Gjykata e Posaçmë ka lënë në fuqi masën ‘Arrest Shtëpie’ për ish-gjykatësen e Elbasanit, Pajtime Fetahu.
Gjithashtu në fuqi është lënë dhe masa për ish-sekretaren e saj, Denada Toda të cilës i është ndaluar të dalë jashtë vendit.
Fetahu dhe Toda janë arrestuar në kuadër të operacionit ‘Plumbi i Artë 2’. Së bashku me Fetahun dhe Todën para gjykatës për konfirmimin e masës së sigurisë kanë dalë dhe 11 persona të tjerë.
SYRI TV
13 të arrestuarit për dosjen ‘Plumbi i Artë 2’ kanë dalë para gjykatës për konfirmimin e masave të sigurisë. GJKKO ka lënë në fuqi masën ‘Arrest Shtëpie’ për ish-gjykatësen e Elbasanit Pajtime Fetahu.
Fetahu në sallën e gjyqit ka mohuar akuzat duke u shprehur se nuk e ka kryer veprën penale të ‘korrupsionit’ për të cilën akuzohet.
Ajo është shprehur se nuk ka dijeni mbi bisedat që janë kryer në aplikacionin ‘Sky’, biseda të cilat SPAK ka marrë për bazë për ta vënë në bankën e të akuzuarve.
Pasi ka dalë nga seanca ish-gjykatësja Fetahu nuk ka pranuar të flasë asnjë fjalë për mediat.
GJKKO ka lënë në fuqi dhe masën për sekretaren e saj, Denada Toda për ndalimin e daljes jashtë vendit. Ndërsa për konfirmimin e masës para gjykatës kanë dalë dhe 11 persona të tjerë.
Operacioni ‘Plumbi i Artë 2’ ka ardhur pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani dhe zbërthimit të bisedave në aplikacionin SKY.
Në lajmërimin e saj për mediat, SPAK tha se janë lëshuar 33 masa arresti, ku 13 janë ekzekutuar në Shqipëri, 2 të tjera jashtë vendit ndërsa pjesa tjetër nuk është mundur të ekzekutohet. Megjithatë, në lajmërimin për mediat organi akuzës si rrallë herë nuk ka bërë publike se për cilët persona masat e sigurisë janë ekzekutuar.
© SYRI.net