Gjykata e Vlorës vendos ndarjen e çështjes për ish-policin që vrau në Potam Jonada Avdinë, flet gjyshi i 7-vjeçares

Gjykata e Vlorës vendos ndarjen e çështjes për ish-policin që vrau në Potam Jonada Avdinë, flet gjyshi i 7-vjeçares

14:56, 01/12/2023
A+ Aa A-

Pas shtyrjes së shtatë seancave paraprake Gjykata e Vlorës ka vendosur ketë të premte ndarjen e çështjes për ngjarjen e ndodhur në gusht të vitit 2022, ku mbeti e vrarë nga skafi vogëlushja Joana Avdia.

Gjykata ka vendosur që Arjan Tase, ish-punonjësi i policisë që shkaktoi tragjedinë të gjykohet veçmas nga 8 punonjësit e Policisë së Himarës të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

I pranishëm në seancën gjyqësore ishte gjyshi i vogëlushes Ismet Avdia, i cili ka kërkuar që drejtësia të bëjë punën e saj.

"Unë jam Ismet Avdiaj, gjyshi i Jonadës. Është hera e shtatë, pas këtij kalvarit gjatë arritëm të zhvillonim një seancë gjyqësore. Ndarja kërkohet për të lehtësuar sa më shumë palët të cilët në një koordinim së bashku, se asgjë nuk ka ndodhur rastësisht… ata që akuzohen janë punonjës shteti. Natyrisht që avokatët e tyre kërkojnë masa lehtësuese, e shkon aty ku këta njerëz të shtetit që merrnin rrogë për të siguruar jetën e qytetarëve. Të gjithë ata që ndodhen përreth tij janë përgjegjës ligjor. Unë kërkoj mbështetjen e mediave, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për mbesën time Jonadën, që ngjarje të tilla të mos ndodhen më”, u shpreh gjyshi i vogëlushes që humbi jetën nga ngjarja tragjike.

I pranishëm ishte dhe avokati Adriatik Lapaj, i cili ka kërkuar sensibilizim për ngjarjen e rëndë.

Sot ishte seanca e shtatë paraprake pas shtyrjeve për arsye të ndryshme ndërsa tashmë gjykimi i palëve do të vijojë i ndarë.

Një vit më parë në plazhin e Potamit të Himarës, më 2 gusht 2022, 7-vjeçarja Jonada Avdia humbi jetën tragjikisht teksa po lahej në bregun e detit, pasi u godit nga një gomone, e cila në kundërshtim me rregullat, po lundronte brenda kordonit të sigurisë. Tragjedia u shkaktua nga polici Arjan Tase, i cili po lundronte në mes të pushuesve teksa po laheshin dhe për shkak të një manovre të gabuar i mori jetën të miturës. Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan.

Familja Avdia, me origjinë nga Tropoja, kishte ardhur për pushime në atdheun e tyre, pasi prej vitesh jetonin në Angli.

Tragjedia solli reagimin e gjithë opinion publik, ku disa ditë me radhë u zhvilluan edhe protesta. Kjo tragjedi solli edhe reagimin e policisë, e cila bllokoi të gjitha mjetet lundruese në të gjithë vijën bregdetare, ndërsa edhe këtë vit kontrollet dhe ndëshkimet për drejtuesit e mjeteve lundruese që shkelin rregullat janë shtuar dhe ka një kontroll të imtësishëm nga policia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco