Nis viti i ri shkollor, 28 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës

Nis viti i ri shkollor, 28 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës

07:26, 09/09/2024
A+ Aa A-

Rreth 350 mijë nxënës nisin këtë vit të ri shkollor ndërsa 28 mijë prej tyre ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Policia e Shtetit ka publikuar planin e ri të masave, ku përveç shtimit të efektivëve pranë shkollave dhe patrullimet në institucionet arsimore që janë pranë rrugëve, policia po bashkëpunon me pushtetin vendor, psikologët, punonjësit socialë, Ministrinë e Shëndetësisë dhe AKU-në për mbarëvajtjen e këtij viti shkollor.

MASAT POLICORE

Ditën e djeshme policia ndodhej në përgatitjet dhe koordinimin e detajeve të fundit nga forcat e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë dhe Policia Bashkiake e kryeqytetit, ndërsa sot ka kaluar në terren, në mirëmenaxhimin e lëvizjes në zonat me më shumë trafik. ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha duke iu uruar nxënësve, mësuesve prindërve fillim të mbarë e suksese në këtë vit shkollor, i garantoi ata se Policia e Shtetit dhe strukturat e saj kanë marrë çdo masë për sigurinë e tyre.

“Për të garantuar sigurinë rrugore dhe një qarkullim sa më të lehtë, ftojmë qytetarët të respektojnë disa këshilla të vogla”, – u shpreh Hoxha duke renditur disa prej tyre.

Kështu, Policia apelon prindërit që banojnë afër shkollave, të shmangin përdorimin e mjeteve për të shoqëruar fëmijët, duke ndihmuar në reduktimin e trafikut. Po ashtu, furgonat e mjetet transportuese të shkollave, ta kryejnë shërbimin në mënyrë të shpejtë, duke mos krijuar pengesa e bllokime të trafikut. Qytetarëve iu kërkohet të shmangin përdorimin e  mjeteve personale dhe të përdorin transportin publik, nëse nuk e kanë domosdoshmëri. “Policia e Rendit, “Shqiponjat”, Policia Rrugore dhe Policia Bashkiake në çdo bashki do të jenë të pranishme për të mbështetur dhe garantuar sigurinë nga dita e parë e vitit të ri shkollor”, – njoftoi Hoxha.

Policia e Shtetit, në përmbushje të misionit dhe detyrave të përcaktuara në Paketën e Sigurisë në Shkolla, ka hartuar një plan të detajuar masash me detyra konkrete për të gjitha strukturat e angazhuara të saj. Qëllimi i këtij plani është garantimi i sigurisë publike, ruajtja e rendit dhe qetësisë, parandalimi i fenomeneve negative në shkolla, si dhe rritja e sigurisë për nxënësit dhe personelin mësimor, si në mjediset e shkollave ashtu edhe në rrugë. Për të siguruar zhvillimin normal të procesit mësimor dhe sigurinë e nxënësve në ambientet e jashtme dhe në afërsi të shkollave, Policia e Shtetit ka angazhuar ndihmës specialistët e Policisë në zona, punonjësit e Policimit në Komunitet, shërbimet e Patrullave të Përgjithshme, Forcën e Posaçme “Shqiponja”, Policinë Rrugore dhe Policinë Kriminale. Përpara fillimit të vitit shkollor është bërë një vlerësim i situatës kriminale në të gjitha qarqet. Bazuar në këtë vlerësim, strukturat vendore të policisë kanë hartuar plane masash me detyra të qarta për kontrollin e territorit, ruajtjen e rendit dhe angazhimin e policisë kriminale dhe rrugore.

Në kuadër të masave të përcaktuara në Paketën e Sigurisë në Shkolla, janë caktuar detyra të detajuara për punonjësit e policisë që shërbejnë pranë shkollave. Prezenca e shtuar e policisë në këto ambiente synon të mbledhë dhe të trajtojë informacionet në kohë reale, duke vepruar shpejt për parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal në shkolla apo pranë tyre. Në këtë kontekst, po bashkëpunohet ngushtësisht me Drejtoritë Arsimore Rajonale, drejtuesit e shkollave, stafet mësimore dhe oficerët e sigurisë në shkolla për të garantuar fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor dhe krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për çdo nxënës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco