Shoku i Ramës ankohet për laboratorin e SPAK: Nuk është i çertifikuar

Shoku i Ramës ankohet për laboratorin e SPAK: Nuk është i çertifikuar

13:25, 09/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Mbrojtja e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, paraqiti në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar 9 kërkesa të reja paraprake, duke e çuar në 24 numrin total të kërkesave të depozituara gjatë procesit gjyqësor. 15 prej tyre janë paraqitur në seancën e datës 21.05.2026.

Avokatët e Beqajt kundërshtuan ligjshmërinë e hetimeve dhe të provave të administruara nga SPAK, veçanërisht ato digjitale pasi sipas tyre laboratori nuk është i certifikuar, ndërsa kërkuan përjashtimin e disa provave dhe pushimin e çështjes penale, me argumentin se janë cenuar parimet e procesit të rregullt ligjor dhe se akuzat nuk mbështeten në prova të mjaftueshme.

9 kërkesa janë paraqitur në seancën e datës 09.06.2026.

Në mënyrë të përmbledhur këto 9 kërkesa përfshijnë:

1. Gjatë fazës së hetimeve mbrojtja ka paraqitur para akuzës 25 memorie të ndryshme. Shumica dërrmuese e këtyre memorieve jo vetëm që kanë marrë përgjigje pas afatit 15 ditor që përcakton K.Pr. P., por të gjitha kanë marrë përgjigje pas njoftimit të akuzës. Shumica dërrmuese kanë marrë përgjigje refuzuese, përfshirë refuzimin e kërkesave për hetime shtesë dhe kërkesën që organi i akuzës të mbledhë prova në favor të pafajsisë së Ilir Beqaj. Disa kërkesa kanë marre përgjigje pas 100 ditësh. Duke qënë se është cënuar haptazi procesi i rregullt ligjor, kërkohet pushimi i gjykimit.

2. Të gjitha provat digjitale të përftuara nga pajisje elektronike dhe në postë elektronike, janë administruar në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me:

* Konventën e Budapestit, ratifikuar mr ligiin nr. 8888

* Nenet 208/a dhe 209 të K. Pr. P.

* Jurisprudencën e GJL (vendimi njësues i vitit 2021, çështja Lapsi.al)

* Jurisprudencën e GJK, vendimet e vitit 2025, çështja E. Qyno dhe çështja O. Ymeraj

* Doracakun dhe udhëzuesin e GJEDNJ për provat digjitale.

Ndërkohë prej më shumë se 10 muajsh SPAK nuk i kthen përgjigje mbrojtjes së I. Beqaj, për akreditimin e laboratorit të SPAK dhe standardet ISO të Digital Forensic që përdor ky laborator.

Kërkohet përjashtimi i të gjithë provave digjitale të administruara në mënyrë të paligjshme.

3. Akuza bazohet edhe mbi një dokument të ashtuquajtur Aneksi 5 i kontratës koncesionare. Ky dokument nuk rezulton as i nënshkruar, e as i vulosur, nga palët kontraktore. Madje nuk figuron as i nënshkruar as nga komisioni i koncesionit që ka negociuar draftin e kontratës dhe e ka nënshkruar atë fletë më fletë. Kërkohet përjashtimi i kësaj prove.

4. Në Kodin Penal të RSH, akuza për vjedhje nuk plotëson parimet e ligjshmërisë sepse nuk përkufizon sjelljen e ndaluar. Veç të tjerash, vjedhja ndodh gjithmonë pa pëlqimin e te zotit të cilit i pakësohet pasuria. Kjo gje nuk shkruhet në Kodin Penal. Autoriteti Kontraktor i paguan me vetedije Konçesionarit i pamashtruar dhe i pakërcënuar. Për rrjedhojë, kërkohet pushimi i çështjes penale.

5. Organi i akuzës pretendon se njoftimi i akuzës i detajuar është vendimi i arsyetuar i GJSP-së. Meqënëse sipas këtij të fundit nuk ka kontratë origjinale midis palëve, akuta nuk mbështetet në prova, prandaj kërkohet pushimi i çështjes penale.

6. Organi i akuzës pretendon se njoftimi i akuzës i detajuar është vendimi i arsyetuar i GJSP-së. Meqënëse sipas këtij të fundit nuk ka një vlerë të llogaritur të vjedhjes akuza bazohet mbi diçka te pa provuar, prandaj kërkohet pushimi i çështjes penale.

7. Organi i akuzës pretendon se njoftimi i akuzës i detajuar është vendimi i arsyetuar i GJSP. Sipas këtij të fundit, akuza ndaj Ilir Beqaj bazohet në profesionin e tij, në karakterin e tij dhe sjelljen e tij gjatë seancave. Sjellja gjatë seancave është një sjellje pas kryerjes së veprës penale të pretenduar. Për këtë arsye kërkohet pushimi i çështjes penale.

8. Organi i akuzës pretendon se njoftimi i akuzës i detajuar është vendimi i arsyetuar i GJSP. Sipas këtij të fundit, duhej të zhvillohej prokurim publik dhe jo tender koncesionar, duke hyrë kështu në prerogativë ekskluzive të pushtetit ekzekutiv. Për këtë arsye kërkohet pushimi i çështjes penale.

9. Kërkohet të konstatohet paligjshmëria dhe për pasojë pavlefshmëria e vendimit të ndërmjetëm për ndarjen e çështjes të datës 28.05.2025, nr. regj. themeltar 66, datë regjistrimi 03.02.2025. Trupa gjyqësore nuk u shpreh asnjëherë për kërkesat paraprake që I. Beqaj paraqiti përpara asaj trupe. Për këtë arsye kërkohet pushimi i çështjes penale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco