VIDEO SYRI TV/ Urdhri i Rrumbullakut: Çdo polic të vetëdeklarohet deri më 30 Qershor

14:50, 17/06/2024
A+ Aa A-

Çdo punonjësi i Policisë së Shtetit duhet që deri më 30 qershor, të plotësojë formularin e vetëdeklarimit që bazohet në 8 pyetje. Kreu i kupolës së policisë Muhamet Rrumbullaku ka firmosur urdhërin për të cilin thotë se pastrimi i strukturave nga elementët e inkriminuar brenda uniforma blu është prioritar. Një lëvizje e tillë, vjen në kohën kur në shumë dosje hetimore të grupeve kriminale, rezultojnë polici dhe drejtues policor të lidhur apo në shërbim të krimit.

Nga SYRI TV

Në një kohë kur në shumë dosje hetimore të krimit të organizuar, vijojnë të dalin punonjës e drejtues policie të implikuar, Drejtori i Përgjithshëm Muhamet rrumbullaku ka urdhëruar thellimin e procesit të verifikimit dhe integritetit të uniformave blu. Deri më 30 qershor, ata duhet të plotësojnë një formular, ku do iu përgjigjen 8 pyetjeve disa prej tyre me shpjegimin përkatës.

• Dënimi ose jo me vendim gjyqësor të formës së prerë nga autoritetet gjyqësore shqiptare ose të huaja, apo me vendim gjyqësor jopërfundimtar për një çështje penale të pazgjidhur me vendim gjyqësor të formës së prerë;

• Shkelja ose jo e rregullave të sigurisë së informacionit të klasifikuar dhe tentimi ose jo i kryerjes së aktivitetit të paautorizuar në sistemet e komunikimit të informacionit të klasifikuar;

• Qenia ose jo në hetim ose gjykim nga autoritetet shqiptare ose të huaja për vepra penale;

• Qenia ose jo i ndaluar ose arrestuar nga organet ligjzbatuese shqiptare ose të huaja për vepra penale;

• Caktimi ose jo i ndonjë mase shtrënguese të sigurisë personale;

• Lëshimi ose jo i një urdhri kërkimi kombëtar ose ndërkombëtar për vepra penale;

• Pasja ose jo e kontakteve të papërshtatshme, komunikimeve elektronike ose çfarëdolloj mënyre tjetër takimi apo komunikimi të qëllimshëm, me persona të përfshirë në krimin e organizuar;

• Pranimi apo shkëmbimi, ose jo, i parave, favoreve, dhuratave ose pasurive me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Muhamet rrumbullaku sqaron se përse është i nevojshëm një detyrim i tillë për vartësit e tij.

“Integriteti i shëndoshë i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe pastrimi i strukturave nga elementë brenda nesh, të cilët shkelin ligjin dhe betimin, është një proces prioritar dhe i rëndësishëm. Askush që cënon besnikërinë ndaj uniformës së shenjtë të Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend në strukturat e saj. Kam bindjen e plotë se, organizata e Policisë së Shtetit ka forcën dhe energjinë e duhur pozitive për të izoluar dhe larguar nga radhët e saj çdokënd, që devijon nga misioni i ruajtjes së rendit e sigurisë publike dhe lufta e pa kompromis ndaj krimit”.

Punonjësit e Policisë së Shtetit do të deklarojnë edhe ndërprerjen e marrëdhënieve juridike të punës me Policinë e Shtetit, për plotësim të pasaktë ose të dhëna të pavërteta në formularin e vetëdeklarimit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco