Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Investigimi i 'RAI 3', pse është friksuar Edi Rama?

Rritja e taksave dhe pagesat e larta për punëtorët ndikuan te shtrenjtimi i çmimeve

Rritja e taksave dhe pagesat e larta për punëtorët ndikuan te shtrenjtimi i çmimeve

07:59, 03/03/2024
A+ Aa A-

Ndër faktorët kryesorë të rritjes së çmimeve të pronave për këtë vit, sipas Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, është shtimi i kostove nga rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë, fuqisë punëtore dhe materialeve të ndërtimit. “Taksat në bashki janë shumëfishuar, përqindja e pronarëve për truallin e ndërtimit është rritur, koha që merr për daljen e një leje është rritur ndjeshëm, çka do të thotë më shumë kosto, cilësia e ndërtimit gjithashtu, ndërsa euro është zhvlerësuar”, pohon kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Erjon Harizi.

Një nga ndërtuesit e objekteve të reja në Bulevardin e Ri të Tiranës pohoi se pas rritjes së çmimeve të referencës, detyrimet e tij për taksën e ndikimit në infrastrukturë për metër katror janë rritur 100%. “Nëse vitin e kaluar, kostoja për metër për taksën e ndikimit në infrastrukturë ishte 50 euro, pas rritjes së çmimeve të referencës kam paguar 100 euro për metër katror ndërtim”. Taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja i nënshtrohen të gjitha subjektet që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e të tjera. Taksa paguhet nga ndërtuesit para zbardhjes së lejes së ndërtimit.

Për Tiranën është në nivelin 8% dhe llogaritet për metër katror mbi çmimet e referencës, të cilat nga gushti i vitit të kaluar u rritën nga 5 deri në 76% për 32 zonat kadastrale të Tiranës. Rritje pati edhe për 5 komuna të kryeqytetit, si Kashari, Petrela, Preza, Farka dhe Dajti. Në vitin 2022, nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, Bashkia më e madhe në vend arkëtoi 7,4 miliardë lekë dhe për 2023, 7 miliardë lekë. Parashikimet e arkëtimeve për këtë taksë, referuar të dhënave nga buxheti, në vitin 2024 pritet të jenë në vlerën e 6,3 miliardë lekëve dhe në periudhën 2025-2026, 6,5 miliardë lekë.

Shpenzimet për paga me qëllim frenimin e emigracionit të fuqisë punëtore kanë goditur në kosto edhe zhvilluesit e objekteve të ndërtimit. Rritja e pagave renditet një tjetër arsye që ka sjellë shtrenjtim çmimesh. “Vjet, pagesa ditore për mjeshtrit e ndërtimit ishte 3,000 lekë, aktualisht kjo kategori po paguhet 6,000 deri në 7,000 lekë dita, pasi mungesa vendase fuqisë punëtore është e madhe. E kemi të vështirë të gjejmë punonjës, kurse rendimenti i të huajve është shumë i ulët. Ndërsa rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit krahasuar me vjet është e lehtë në masën 5%, por pas pandemisë së Covid-19, shtrenjtimi i materialeve shkon deri në 40%”, pohoi një nga ndërtuesit e Tiranës.

Ndërtuesit paralajmërojnë se banesat e reja rezidenciale pritet të dalin me tarifa të larta shitje edhe për dy vitet e ardhshme, pasi kostoja për pagën ditore të punëtorit do të shtrenjtohet me 20% (duke arritur në 8,500 lekë pagesa ditore për punonjës) për shkak të largimit të punëtorëve jashtë vendit. Pavarësisht se rritja e çmimeve nuk parashikohet të ndalet, pritshmëritë e tregut të pasurive të paluajtshme mbeten optimiste.

Në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë theksohej se agjentët janë optimistë për ecurinë e tregut të pasurive të paluajtshme në territorin ku ata veprojnë, për të ardhmen afatshkurtër dhe afatgjatë (deri në dy vjet). Po ashtu, ata u shprehën optimistë për të ardhmen e këtij tregu në të gjithë territorin e vendit./Monitor/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco