Pesë serbë të akuzuar për krime lufte gjatë vitit 1999 janë lënë në një muaj paraburgim nga Gjykata e Prishtinës. Ata akuzohen për vrasje dhe plagosje gjatë viteve të luftës, ndërsa u arrestuan mëngjesin e së shtunës. Vendimi i Gjykatës solli dhe reagime të ashpra nga Ministria e Jashtme Serbe.
Gjykata themelore e Prishtinës vendosi një muaj paraburgim për 5 serbë të cilët akuzohen për krime lufte në Kosovë gjatë vitit 1999.
Të dyshuarit u arrestuan mëngjesin e së shtunës gjatë një aksioni të autoriteteve të sigurisë së Kosovës në qytetin e Gjilanit nën akuzën për vrasje, plagosje dhe keqtrajtim të civilëve shqiptarë në fshatrat Llovcë, Pogragjë dhe Uglar në prill të vitit 1999.
Fill pas vendimit erdhi dhe reagimi nga institucionet serbe. Ishte Ministria e Punëve të Jashtme, e cila i bëri thirrje ndërkombëtarëve me mision në Kosovë "t'i japin fund arrestimeve arbitrare, rezultati i vetëm i të cilave është shkatërrimi i karakterit multietnik" të Kosovës. Ndërkaq ata u shprehën se ky është "një shembull tjetër i sulmeve ndaj serbëve me qëllim të frikësimit dhe dëbimit”.
Pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Ndërkaq, më shumë se 13.000 civilë janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
© SYRI.net