SYRI TV/ Skandali te varrezat e Tufinës, eshtrat e fëmijëve në paketime ëmbëlsirash

23:18, 23/02/2024
A+ Aa A-

 

Varrezat e Tufinës në kryeqytet fshehin një makth të vërtetë, me raste të shumta të zhvarrosjes së eshtrave, shitjes së tokave nga dy herë, por edhe një varr masiv me eshtrat e foshnjeve.

Emisioni investigativ “Piranjat” ka nxjerrë në pah trajtimin aspak dinjitoz që u bëhet të varrosurve.

Nga ana tjetër drejtoresha e Agjencisë së Shërbimit Funeral në Bashkinë e Tiranës krenohet në mënyrë absurd për punën e bërë.

SYRI TV

“Piranjat” e kanë nisur sezonin e ri me një investigim të fortë që duhet të ketë reagim të menjëhershëm nga institucionet. Varrezat e Tufinës fshehin një makth të vërtetë, pasi përveç zhvarrosjes dhe shitjes së tokave nga dy herë, ka dhe një varr masiv me eshtrat e foshnjeve.

Klodi, një shtetas 40-vjeçar denoncoi në emisionin “Piranjat” se nuk gjente varrin e vëllait të tij, që ndërroi jetë kur ishte 5 muajsh.

Të dhënat tregojnë se ka një mbivendosje varresh, duke zhvarrosur eshtrat e foshnjeve dhe duke shitur sërish tokën për një varr tjetër.

Por ky nuk është i vetmi rast, pasi të njëjtin problem e kanë edhe familje të tjera.

Por Klodi dyshon se eshtrat e të vëllait mund të jenë zhvendosur te muralja e fëmijëve, ndaj “Piranjat” shkuan drejt kësaj muraleje dhe pamja që shfaqet është horror.

Një kanal i betonuar me gjatësi rreth 40 metra konsiderohet murale, ndërsa është e dukshme prania e mbeturinave të shumta dhe asnjë lloj kujdesi.

Por me t’u afruar, duket se pllakat e betonit janë të thyera dhe skandali i vërtetë është brenda kësaj varreze masive.

Eshtrat e shumta të vendosura në paketime të tejdukshme ëmbëlsirash janë të hedhura pa kujdesin më të vogël mbi njëra-tjetrën. Pamja është e frikshme dhe vlen për t’u përmendur se një pjesë e mirë e këtyre kasketave janë të hapura.

Emrat e fëmijëve janë të shënuara me lapostil dhe në shumicën e rasteve shumë vështirë të dallueshme.

Megjithatë, ky skandal nuk është i vetmi, pasi në një sektor tjetër të kësaj varreze masive u gjetën të hedhura në qese mbeturinash, mbetje kockore të personave të rritur.

Dhjetëra trupa ishin të hedhur në qese pa kujdesin më të vogël.

Këto pamje makabre vërtetojnë përdhosjen e kujtimit të të vdekurve. Është jo vetëm e frikshme, por edhe revoltuese, sesi akte të tilla të mungesës së respektit ndaj atyre që nuk jetojnë më, kryhen nga punonjës bashke që paguhen nga taksat e qytetarëve.

Gazetari Eraldo Harlicaj pyeti drejtoreshën e Agjencisë së Shërbimit Funeral në Bashkinë e Tiranës, Raimonda Shino, e cila u krenua në mënyrë absurde për muralet.

Për më tepër, kjo ka ndodhur në një kohë kur premtimet dhe deklaratat e kryebashkiakut Veliaj ishin se banorët e Tiranës do të kenë trajtim dinjitoz edhe në jetën e përtejme.

Kjo ishte vetëm pjesa e parë e historisë, pasi vazhdimi i skandalit të varrezave të Tufinës do të vazhdojë në emisionin “Piranjat”.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco