Video e aksidentit/ Momenti kur përmbyset furgoni me pasagjerë, shoferi gënjeu policinë

12:20, 29/05/2024
A+ Aa A-

Pasditen e djeshme, rreth orës 14:15 në bypass-in e e Rrugës së Arbrit një furgon doli nga rruga dhe u përmbys. Nga aksidenti mbetën të lënduar tre pasagjerë dhe shoferi i furgonit, shtetasi A.L, 55 vjeç. Për fat të mirë të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.

Policia njofton ditën e sotme se 55-vjeçari është vënë në pranga për deklarim të rremë. Ai ka deklaruar ditën e djeshme se një makinë i kishte ndërprerë rrugën, ndërkohë që siç shihet në video, në bypass nuk ka automjete të tjera.

NJOFTIMI I POLICISE

Dha deklarim të rremë për aksidentin rrugor që shkaktoi mesditën e djeshme, në bypass-in e Rrugës së Arbrit, vihet në pranga 55-vjeçari. Specialistët e Seksionit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasin A. L., 55 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Mesditën e djeshme, dyshohet se për shkak të humbjes së kontrollit, furgoni që drejtonte 55-vjeçari (automjet për transport ndërqytetas të qytetarëve) ka dalë nga rruga dhe si pasojë janë dëmtuar pasagjerët në këtë automjet. Njëri nga të dëmtuarët vijon të jetë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa të tjerët pasi kanë marrë shërbimin mjekësor, janë larguar në banesa.

Gjithashtu, gjatë kryerjes së veprimeve hetimore dhe procedurale për aksidentin, shtetasi A. L. ka dhënë deklarim të rremë, se një automjet tjetër i kishte ndërprerë rrugën dhe ishte bërë shkak për këtë aksident.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco