Gjinaj: Rasti i Durim Bamit dhe dyshimet për raportin e shtetit me të arratisurit në Dubai

Gjinaj: Rasti i Durim Bamit dhe dyshimet për raportin e shtetit me të arratisurit në Dubai

10:15, 20/06/2024
A+ Aa A-

Fatjon Gjinaj, gazetari i kronikë në SYRI TV, duke analizuar zhvillimet e fundit në fushën e rendit dhe sigurisë, arrestimin e personit me dosje kriminale, Durim Bamit, në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe përfshirjen edhe të punonjësve të Policisë së Shtetit në botën e krimit, ka bindjen e plotë se “nuk janë të fortë këta, por është i dobët shteti”.

“Nuk janë të fortë këta! Është i kapur shteti dhe strukturat e tij!” nënvizoi Gjinaj në studion e emisionit Kafe Shqeto në SYRI TV, mëngjesin e sotëm.

“Janë një mori emrash nga Shqipëria që strehohen në Dubai, - tha Gjinaj. A mund të më thoni një emër me procedurë të rregullt që ka ardhur në Shqipëri si pasojë e procedurave që janë plotësuar nga autoritetet shqiptare, ka dalë para gjykatës dhe është dhënë një vendim ndaj tij? - Zero!

Emri i vetëm ka qenë Alban Bengasi, një avokat, i cili bëri një kërkesë një javë para se të paraqitej dhe ajo u përpoq të trumbetohej si arrestim dhe ekstradim më pas. Por në fakt ndodhi ajo që ndodhi, ku i ranë një mori veprash penale që ishin ngritur ndaj tij dhe është dërguar në gjykatë me një akuzë minimale që parashikon një dënim jo më shumë se 5 vjet burg, pavarësisht se në fillim ishte akuzuar për vepra shumë të rënda penale.

Rasti tjetër ishte ai i Bruno Çobos, i cili përmes avokatëve kishte paraqitur kërkesë për t’u paraqitur tek autoritetet shqiptare dhe dhënë llogari. U detyrua të kthehej sërish në avion dhe të dilte përsëri që të vinte ministri dhe Ministria e Brendshme për të thënë që “e ekstraduam edhe një kriminel nga Dubai”.

Pjesa tjetër janë persona me rekorde kriminale që dalin në shumë dosje hetimore të ish-Krimeve të rënda, por edhe të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit, që nuk vijnë në Shqipëri e arsyeja është shumë e thjeshtë: ata kanë para për ta përballuar jetesën atje, madje bëjnë biznes nga atje dhe një pjesë e konsiderueshme i shtojnë të ardhurat e tyre.

Më e rëndësishmja është që nuk ka një ligj dhe marrëveshje për ekstradimet me Emiratet e Bashkuara Arabe. Çdo lajm, çdo informacion, çdo e dhënë, çdo deklaratë që jepet në kuadër të ekstradimit nga ky vend, nëse pala në akuzë apo në kërkim nuk është dakord me  diçka të tillë, nuk ndodh dhe nuk ka ndodhur deri më sot."

"Lidhur me rastin e Durim Bamit".

Për sa i takon qëndrimit që kanë mbajtur autoritetet shqiptare, Durim Bami është një element i rëndësishëm për t’u zbërthyer në aktivitete kriminale ku ai jo vetëm është lakuar, por edhe të vërteta shumë të forta të realitetit kriminal në Shqipëri, - vërejti gazetari.

Sipas tij., "nëse do të kemi një ardhje të Durim Bamit në Shqipëri,do të jetë pikërisht për këtë arsye dhe, regjistrojeni këtë: nëse Durim Bami mbërrin në tokën shqiptare dhe një ditë vihet para drejtësisë shqiptare, ai do të vendoset, në bindjen time, vetëm me cilësinë e personit që do të bashkëpunojë me drejtësinë ose të japë informacione, të dhëna për drejtësinë. Ndryshe, Bami nuk ka asnjë arsye të vijë në Shqipëri, përveç ndonjë arsyeje turistike që të vijë dhe të ikë pa e marrë vesh njeri siç ka dyshime të forta që vetëm pesë ditë para operacionit “Revanshi” ka pasur një kohë të qëndrimit të tij në vendin tonë dhe është larguar menjëherë pasi ka marrë indicet për operacionin. Kjo është një e dhënë e referuar mbi dëshmi dhe jo mbi të dhëna zyrtare."

“Raporti i dyshimtë i shtetit me këta elementë"

“Ajo çfarë ka ndodhur dhe ajo që ka dalë deri tani është asgjë, - u shpreh Gjinaj. - Pse?! Unë mendoj se raporti i shtetit me këta elementë ka qenë i dyshuar. Ku do ta shihja tjetër? Do t’i referohem dy-tri elementëve.

E para, narkotikët janë elementi kryesor që i përfshin në miqësi dhe armiqësi këta njerëz. Harrojeni se një pjesë e mirë e tyre kanë nder dhe i bëjnë gjërat për nder! I bëjnë vetëm për interesa ekonomike dhe nga frika se i vrasin. Nuk ka ndodhur në ato ngjarje dhe në vrasjet që kishin planifikuar të bënin të lexojmë në ndonjë rresht se “na ka fyer nderin”! Jo, është kërcënimi.

E dyta, aty ka punonjës policie që drejtojnë kultivimin e bimëve narkotike, drejtojnë operacione kultivimi dhe operacione informimi të personave që merren me kultivim dhe, në rastet kur ndërhynte Guardia di Finanza dhe dërgonte statistika e lokacione tepër të sakta, ndërhynin këta që përpara se të ndërhynte policia, t’i largonin.

E treta ka të bëjë pikërisht me këta punonjës policie, gjë që nuk është e çuditshme. Çfarë ndodhi me operacionin Revanshi?! Dy punonjës policie, drejtues dhe ish-drejtues të lartë të Policisë, Henerigert Mitri dhe Klodian Shahini, deri ditët e fundit para se të zhvillohej operacioni kanë qenë në punë duke ushtruar funksionet përkatëse, ndërsa ditën që u zhvillua operacioni nuk ishin në punë. Rastësi është kjo, koinçidencë është kjo?!

Pra, përse sipas meje, këta persona që sot janë në kërkim dhe i transmetojmë gjithë ditën nëpër media si të paprekshëm, të rrezikshëm, të fortë, - nuk janë të fortë?!

Nuk janë të fortë këta! Është i dobët shteti!

Nuk janë të fortë këta! Është i kapur shteti dhe strukturat e tij!

Nuk janë të fortë këta, por drejtues policie që nuk mund të them në janë persona të kapur nga frikë apo kërcënimi - janë të kapur nga interesa të ngushta ekonomike. Për mua gjithçka lidhet me financat, nuk lidhet as me nder, nuk lidhet as me reputacion.”/ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë me gazetarin Fatjon Gjinaj në emisionin Kafe Shqeto në SYRI.TV

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco