Plagosja e Selami Brahimit/ Konflikti u ndez nga një vdekje brenda familjes

10:38, 12/02/2024
A+ Aa A-

Policia vendore e Shkodrës ka zbardhur plagosjen e shtetasit Selami Brahimi, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 8 shkurt në lagjen “Xhabiej”.

Mësohet se autori i plagosjes, shtetasi Sulejman Kapllani, 68 vjeç është xhaxhai i gruas i të plagosurit. Kështu, Kapllani tentoi që të vrasë dhëndrin e shtëpisë, 60-vjeçarin Selami Brahimi.

Sipas burimeve në rrugë operative që ka marrë policia vendore e Shkodrës, edhe pse të afërm, ata kanë pasur konflikte prej vitesh, të cilat janë rindezur pas një vdekje brenda familjes.

68-vjeçari dyshohet se ka qëlluar nga një automjet tip Skoda Fabia ngjyrë e bardhë, të cilën e kishte marrë me qira në aeroportin e Rinasit kur ka ardhur drejt Shqipërisë duke qenë se jeton në Itali.

Ky automjet, pas ngjarjes, nga këqyrja e kamerave të sigurisë, u gjet i parkuar në lagjen “Rus” në Shkodër dhe brenda saj edhe arma e zjarrit automatik kallashnikov. Brenda mjetit janë gjetur edhe 8 gëzhojat e automatikut, ndërsa një gëzhojë u gjet në vendin e ngjarjes, e cila është e njëjtë më gëzhojat brenda automjetit, provë e cila çoi në zbardhjen e kësaj ngjarje.

Shtetasi Sulejman Kapllani mësohet se u arrestua në Gjermani, por nuk u ekstradua menjëherë pasi është një shtetas me dokumentacione italiane dhe shteti gjerman kërkoi vendim nga një gjykatë shqiptare.

Një ditë më parë gjykata e shkallës së parë në Shkodër vendosi për ekstradimin e 68 vjeçarit nga Gjermania drejt Shqipërisë dhe tashmë pritet ardhja e tij drejt vendin tonë si person i dyshuar për plagosjen. Shtetasi Sulejman Kapllani njihet si person me precedent dhe rrezikshmëri në Itali ku jeton, ndërsa i plagosur Selami Brahimi ka qenë i dënuar në Zvicër për lëndë narkotike për disa vite kohë më parë.

Por cili është konflikti mes këtyre të afërmve? 

Shtetasi Musa Kapllani është vjehrri i të plagosurit Selami Brahimi dhe u nda nga jeta në janar të këtij viti, por edhe vëllai i autorit të dyshuar Sulejman Kapllani. Gjithçka nisi pas kësaj vdekjeje. Musa Kapllani, që prej vitit 2013, nuk fliste me dy vëllezërit e tij. Në 2013-ën vëllai i vogël Bërhan Kapllani vrau në Itali ish-bashkëshorten e tij Orjeta Boshi dhe të dashurin e saj Shpëtim Hana, ndërsa u dënua nga shteti italian me burgim të përjetshëm.

Që prej asaj kohe Musa Kapllani ka ndërprerë marrëdhëniet me dy vëllezërit, Sulejmanin, autori i dyshuar i plagosjes dhe Bërhanin, që u dënua për vrasjen e ish-bashkëshortes dhe një personi tjetër.

Pas vdekjes së Musa Kapllanit, familja e këtij të fundit nuk shkroi në letrën e njoftimit të vdekjes emrat e dy xhaxhallarëve, Bërhanit dhe Sulejmanit. Ky i fundit nga Italia ka debatuar lidhur me këtë çështje duke mos e pranuar dhe duke u ndjerë i fyer, debat në të cilin është përfshirë edhe i plagosuri.

Ky konflikt nuk është shuar mes tyre por ka agravuar. Më 5 shkurt të këtij viti, autori i dyshuar ka ardhur nga Italia drejt Shqipërisë, ndërsa në Rinas mori me qira makinën, nga e cila kreu krimin mbrëmjen e 8 shkurtit.

68-vjeçari Sulejman Kapllani dyshohet se qëlloi me 10 plumba në drejtim të dhëndrit të mbesës së tij, Selami Brahimi, i cili mori një plumb në fytyrë dhe shpëtoi mrekullisht.

Autori mësohet se ka pritur rreth një orë derisa Brahimi erdhi tek lokali i tij dhe, sapo la mbesën e vogël në një pallat, qëlloi në drejtim të 60-vjeçarit.

Pasi kreu atentatin, 68-vjeçari u largua përmes doganës së Hanit të Hotit drejt aeroportit të Podgoricës dhe nga aty në Berlin të Gjermanisë ku edhe u arrestua. Tashmë pritet ekstradimi nga autoritetet gjermane pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë në Shkodër.

I plagosuri nuk ka pranuar të rrëfejë ngjarjen, duke thënë se nuk e kanë idenë se kush janë autorët dhe se nuk ka asnjë konflikt me askënd, ndërsa pritet se cila do të jetë dëshmia e Sulejman Kapllanit si autor i dyshuar.

Kjo është pista kryesore ku po heton policia përmes informacioneve në rrugë operative sepse deri më tani as të afërmit e tjerë që kanë dijeni dhe janë marrë në pyetje nuk kanë pranuar të dëshmojnë këtë konflikt për efektivët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco