Kur policia zbardh krimin e zbardhur 1 vit më parë

Kur policia zbardh krimin e zbardhur 1 vit më parë

16:44, 24/02/2024
A+ Aa A-

Ishte e çuditshme konferenca e sotme e Policisë së Tiranës.

Toni Voci doli në një konferencë për të zbardhur një krim të ndodhur në janar të vitit 2022, e për të propaganduar me të madhe se gjoja ishte zbardhur masakra e Don Boskos, që tronditi edhe opinionin publik në atë kohë.

Por Voci e ata që e kanë këshilluar, duket se kanë harruar se kjo ngjarje është zbardhur një herë, më shumë se para një viti kur Policia e Durrësit arrestoi dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj.

Të dy këta të rinj, të arrestuar pas një përplasje që patën me njerëzit e të fortit të Sukthit, Aleksandër Laho që njihet edhe me epitetin ‘Rrumi’. Njerëzit e këtij të fundit i përplasën me makinë dy vëllezërit Beqiraj, të cilët po udhëtonin me motor, e që më vonë doli se ishin kontaktuar për të kontrolluar lëvizjet e ‘Rrumit’.

Mbajtja peng e tyre për disa orë u kishte futur frikën vëllezërve durrsakë dhe sapo u liruan nga policia, ata u bënë edhe të penduar. E pendesa e tyre zbardhi edhe masakrën e Don Boskos, që sot Tonin Vocaj me anë të një konference pompoze pretendoi të merrte meritat se gjoja, policia e drejtuar nga ai, kishte zbardhur krimin ku mbeti i vdekur në mënyrë të gabuar i riu, Erjon Çela.

Më tetor të vitit 2022, Indrit dhe Gentian Beqiraj dëshmuan në polici, se Kevin Zeneli dhe Ilirjan Feçi i kishin punësuar për të vrarë Geron Hasanbelliun dhe dy nipërit e tij në Tiranë.

Sipas tyre atentati do kryhej me porosi të Kasandër Nogës, dhe pas tërheqjes së tyre, krimin e mori përsipër Kevin Zeneli, i cili vrau gabimisht Erion Çelën dhe la të plagosur katër persona të tjerë në një lokal në zonën e ‘Don Boskos’.

23-vjeçari Kevin Zeneli, kishte shërbyer si kontraktor për vrasje të tjera.

Pas rrëfimit të tyre, policia e Durrësit e delegoi një pjesë të dosjes në Tiranë, ndërsa tjetrën dosje e ndau për të vazhduar hetimet në lidhje me një vrasje të ndodhur po në Durrës.

E për masakën e Don Boskos, doli sot Tonin Vocaj, veç për të deklaruar emrat e personave të dyshuar, ku vetëm disa janë të arrestuar dhe të tjerët kanë ikur në drejtim të paditur.

Mes të shpallurve në kërkim nga Vocaj ishte dhe Kasandër Noga, një emër i njohur i botës së krimit në Tiranë, dhe që vuan burgun në Bruksel, po për vrasje.

Historia e Kasandër Nogës dhe zinxhirit të hakmarrjes me vëllezërit Hasanbelliu vijonte që prej vitit 2001, kur ka ndodhur edhe vrasja e parë në afërsi të Sanatoriumit në Tiranë.

Kasandër Noga u arrestua disa vite më parë nga autoritete austriake, pasi ishte shpallur në kërkim nga policia belge, pasi bëri atentatin e radhës ndaj Erion Hasanbelliut në qendër të Brukselit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco