Situata e rrezikshme që shkaktuan zjarret në Shëngjin është vënë përkohësisht nën kontroll. Mjetet zjarrfikëse kanë punuar gjatë gjithë natës duke parandaluar një katastrofë të mundshme. Dy vatrat e mëdha, ajo e Ranës së Hedhun dhe ajo pranë portit të Shëngjinit e kanë ulur intensitetin. Sot po punohet me forca te shumta për të parandaluar mospërhapjen e zjarreve për shkak të erës.
Pamje nga Shëngjini sot:
Ministria e Mbrojtjes njoftoi mbrëmjen e së martës për një lehtësim të rrezikut nga zjarret në Shëngjin falë ndihmës së dy avionëve dërguar nga BE.
Në njoftimin e lëshuar pas mesnate nga Ministria e Mbrojtjes, thuhej:
"Situata e krijuar nga zjarret në disa zona të vendit, por veçanërisht në Shëngjin ka shënuar përmirësim në orët e mbrëmjes, pas punës së pandërprerë të qindra forcave operacionale në terren si dhe ndërhyrjes së dy avionëve #Canadair të ardhur nga Italia, pjesë e mbështetjes nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile. Mirënjohje palës italiale për ndihmën si dhe palës suedeze për shprehjen e gatishmërisë.
Sipas raportimeve të fundit është shmangur fatmirësisht rreziku për banesat dhe bizneset. Në orët e para të mëngjesit të nesërm do të fillojë sërish ndërhyrja nga ajri me mbështetjen e palës italiane dhe nga toka e qindra forcave operacionale.
Është bërë e mundur shuarja e flakëve në vatrën e zjarrit në Kaninë, bashkia Vlorë, ku zjarri përfshiu një sipërfaqe me ullinj si dhe në Nikël, ku u raportua një tjetër vatër zjarri, gatë ditës së sotme.
Mirënjohje të gjithë efektivëve të forcave zjarrfikëse, të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Shërbimit Pyjor, Zonave të Mbrojtura e vullnetarëve për angazhimin në këtë betejë me flakët."
© SYRI.net