SYRI TV/ Vrasja e Edmond Papës, mbyllen hetimet. Nën akuzë për vrasje me paramendim 2 persona

15:02, 08/01/2024
A+ Aa A-

 

Dosja e vrasjes së biznesmenit  Edmond Papa që dyshohet për hakmarrje mbërrin në Gjykatën e Tiranës. Prokuroria mbylli hetimet duke çuar kërkesën për nisjen e gjyqit në ngarkim të autorëve të dyshuar Andre Bode e Albano Velos, të afërm të Aleksandër Sadikajt që u eliminua me eksploziv disa muaj para Papës në Sauk. Pikërisht për hakmarrje ndaj vrasjes së Sadikajt dyshohet të ketë ardhur edhe atentati që i mori jetën biznesmenit nga Saranda.

SYRI TV

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar në gjykatë dosjen ndaj Andrea Bodes dhe Albano Velos, dy autorëve të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Edmond Papa.

Ky i fundit u ekzekuta në Tiranë më 16 dhjetor 2022 dhe dyshohet për krim hakmarrjeje lidhur me vrasjen e 27-vjeçarit Aleksandër Sadikajt në SAUK me eksploziv, më 11 qershor 2022.

Ndaj kunatit të Aleksandër Sadikajt, Albano Velos dhe të pandehurit tjetër Andrea Bode, që rezultojnë të afërm me Sadikajn, rëndon akuza e vrasjes me paramendim.

Organi i akuzës në kryeqytet ka ndarë një procedim penal për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në vrasjen e Papës.

Velo u arrestua nga policia më 31 dhjetor 2022 në aeroportin e Rinasit, teksa kthehej nga Franca ku kishte shkuar katër ditë pas ekzekutimit të Edmond Papës.

Policia ra në gjurmët e tij nga verifikimet që u bënë në disa kamera sigurie të cilat e kanë fiksuar në zonën ku lëvizte shënjestra dhe për të cilën dyshohet se e mbante nën vëzhgim, ndërsa Bode dyshohet si ekzekutori.

Kamerat zbërthyen gjithashtu edhe veprimet e autorëve të krimit, momentin e largimit nga vendi i ngjarjes, si dhe atë të ndarjes në zonën e Astirit, ku Bode merr taksi për të vajtur në banesën e tij në periferi të Tiranës, ndërsa Velo largohet me automjetin që drejtohej prej tij. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco