Angli: Ish-baza ajore në Essex për strehimin e azilkërkuesve ka rreziqe kontaminimi

Angli: Ish-baza ajore në Essex për strehimin e azilkërkuesve ka rreziqe kontaminimi

09:59, 29/03/2023
A+ Aa A-

Ish-baza ajrore RAF Wethersfield në veri të Essex në Britaninë e Madhe mund të ketë municione të pashpërthyera, asbest dhe probleme të tjera, thonë dokumentet qeveritare britanike, sipas The Guardian.

Një vend që Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe po shqyrton për ta përdorur për të strehuar  azilkërkuesit ka një sërë rreziqesh kontaminimi duke përfshirë eksplozivët e pashpërthyer, ndotjen e tokës dhe asbestin, sipas dokumenteve qeveritare.

Qeveria britanike po shqyrton të fusë në përdorim, ish-RAF Wethersfield në veri të Essex, një bazë ajrore prej 300 hektarësh e përdorur për herë të parë gjatë Luftës së Dytë Botërore përpara se të merrej nga forcat ajrore amerikane gjatë Luftës së Ftohtë.

Banorët, Sekretari i Jashtëm James Cleverly – i cili është gjithashtu deputeti vendas – si edhe këshilli i qarkut Braintree, të gjithë thonë se vendi është i papërshtatshëm për azilkërkuesit. Ministria britanike e Drejtësisë po shqyrton gjithashtu ngritjen e një burgu të ri atje, megjithëse zyrtarët thonë se nuk është marrë një vendim përfundimtar.

Së bashku me shqetësimet për vendndodhjen e izoluar dhe mungesën e shërbimeve mbështetëse për azilkërkuesit në Ëethersfield, një raport nga Ministria britanike e Mbrojtjes thotë se zona e ruajtjes së municioneve të luftës së ftohtë në këtë vend "ka të ngjarë të ketë një rrezik të lartë të municioneve të pashpërthyera. Banorët janë të shqetësuar edhe për praninë e PFAS, të njohur ndryshe si kimikatet përgjithmonë, që gjendet në shkumën e zjarrfikësve, diçka e përdorur prej dekadash në bazë.

Në një letër drejtuar Organizatës së Infrastrukturës së Mbrojtjes më 3 mars, banorët nga Shoqata Fields ngritën shqetësime për tokën e kontaminuar.

Letra thoshte se një ekstrakt nga një raport i porositur nga kjo organizatë i datës qershor 2021, e identifikonte një zonë të bazës ajrore Wethersfield me "rrezik të lartë të kontaminimit të tokës, asbest, municione dhe rreziqe të municioneve të pashpërthyera" dhe tri zona që ishin "vende trajnimi me rrezik të lartë të kontaminimit”.

Një kërkesë për lirinë e informacionit zbuloi se, pavarësisht se ministritë ishin në dijeni të këtij kontaminimi të mundshëm, nuk ishin ndërmarrë hapa të mëtejshëm për ta hetuar apo korrigjuar atë.

Banorët shtuan se te mostrat e ujit të testuar në një laborator të akredituar evropian, u zbulua se kishin nivele ndotjeje katër herë më të larta se sa lejohet nga Mbretëria e Bashkuar për standardet e ujit të pijshëm.

Një zëdhënës i Shoqatës Fields tha: “Baza ajrore e Wethersfield nuk duhet të shihet si një vend depozitimi për të padëshiruarit e qeverisë (të burgosurit dhe refugjatët). Është një trashëgimi dhe pasuri natyrore dhe duhet të ruhet për ta shijuar të gjithë. Të burgosurve dhe refugjatëve u duhet dhënë shpresa më e mirë për integrim ose riintegrim në shoqëri."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco