INVESTIGIMI/ Si po 'vdesin' spitalet e rretheve, kur pikturat konsiderohen 'rikonstruksion'

INVESTIGIMI/ Si po 'vdesin' spitalet e rretheve, kur pikturat konsiderohen 'rikonstruksion'

08:30, 01/04/2023
A+ Aa A-

Fatimja, pret të bëhet nënë. Ashtu sikurse 35 mijë banorë të Mallakastrës edhe gruaja duhet ta ndjekë cdo shqetësim shëndetësor në spitalin bashkiak “Sherif Klosi”. Por edhe ky spital, si çdo spital tjetër bashkiak pritet të zvogëlohet në shërbimet mjekësore që ofron, për shkak të tkurrjes së popullsisë.  Sakaq çifti ka planifikuar që ta sjellë në jetë fëmijën në një spital tjetër.

“Këtu mungojnë shumë gjëra. Për një kohë mungonte ekoja dhe kur doja të bëja një konsultë për shëndetin e fëmijës tim ishte e prishur. Të paktën kështu më thanë.” shprehet e reja për Sinjalizo

Sipas informacioneve të pohuara në kushtet e anonimitetit nga personeli mjekësor brenda spitalit, pritet që shumë shpejt materniteti të dalë jashtë funksionit për shkak të mungesës së lindjeve.

“Nuk ka lindje dhe na është komunikuar që do të shndërrohet në një konsultë shëndetësore.”- pohon njëri nga mjekët e spitalit.

Një tjetër arsye që po e çon drejt mbylljes maternitetin është ajo e mungesës së personelit. “Në maternitet mungon anestezisti, duhet të vijë nga Fieri në rast se ka një lindje. Pra duhet të lajmërohet paraprakisht. Por, kjo gjë është e pamundur, se mund të ndodhë që kam lindje të parakohshme, atëherë çdo ndodhë me mua e foshnjën time?! Do vdesim të dy duke pritur anestezistin?”- tregon zonja Fatime, që është në muajin e pestë të shtatzanisë.

Fatimja shprehet se për shkak të këtyre problemeve që i kanë shkaktuar frikë, lindjen e ka të planifikuar ta realizojë në spitalin e Fierit.

“Do lind në spitalin e Fierit. Në maternitetin këtu bëj vetëm konsultat bazike. Të gjitha të tjerat i ndjek në Fier.”- përfundon rrëfimin e saj Fatimja, që është në pritje për tu bërë nënë për herë të dytë.

Mungesën e personelit mjekësor e përforcon dhe një obstetër-gjinekolog që punon në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Sipas tij, faktorët kryesorë se pse gratë shtatzana zgjedhin të lindin në spitalet rajonale si Durrësi, Tirana etj, lidhen me mungesën e stafit.

“Mungesa e një anestezisti është faktori primar që dërgon nënat të drejtohen në spitalet rajonale. Kjo se një gjinekolog nuk mund të hyjë në sallë pa një anestezist për shkak se gjatë lindjes mund të dalin komplikacione të pa planfikuara më parë. Një tjetër element është mungesa e një obstetëri që i detyron këto nëna të shkojnë për lindje në spitalet rajonale.”

Të njëjtin shqetësim shkruan në platformën “Sinjalizo” një mjek gjinekolog.

“E njëjta situatë qëndron dhe në vendlindjen time Gramsh. Mungesa e stafit sjell që të zgjedhin spitalet qëndrore. Frika se nga mungesa e stafit mund të lindë fëmija me probleme ose rreziku për humbjen e jetës së fëmijës ose të nënës bën që të braktisin spitalet bashkiake.”

Mjeku tregon për “Sinjalizo”, arsyen tjetër që po sjell mbylljen e materniteteve në rrethe.

“Ndikon dhe largimi i moshave të reja jashtë vendit. Fenomeni i uljes së numrit të lindjeve ka prekur dhe qytetet e mëdha si: Tirana, Durrësi, Fieri. Këtë e them dhe bazuar në eksperiencën timë mbi 15 vite si gjinekolog.”- shpjegon mjeku i njohur mbasi u kontaktua për detaje të mëtejshme.

Uljen e numrit të lindjeve e shpreh dhe INSTAT në raportin e tij të vitit 2022, ku për herë të parë gjatë vitit 2021 shtesa natyrore e popullsisë (lindje-vdekje) ishte -3.296 banorë, duke shënuar për herë të parë shtesë natyrore negative. Gjithashtu në raport theksohet se gjatë vitit 2021 lindën 27.284 foshnja, duke pësuar një rënie prej 2,8 %, krahasuar me një vit më parë.

Spitali i Mallakastrës, me shërbime gjysmake për banorët

Aktualisht, sipas doktor Kastriotit i cili punon si mjek i jashtëm në spitalin bashkiak “Sherif Klosi” aty ofrohet vetëm ndihma e parë.

“Ne japim shërbimin parësor këtu, pra rastet e emergjencës. Të tjerat i nisim për në Fier.”

Sipas mjekut, spitali është i ndarë në disa godina me shërbimet përkatëse.

“Në spital kemi pavione të ndryshme si: patologji, pneumologji, nefrologji, mikrokirurgjinë, laboratorin. Por laboratori ofron vetëm analizat e gjakut dhe të urinës. E ndaj duhet të plotësohet me ekzaminime të tjera.”

Në këtë spital janë të angazhuar katër mjekë

“2 janë të brendshëm, 2 të jashtëm ku një ndër ta, jam dhe unë. Kemi 4 infermierë në turn dhe 2 laborantë.” shpjegon më tej mjeku

I pyetur nga “Sinjalizo” për investimet në spital, mjeku shprehet se “Rikonstruksioni është bërë në fasadë, pra në lyerje dhe në piktura. Janë bërë disa piktura në godinë. Gjithashtu janë shtuar në dijeninë time dhe 2 ambulanca. Kaq ka qenë rikonstruksioni nga ana e shtetit.” thotë doktori.

Ndërkohë, nga vëzhgimi në terren kuptohet që numri i pacientëve që drejtohen në spitalin bashkiak ishte i ulët. Në rastin më të mirë aty u paraqit ndonjë i moshuar për tu konsultuar për shërbime të vogëla mjekësore, si bërja e ndonjë gjilpëre, kryerja e ndonjë serumi etj. Gjatë intervistave me bluzat e bardha që ofrojnë shërbim në spital, u tregua se në këtë spital nuk ka asnjë pacient të shtruar.

“Gjithsej në spital ka 20 shtretër, por nuk kemi asnjë pacient të shtruar.”-konfirmon zyrtarisht për Sinjalizo mjeku i turnit.

Megjithatë doktori që ka vendosur të denoncojë problemet në spital numëron me detaje se çfarë mungon.

“Mungon mamografia gjë që sjell dërgimin e pacientëve në spitalin e Fierit. Në këtë spital mamografia vjen një herë në tre muaj, nga ato mamografitë e lëvizshme. Por unë nuk pres dot tre muaj, për shkak dhe të tipologjisë së sëmundjes. Pra nëse unë dyshoj që një pacient ka kancer e rekomandoj që të niset drejt spitalit të Fierit për ta kryer. Por edhe atje ka vështërësi se ka rradhë të gjata, ndaj pacientët përfundojnë në privat.”-përfundon mjeku për “Sinjalizo”.

“Sinjalizo” kërkoi dhe një informacion zyrtar nëpërmjet kërkesës zyrtare për informacion drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë si dhe spitalit bashkiak “Sherif Klosi”,  por deri  në publikimin e këtij shkrimi , nuk u dha asnjë përgjigje zyrtare nga ana e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco