Prokuroria pezullon hetimet për vdekjen e 4 rusëve/ Në pritje të përgjigjes së letërporosisë nga Moska

Prokuroria pezullon hetimet për vdekjen e 4 rusëve/ Në pritje të përgjigjes së letërporosisë nga Moska

08:28, 29/05/2023
A+ Aa A-

Prokuroria e Durrësit pezulloi hetimet e për vdekjen e 4 shtetasve rusë në saunën e një hoteli në zonën e Qerretit, ngjarje e ndodhur më 15 Tetor 2021.

Shkak për pezullimin e hetimeve janë bërë letërporositë që autoritetet shqiptare kanë dërguar në vendlindjen e turistëve. Burime bëjnë me dije se nga pala ruse nuk ka ende asnjë përgjigje sa i takon të shkuarës së 4 personave që humbën jetën. Konkretisht, të Natalia Burenkovës 58 vjeçe, Sergei Burenkovës 60 vjeç, Nikita Belousov 37 vjeç dhe Ekaterina Burenkova 31 vjeçe.

Trupat e pajetë të 4 turistëve u gjetën nga stafi i hotelit ku ata ishin akomoduar së bashku me pjesën tjetër të grupit që gjithashtu kishin ardhur për të vizituar për disa ditë Shqipërinë. Dyshimet e grupit hetimor janë se vdekja e tyre ka ardhur si pasoje e asfiksisë brenda saunës së hotelit. Megjithatë, pavarësisht disa pistave hetimore, rrethanat dhe dinamika e ngjarjes së rëndë është e mbushur ende me shumë mistere.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi më 15 tetor 2021 në pishinën e mbyllur të një hoteli në Qerret, Kavajë, ku u gjetën të vdekur Sergei Burenkov, 60 vjeç, gruaja e tij Nataliia Burenkova, 58 vjeçe, vajza Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe dhe dhëndri Nikita Belousov, 37 vjeç. Fillimisht u dyshua se 4 rusët humbën jetën nga helmimi prej klorit në pishinë, por kjo pistë u rrëzua më vonë. Sipas aktekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore të administruar nga Prokuroria rezulton se ata ndërruan jetë nga asfiksia nga dyoksidi i karboni.

Sergei Burenkov, rezulton se në vitin 2015 ka shërbyer si kolonel Policie brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Federatës Ruse ose ndryshe Komandant i Forcave OMON në zonën e Irkuyskut. Hetimet janë në vazhdim, por pritet përgjigja e letërporosisë nga rusët, ndaj hetimet janë pezulluar përkohësisht”, konfirmojnë burime nga grupi hetimor. Akuza shqiptare ka kërkuar informacion përmes letërporosisë mbi të kaluarën e shtetasve rusë që u gjetën pajetë në vjeshtën e vitit 2021, si dhe rezultatet e autopsisë së tyre, përfshirë dhe informacione të tjera që mund të ndihmojnë hetimin dhe zbardhjen e vdekjes së dyshimtë.

Dëshmia

Një prej recepsionistëve të hotelit ishte dëshmitari i parë i skenës tronditëse dhe gjeti të pajetë turistët rusë. Në dëshminë e tij, recepsionisti ka thënë para hetuesve se ka qenë ora rreth 22:30 kur ai ka shkuar në zonën e saunës, ku ishin 2 çiftet, ndërsa i ka thirrur disa herë për t’i njoftuar se pijet dhe frutat iu kishin shkuar në dhomë. “Iu thirra disa herë se pijet dhe frutat ishin gati. Pasi nuk mu përgjigj njeri, hyra brenda në sauna dhe i pashë të katër, nuk mu përgjigjën. Njëri ishte i shtrirë në shezlong, dy në stol dhe një tjetër ulur me këmbët në pishinë. Ishin të asfiksuar”, mësohet të jetë shprehur punonjësi i hotelit.

Dyshimet

Dyshimi kryesor mbetet vdekja nga asfiksia në prani të një substance ende të papërcaktuar nga hetimet e deritanishme. Disa javë pas ngjarjes u krye dhe një eksperiment hetimor në ambientet e SPA-së së hotelit dhe pikërisht në zonën e pishinës ku u gjetën të vdekur katër rusët. Sipas mjekësisë ligjore, vdekja e njëkohshme e Sergeit, Natalisë, Ekaterinës dhe Nikitës ka ardhur nga asfiksia, po pa arritur të përcaktohet se nga cilat shkaqe u shkaktua ajo që të çonte në reagim të njëjtë te 4 rusët. Gjatë hetimit, punonjësi i mirëmbajtjes Ndriçim H. Pati deklaruar se kishte hedhur sasinë e zakonshme për klorifikimin e ujit.

Gjatë eksperimentit, u synua krijimi i të njëjtave kushte në ambientet e pishinës, e njëjta nxehtësi dhe sasi e nivelit të klorit në ujin e saj për të kuptuar reaksionet e mundshme kimike, për të sqaruar dyshimet nëse krijoheshin kushtet nga këta faktorë për të çuar në asfiksi vdekjeprurëse për 4 persona njëkohësisht. Të premten e 15 tetorit 2021, rreth orës 10 të mbrëmjes, 4 turistët rusë pasi u kthyen nga një vizitë në Ohër, patën zbritur në katin e nëndheshëm të hotelit për t’u larë në pishinë. Ata e kishin rezervuar këtë shërbim më parë me telefon. Gjatë hetimeve të para, mjekësia ligjore pati përjashtuar dyshimet se viktimat kishin përdorur lëndë psikotrope. Në pritje të përgjigjes nga Rusia, hetimet për këtë vdekje të mistershme do të qëndrojnë përkohësisht të pezulluara.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco