VIDEO/ Shqipëria pa vend ekspertimi të farave të Kanabisit, ‘farat e spinaqit’ dënojnë qytetarin

20:52, 01/12/2023
A+ Aa A-

Piranjat rikthyen sërish në vëmendje problemin me ekspertimin e farave të kanabisit në Shqipëri. Duke pare se rastet e kapjes dhe sekuestrimit shtoheshin vit pas viti, lindi nevoja e një strukture për ekspertimin e këtyre farave, dhe Prokuroria e Përgjithshme, kërkoi ndihmë në Ministrinë e Bujqësisë.

Dhe kjo e fundit, cakton një drejtori te specializuar pranë QTTB Fushë-Krujë.

Por çfarë ndodhi me pas. Për shkak të një rikonstruksioni në këtë strukture, në mars të vitit 2021, titullari Ilir Salillari, u çoi shkresë 4 QTTB-ve të tjera të njëjta me institucionin që drejtonte që të nisnin ekspertizën e farave të dyshuara si kanabis.

Pas këtij urdhri absurd, vetëm dy QTTB pranuan të bashkëpunojnë me prokurorinë, Vlora dhe Lushnja. Vlora u tërhoq menjëherë. Mbeti vetëm Lushnja. Për të parë nga afër se si ishin procedurat e nga marrja në dorëzim e farave e deri në mbjelljen e tyre, në mars të vitit 2022, kolegia Aida Topalli do të hynte në këtë QTTB. Dhe aty zbuluam të vërtetën e sigurisë në të cilën gjendeshin provat e prokurorisë.

Ministrja e atëhershme e Bujqësisë, Frida Krifca, menjëherë pas publikimit nga ana jone do t’i dërgonte ketë shkrese kryeprokurorit Olsian Çela, ne te cilën i kërkon nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi nder -institucionale, me objekt bashkëpunimin për kryerjen e procesit e mbjelljes dhe rritjes se bimëve te kanabisit.

Shkresa mban datën 15 Mars 2022. Që atëherë ka kaluar më shumë se një vit e gjysëm. A është nënshkruar kjo marrëveshje që do të çonte në ekspertimin brenda ligjit te farave të dyshuara si kanabis?

Për këtë iu drejtuam me një shkresë Prokurorisë se Përgjithshme, e cila na informon se sipas marrëveshjes me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që pas datës 27 mars 2023, kultivimi dhe ekspertimi i farave dhe fidanëve të bimëve të dyshuara si narkotike kryhet nga Instituti i Policisë Shkencore.

Pra me 27 mars 2023, plot një vit më pas. Një kohë tepër e gjatë, por më mirë vonë se kurrë. Dhe ne i kërkojmë një kopje të kësaj marrëveshjeje. Për çudinë tonë përgjigja që na vjen, vetëm serioze nuk mund të konsiderohet. Pasi në shkresën që mban datën 20 tetor ishim informuar se ishte arritur një marrëveshje mes Prokurorisë se Përgjithshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë për ekspertimin e farave dhe fidanëve të bimëve të dyshuara si narkotike...

Vetëm 10 ditë më vonë, me një tjetër shkrese zyrtare na mohohet një fakt i tillë. Në këtë shkresë, Prokuroria e Përgjithshme na sqaron se nuk na kishte konfirmuar në asnjë rast që të kishte një marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Më poshtë në shkresë, na sqarohet që ka një korrespondencë me anë të së cilës është arritur një marrëveshje për administrimin e procesit. Përveçse morëm dy shkresa që kundërshtojnë njëra-tjetrën, kuptuam diçka, që prokuroria dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë paskan korrespondencë me qëllim arritjen e një marrëveshjeje. Një tjetre e hollë fjalësh, e denjë për Oscar.

E ndërsa palët po bëjnë korrespondence, ajo që dihet me siguri është se në këtë moment, asnjë institucion i shtetit shqiptar, nuk kryen ekspertim për farat dhe bimët e dyshuara si kanabis sativa...

Rasti i fundit është Zamir Malaj, i cili është arrestuar nga Policia 2 muaj më pare për 6 bimë kanabis sativa dhe 3100 fara spinaqi. Ai momentalisht është me arrest shtëpie dhe po vuan masën e tij në fshatin Cakran të Fierit.

‘Kam këtu prej dy muajsh. Policia erdhi dhe më arrestoi për 6 bimë kanabis që i kishte mbjellur nëna. Nuk di asgjë për ta. Më arrestuan dhe për 3100 fara medemek kanabisi, por ata janë spinaqi.

‘Ua thashë dhe atyre që janë fara spinaqi. Nuk e di a kanë bërë ekspertizë a jo, por di që spinaqi në token time ka mbirë dhe po bëjmë byrek me të’.

Ne nuk e dimë nëse Zamiri po thotë a jo të vërtetën, por e dime me siguri që ngërçi për farat e kanabisit, bën që persona të akuzuar si Zamiri të qëndrojnë me të drejtë, ose të padrejtë në ‘stand by’.

EMISIONI I PLOTE:

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco