Fier, arrestohet një punonjës i Policisë për prodhim dhe shitje droge, vijojnë hetime për të tjerë

Fier, arrestohet një punonjës i Policisë për prodhim dhe shitje droge, vijojnë hetime për të tjerë

10:34, 25/05/2024
A+ Aa A-

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në rajonin Fier-Berat, arrestoi një punonjës policie dhe disa persona të tjerë, pas një hetimi me metoda speciale, duke goditur kështu një grup kriminal, në kuadrin e asaj që e konsideron si "vetëpastrim" të radhëve të uniformave blu.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, iu vunë prangat në flagrancë punonjësit të policisë Lorenc Gropa, trup shërbimi i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit Fier si dhe shtetasve Klevis Gropa dhe Ledion Gropa, të dyshuar për “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, veprimtari të cilën dyshohet se e kryenin në ambientet e një bar kafeje në Patos.

Nga kontrolli i banesës së punonjësit të policisë Lorenc Gropa, u sekuestrua një qese me pluhur të bardhë, në dukje lëndë narkotike kokainë me peshë rreth 41,25 gr, 2 cigare me lëndë narkotike hashash, 2 peshore për peshimin e lëndës narkotike, një armë zjarri TT, një armë zjarri karabinë dhe 11 aparate celularë.

Nga veprimet hetimore progresive në vijimë si si deklarimet dhe këqyrja e telefonave, u dokumentua edhe implikimi në trafikun e armëve në shtetin grek të shtetasit S.L., i cili u arrestua për "Trafikim i armëve dhe municioneve", pasi ai negocionte me shtetas të tjerë në lidhje me këtë veprimtari të paligjshme.

Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë shtetasi B.F., i dyshuar për "Organizim i lojërave të palejuara" dhe "Vënia në dispozicion e ambjenteve për lojëra të palejuara", si dhe shtetasi M.G., i dyshuar për "Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive". Vijojnë hetimet për përfshirjen e mundshme të shtetasve apo punonjësve të tjerë të policisë në këtë veprimtari të paligjshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco