Borxhet e Zotos lënë 6 muaj pa rrogë punonjësit e inceneratorit të Fierit

Borxhet e Zotos lënë 6 muaj pa rrogë punonjësit e inceneratorit të Fierit

11:17, 27/05/2023
A+ Aa A-

Boldnews.al

Punonjësit e inceneratorit jo-funksional të Fierit kanë bllokuar punimet, pasi kanë rreth 6 muaj që nuk marrin pagat. Ndërkohë, ata gjenden nën presionin e Farudin Arapit, administratorit shtetëror të kompanisë koncesionare, “Integrated Technology Waste  Treatment Fier” për të rinisur punën.

Ky është pak a shumë thelbi i denoncimit të deputetit të Partisë Demokratike, Luan Baçi, publikuar pasditen e së enjtes në rrjete sociale.

“Boldnews.al” ka siguruar dokumenta zyrtare, në të cilët konfirmohet se një përmbarues privat ka bllokuar kontot bankare të kompania koncesionare, e cila është gjithashtu nën sekuestro, për llogari të një gjykimi penal që ka nisur në Gjykatën e Posaçme.

Në 18 prill 2023, zyra përmbarimore “Real Bailiff Service” ka urdhëruar vendosjen nën sekuestro të kompanisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Tiranës, miratuar në mars të këtij viti.

Image

Në foto: Urdhri për sekuestrimin për shkak të borxheve të kompanisë “Integrated Technology Waste Treatment", Fier

Sipas atij vendimi, kompania koncesionare duhet të shlyejë të paktën 18 fatura, të lëshuara në periudhën 2018-2020, për llogari të kreditorit “Altea & Geostudio”.

Në kohën e lëshimit të këtyre fatura, kompania koncesionare administrohej nga Klodian Zoto, i cili zotëron 70 përqind të aksioneve të shoqërisë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Infrastrukturës, ka kryer të gjitha pagesat në llogarinë e Zotos për ndërtimin e landfillit dhe impiantit të përpunimit të mbetjeve në Fier.

Po ashtu, administratori shtetëror, Farudin Arapi, i caktuar në këtë detyrë në dhjetor të vitit 2021, gjithashtu ka konfirmuar se pagesat janë kryer dhe impianti i incenerimit të mbetjeve, i cili përbën fazën e fundit të veprës publike, është gati për të nisur funksionimin.

Por, përtej këtyre deklaratave dhe pagesave të kryera për landfillin e Fierit, sërish kompania koncesionare ka borxhe të pashlyera, të cilat rëndojnë mbi punonjësit e thjeshtë.

Skandali i inceneratorit Fier

Këshilli Bashkiak i Fierit, me propozimin e kryetarit të Bashkisë, Armand Subashi, shpall “gjendjen e emergjencës mjedisore” me Vendimin nr. 40, dt. 26.10.2015.

Vendimi i Këshillit Bashkiak mbështetet në Vendimin e paligjshëm të Komitetit Ndërministror të Menaxhimit të Mbetjeve, dt. 05.02.2014 “Për shpalljen e fillimit të emergjencës mjedisore në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Shoqëria “Buidling Construction & Green Energy” ka aplikuar, nëpërmjet procedurës së “propozimit të pakërkuar” për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Fierit dhe prodhimin e energjisë duke depozituar një projekt teknik, financiar dhe mjedisor pranë Ministrisë së Mjedisit.

Kompania, në momentin e aplikimit, ka pasur aksionere (fiktive), shtetasen Sevi Zani, një juriste në kompaninë “Integrated Technology Service”, në pronësi të Klodian Zotos.

Po ashtu, projekti Teknik i “propozimit të pakërkuar” ishte realizuar nga “Integrated Technology Service” dhe “Energy 2” srl.

Ministria e Mjedisit, nën drejtimin e Lefter Kokës, nis procedurat për dhënien me koncension të impiantit të përpunimit të mbetjeve në Fier.

Ministri i Financave i kohës, Shkëlqim Cani, në janar 2016, shprehet parimisht dakord për procedurën e propozuar nga Lefter Koka. Megjithatë, ministri Cani ka shprehur rezervat e tij lidhur me subjektin dhe seriozitetin e investimit të tij, pasi ky projekt-propozim duhet të shoqërohet edhe me një relacion shpjegues për statusin juridik të shoqërisë dhe kapacitetin e saj për ta realizuar projektin.

Ministri i Financave pasardhës, Arben Ahmetaj, në qershor 2016, ka konstatuar se projekti koncesionar është i përballueshëm ekonomikisht nga Autoriteti Kontraktor, duke u shprehur kështu për rrjedhojë në parim dakort me vijimin e procedurave të mëtejshme koncesionare.

Në shtator 2016, Ministria e Mjedisit, nëpërmjet sistemit të Agjencisë së Prokurimit Publik, ka bërë thirrjen për kontratë të punëve publike me objekt “Dhënien me koncesion të ndërtimit dhe administrimit të impjantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Fierit dhe prodhimin e energjisë (kontratë e formës Build Operate and Transfer)”.

Image

Në foto: Komunikimet ndërinstitucionale për inceneratorin Fier

Kompania që paraqiti “propozimin e pakërkuar” përfiton një bonus prej 8 përqind të pikëve, duke qenë më e favorizuar në procedurën për dhënien me koncension.

Në përfundim të procedurave, fituese shpallet bashkimi i operatorëve “Integrated Technology Service” & “Energy 2” srl, të njëjtat që kishin hartuar projektin Teknik të “propozimit të pakërkuar”.

Në mënyrë të çuditshme, kompania që kishte paraqitur propozimin e pakërkuar për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve në Fier, “Buidling Construction & Green Energy”, nuk merr pjesë në tender, megjithëse kishte përfituar paraprakisht edhe bonusin qeveritar.

E vetmja kompani që paraqitet në garë dhe që është fituesja e koncensionit me kosto 28 milionë euro është bashkimi operatorëve: “Integrated Technology Services & Energy 2”, të cilat krijuan kompaninë koncensionare “Integrated Technology Waste  Treatment”, Fier.

Image

Në foto: Faqja e parë e kontratës koncesionare për inceneratorin e Fierit

Pas krijimit të kompanisë koncensionare, ortaku “Energy 2” srl i shet aksionet shoqërisë “Ndërtim Montim Patos”, e cila kishte fitim rreth 45 milionë lekë të reja. Ndërkohë, ortaku tjetër, “Integrated Technology Service” e Klodian Zotos kishte fitim minimal, të pallogaritshëm.

Pra, koncensionari, me mundësi financiare 45 milionë lekë dhe tërësisht pa përvojë në fushën e përpunimit të mbetjeve, fitoi kontratën koncensionare me vlerë rreth 28 milionë euro.

Pamundësia financiare e kompanisë koncensionare zbulohet qartësisht nga një detaj financiar.

Pasi fitoi kontratën, koncensionari “Integrated Technology Waste  Treatmen Fier” merr një kredi të madhe bankare, duke vendosur si kolateral pikërisht kontratën koncensionare.

Kompania koncensionare, e cila merrte përsipër të realizonte ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve në Fier me fondet e saj, nuk kishte asnjë mundësi reale financiare.

Edhe në këtë rast, procedura e ndjekur nga autoritetet shtetërore është e shoqëruar me shkelje flagrante të ligjit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim me objekt “Performancën e impiantit të përpunimit të mbetjeve, Qarku Fier”, botuar në vitin 2018, ka konstatuar një seri parregullsish proceduriale.

Sipas KLSH-së, operatori ekonomik fitues nuk plotëson kushtet teknike dhe kapacitetet e nevojshme për të kryer investimin.

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), në dhjetor të vitit 2022, përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim disa ish-zyrtarë të lartë dhe biznesmenë, të dyshuar si të përfshirë në atë që konsiderohet si “afera e inceneratorit Fier”.

Në kuadër të atij hetimi, janë marrë të pandehur ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka; ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Lefter Koka, ish-anëtarët e komisionit të koncesionit; biznesmeni Klodian Zoto dhe bashkëpunëtorët e tij Arjola Kodra, Arenc Myrtezani, Loran Dusha dhe Xhuzepe Ciafagflione.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco