetet janë angazhuar edhe për kapjen e 41-vjeçarit të shpallur në kërkim. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe hetimeve ende në zhvillim, burimet zyrtare nuk kanë bërë publike të gjitha detajet e dosjes.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Vijojnë hetimet intensive për gjetjen e shtetasit E. K., 34 vjeç, i denoncuar nga familjarët si i humbur.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim policor 41-vjeçari që dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.

Arrestohet një 25-vjeçar, pasi dyshohet se ka përkrahur autorin e dyshuar.

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë, pas kallëzimit të bërë më datë 05.06.2026 nga familjarët e shtetasit E. K., 34 vjeç, për humbjen e kontakteve me të, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit A. Sh., 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku është futur 34-vjeçari, ambient nga i cili më pas ka dalë autori i dyshuar dhe mund të ketë marrë me vete, me automjet, 34-vjeçarin.

Është ushtruar kontroll i imtësishëm në ambientin e dyshuar, ku dyshohet se mbahej peng 34-vjeçari, si dhe në shumë ambiente të tjera dhe në terren, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e 34-vjeçarit.

Po nga veprimet hetimore ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka larguar motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.

Automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. Z., 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin në këtë rast.

Shërbimet e Policisë po vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e shtetasit E. K.

Ndërkohë, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Duke qenë se hetimet janë në vijim, për të mos cenuar ecurinë e tyre, bëjmë me dije se në këtë fazë nuk mund të bëhen publike të gjitha rezultatet e hetimit.

Në vijim, do të jepet informacion më i plotë sipas ecurisë së hetimeve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco