Vrau ish-gruan/ Eduard Danaj: Unë punoja, ndërsa ajo hante paratë e mia...

Vrau ish-gruan/ Eduard Danaj: Unë punoja, ndërsa ajo hante paratë e mia...

10:25, 17/05/2024
A+ Aa A-

Greqia është tronditur pas vrasjes së 40-vjeçares Enkeleida Danaj në Athinë mëngjesin e së enjtes. Autor i kësaj ngjarje është ish-bashkëshorti i saj, Eduard Danaj. Sipas hetimeve, rezulton se 50-vjeçari e zuri në pritë ish-gruan duke e goditur rreth 10 herë me thikë.

Më pas, ai u largua nga skena e krimit, shkoi në një hotel dhe u përpoq të fshihej në një ndërtesë në ndërtim ku edhe punonte. Ai ka pirë disa kanaçe me birrë duke konsumuar, sipas mediave, një sasi të madhe alkooli.

Të njëjtën gjë e bënte edhe në shtëpi kur jetonte me viktimën. Pinte e më pas e dhunonte Enkeleidën.

Kur u arrestua, Eduard Danaj ishte qartësisht nën influencën e alkoolit dhe nuk e kuptonte se çfarë kishte ndodhur. Policia e ka përshkruar atë si cinik dhe si një person që nuk ka treguar pendesë për veprimet e tij. Këtë e tregon edhe dëshmia e 50-vjeçarit.

“U zgjova në mëngjes dhe shkova në vendin në fjalë sepse e dija që ajo kalonte në orën 5:30 të mëngjesit aty. Kur e pashë, nxora thikën dhe nisa ta godas. Më pas u largova në këmbë dhe shkova në një hotel. U ula për pak kohë aty dhe më pas eca drejt kantierit të ndërtimit ku piva disa birra derisa më arrestuan”, tha ai.

Kur u pyet nga policia se pse e kreu krimin e tmerrshëm, Danaj u përgjigj: "Nuk mund ta duroja dot teksa i jepte makinës sime. Unë punoja, ndërsa ajo hante paratë e mia".

Kjo ngjarje e rëndë ishte e paralajmëruar. Denoncimet e bëra nga 40-vjeçarja ndaj ish-bashkëshortit e tregojnë më së miri këtë fakt. Vetëm disa ditë para ngjarjes tragjike, Enkeleida e kishte kallëzuar sërish ish-burrin për dhunë.

“Në përgjithësi nuk kemi shkuar kurrë mirë. Ai më ka kërcënuar, ka abuzuar shumë herë me mua. Kam raportuar shumë incidente, por jo të gjitha. Prej një jave tashmë, ai më vëzhgon, rri ulur në makinë jashtë shtëpisë sime dhe nuk e di pse. Dje, më 6 maj rreth orës 23:30 qëndronte jashtë shtëpisë sime ulur në makinë. Iu afrova dhe e pyeta pse ishte aty dhe filloi të më thoshte: Do ta shikosh çfarë do të të ndodhë, do të të djeg. Ishte i pirë sepse kishte disa kanaçe me birrë në makinë. Shkova të thërrisja policinë, por më kapi për fyti dhe më përdrodhi dorën. Pastaj vajza ime, që ishte aty afër telefonoi urgjencën. Më pas u transferuam në shërbimin tuaj”, tregoi ajo në dëshminë e saj.

Po ashtu u publikua një video nga mediat greke ku dëgjohen britmat e Enkeleidës, e cila i thotë të mos e godasë Eduardit.

Enkeleida Danaj nga Vlora ishte nënë e dy fëmijëve, një vajze 21 vjeçe dhe një djali 15-vjeçar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco