'Të vranë duke u kthyer nga puna'/ Postimi prekës i pedagoges për 22-vjeçaren

'Të vranë duke u kthyer nga puna'/ Postimi prekës i pedagoges për 22-vjeçaren

10:21, 22/06/2023
A+ Aa A-

Arsimtarja Eva Allushi ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të 22-vjeçares Erisa Aliaj, e cila u përplas për vdekje nga një makinë me shpejtësi në qytetin e Durrësit.

Allushi e cila ishte dhe pedagogia e 22-vjeçares, përmes një postimi në rrjete sociale ka prekur me fjalët e ndjera për viktimën.

Ajo e cilëson 22-vjeçaren si një studente ekselente e cila kishte shumë shpresa për jetën dhe spikaste në grupin ku bënte pjesë. Sipas pedagoges, studesntes iu mor jeta në mënyrë shumë të padrejtë teksa kthehej nga puna me të cilën përballonte jetesën.

Në lidhje me ngjarjen u arrestua drejtuesi i mjetit, shtetasi Indrit Uka, i cili e përplasi vajzën në fjalë teksa ishte duke kaluar rrugën.

POSTIMI I PLOTE

Erisa po pse ike kaq shpejt moj zemër?! Po ti ishe si dritë. Ndriçoje në grup e në fakultet. Nuk e dije ti që jeta në këtë vend nuk vlen fare?! Nuk ta kishim thënë as ne, pedagogët e tu. Po ti nuk kishe kohë të merreshe me këto. Ti i kishe dalë jetës tënde për zot. Studioje e punoje o shpirt. E kishe zgjedhur dhe temën e diplomës për të drejtat e femijëve përballë abuzimit të medias.

Do të kishe qenë nje profesioniste e zonja shumë. Po nuk të lanë. Nuk zgjodhe të ikje. Ta morën jetën teksa ktheheshe nga puna moj zemër. Na trondite shumë të gjithëve ne, profesorëve e shokëve të tu.

Nuk desha ta lexoja atë lajm që bënte fjalë për një 22 vjeçare në Durrës, po zemra e ndjeu teksa mendova për studentët e mi. Nuk e mbylle dot as diplomën e as masterin. Pate jetë të shkurtër, po plot dinjitet.

Të prehesh në paqe! Ndriçofsh si yll nga lart për familjen tënde, miqtë e shokët!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco