SYRI TV/ Plehrat, ECO-ELB anulon monitorimin e ndotjes: Mosfunksionimi i inceneratorit po krijon bombë mjedisore

15:36, 21/02/2024
A+ Aa A-

Teksa mbetjet në Elbasan nuk digjen por janë duke u kthyer në një min me sahat, kompania e inceneratorit Eco-Elb ka anuluar një tender për monitorimin e mjedisit. Tenderi me vlerë 3 milion lekë është anuluar pasi asnjë kompani e specializuar nuk është ofruar për të monitoruar mjedisin në incenerator. Edhe në të shkuarën të gjithë tenderat e monitorimit të mjedisit nuk janë finalizuar, çka ngre dyshime se bashkia e Elbasanit nuk është e interesuar të monitorojë ndotjen që po shkaktohet nga mali i mbetjeve në incenerator.

Syri tv

Mosfunksionimi i inceneratorit të Elbasanit ka krijuar një bombë mjedisore. Fusha e mbetjeve thuajse është ezauruar plotësisht. Mungesa e përpunimit të tyre ka krijuar kodra të shumta me plehra, të cilat rrezikojnë seriozisht jetën dhe shëndetin e banorëve, sidomos atyre pranë zonës së landfillit. Ndërkohë, që kompania publike “Eco-Elb, e cila menaxhon vend-depozitimin e mbetjeve urbane në qarkun e Elbasanit nuk po kryen prej të paktën 6 muajsh monitorimin e nivelit të ndotjes në zonë. Katër tendera publikë, të zhvilluar në periudhën prej muajin Maj 2023 e në vijim, kanë dështuar.

Zyrtarisht, këto tendera janë anuluar për shkak të mungesës së ofertave nga kompanitë private të specializuara në monitorimin e cilësisë së ajrit. Por, të dhënat zyrtare tregojnë se edhe kompania “Eco-Elb” nuk duket shumë e interesuar për të kryer monitorimin e nivelit të ndotjes në zonën e landfillit. Të gjithë tenderat e shpallur me këtë objekt, kanë pasur të njëjtin fond limit, 3 milionë lekë të reja. “Eco-Elb” ka shpallur së fundmi një tender të pestë për monitorimin e ndotjes, gjithashtu me fond limit 3 milionë lekë të reja. Procedurat e mëparshme kanë dëshmuar se asnjë shoqëri private e specializuar nuk është e interesuar të ofrojë shërbimin e kërkuar nga “Eco-Elb” për atë vlerë financiare.

Shoqëria publike ka shpenzuar vetëm gjatë vitit 2023 mbi 1.3 milionë euro në tendera publikë, ku më shumë se gjysma e këtij fondi është përdorur për inceneratorin që nuk funksionon. Ndërkohë, “Eco-Elb” tregohet shumë e ngurtë në financimin e monitorimit të mjedisit, nëpërmjet të cilit do të dalë zyrtarisht niveli alarmant i ndotjes, i cili shihet me sy të lirë dhe ndihet lehtësisht nga banorët e zonës së landfillit, por edhe të të gjithë Elbasanit. Për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Elbasanit iu dhanë mbi 22 milionë euro kompanisë koncesionare “Albtek Energy”. Në dhjetor të vitit 2021, investimi publik u mor në dorëzim nga kompania publike “Eco-Elb”.  Që prej asaj kohe, inceneratori ka funksionuar vetëm pak ditë, për shkak të problemeve të theksuara teknike, ndërkohë që nuk ka gjeneruar asnjë kilovat orë energji elektrike në rrjetin publik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco