SYRI TV/ Vodhi një biçikletë në Tiranë, vdes në qeli 38-vjeçari Renalto Tahiri

09:03, 05/04/2023
A+ Aa A-

Ishte arrestuar për vjedhjen e një biçiklete në Tiranë, ndërron jetë në rrethana misterioze 38-vjeçari Renalto Tahiri. Familjarët pretendojnë se ngjarja është mbajtur e fshehtë për dy ditë, ndërsa autoritetet thonë jozyrtarisht se i riu vdiq të hënën. Gjithashtu qëndrimet e tyre ndahen edhe për vendin ku ka ndërruar jetë. Nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ende nuk ka një përcaktim të shkaqeve të vdekjes

SYRI TV

Renalto Tahiri, 38 vjeç, ka ndërruar jetë pranë ambienteve të burgut ‘302’ në "Mine Peza", pasi ishte arrestuar nga shërbimet e komisariatit nr. 3 për vjedhjen e një biçiklete.

Rrethanat e ngjarjes së rëndë, e cila nuk është raportuar zyrtarisht nga autoritetet, mbeten të paqarta. Burime nga policia e kryeqytetit bëjnë me dije se i riu është arrestuar të premten e kaluar, si autor i vjedhjes së një biçiklete, ndërsa pretendojnë se Tahiri ka ndërruar jetë të hënën.

Ndryshe pretendojnë familjarët e të ndjerit, të cilët jashtë kamerave, thonë se 38-vjeçari ka vdekur brenda qelisë të shtunën, vetëm 24 orë pas arrestimit, dhe ata e kanë mësuar lajmin të hënën. Ata shtojnë se kanë tentuar ta takojnë dhe t’i dërgojnë ushqim dhe veshmbathje gjatë fundjavës, por nuk janë lejuar.

Burime nga shërbimi i Drejtorisë së Burgjeve, ndryshe nga sa pretendojnë familjarët, thonë se Tahiri pasi ka shfaqur probleme shëndetësore, është dërguar në spitalin e burgut ku edhe ka ndërruar jetë. Trupi i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e vdekjes, ndërsa ende nuk kanë dalë konkluzionet e saj, ç’ka ka lënë në mister vdekjen e të riut.

Familjarët thonë se djali i tyre nuk ishte problematik, dhe procedimet e ngjashme kishin ardhur për shkak të varësisë që kishte ndaj narkotikëve. I ndjeri jetonte me familjen në zonën e “Brrakës”, ku dy muaj më parë ishte rikthyer në Shqipëri nga emigrimi i përkohshëm jashtë vendit.

Familja e Renalto Tahirit hapi të hënën dyert e mortit, ndërsa mesditën e kësaj të marte është përcjellë për në banesën e fundit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco