Lajmi i fundit

LIVE/ Drejtuesit e Partisë Demokratike takim me demokratët e Belshit

Vetëm një kamera ka fiksuar mjetin në ardhje dhe ikje, policia: 100 mijë euro për informacion të saktë

Vetëm një kamera ka fiksuar mjetin në ardhje dhe ikje, policia: 100 mijë euro për informacion të saktë

08:44, 29/03/2023
A+ Aa A-

Policia e Tiranës, ditën e djeshme, është përpjekur të tregojë itinerarin e autorëve të sulmit mbi “Top Channel”.

Në fakt, sipas tyre, është vetëm një kamerë në Qafë Kashar, që ka mundur të kapë mjetin në ardhje dhe në ikje, e njëjta kamerë që ka fiksuar edhe automjetin e vrasësve në lokalin e Fatjon Muratit, pak ditë më parë. “Range Rover”- i i vjedhur tre vjet më parë, mësohet se ka ardhur në rrugën dytësore dhe ka përdorur të njëjtin aks rrugor për të hyrë në autostradë.

Sipas Policisë, kamera e ka kapur dy herë brenda harkut kohor të 9 minutave mjetin me tre personat që qëlluan me breshëri kallashnikovi, duke i marrë jetën punonjësit të sigurisë, Pal Kola. Ndërkohë, që nga momenti që mjeti është pikasur në atë kamerë e deri në momentin që është parë të digjet, ka variuar më shumë se 30 minuta, çka do të thotë se për më shumë se gjysmë ore, Policia nuk ka mundur të koordinohet më kolegët e tyre as për arteriet kryesore të vendit.

Po dje, Policia, duke mbetur pa autor dhe pa pista, ka kërkuar ndihmën e qytetarëve, të cilëve iu ka premtuar 100 mijë euro për informacion të saktë, ndërsa mësohet se janë lënë të lirë dy të rinjtë që u shoqëruan në Vlorë mëngjesin e së hënës. Ata ishin ish-dhëndëri i viktimës bashkë me një shokun e tij, të cilët sipas të dhënave u sollën në Policinë e Tiranës për t’u marrë në pyetje, por grupi hetimor nuk ka mundur të nxjerrë asnjë detaj që i implikonte të rinjtë në aktin e rëndë të sulmit me armë mbi ndërtesën e “Top Channel”.

Ditën e djeshme, është vijuar me marrjen në pyetje të disa dëshmitarëve dhe të vetë të zotëve të ndërtesës, të cilët kanë refuzuar të kenë probleme me ndokënd e për pasojë sërish Policia dhe grupi hetimor nuk kanë marrë asnjë detaj që mund t’i ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes së rëndë. THIRRJA E POLICISË Policia e Shtetit premton 100 mijë euro do të përfitojë kushdo që ka informacion për atentatorët e sulmit ndaj “Top Channel” pak pas mesnatës të datës 27 mars dhe do t’ia japë atë autoriteteve. Ka qenë vetë Policia e Shtetit, e cila e ka vënë në dispozicion këtë shifër dhe përmes një njoftimi ka bërë me dije ecurinë e hetimeve deri tani.

“Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe vendos shpërblim 100 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në identifikimin e autorëve.

Policia e Shtetit vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 069 41 10 299, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, njoftojnë uniformat blu.

Itinerari

Policia thotë se janë nisur hetimet menjëherë pas sulmit të ndodhur rreth orës 00:30, kur persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri automatik model “AK-47”, në drejtim të godinës së “Top Channel” dhe për pasojë ka mbetur i vrarë shtetasi Pal Kola, 60 vjeç. Gjithashtu, nga të shtënat është dëmtuar fasada ballore e godinës së televizionit, si dhe dy automjete të parkuara në oborr.

Nga hetimet e kryera deri më tani rezulton se në orën 00:27, automjetit i autorëve është fiksuar nga kamerat e sigurisë, në zonën e Kasharit. Ky automjet ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë, ka dalë përballë godinës së televizionit “Top Channel” dhe në atë moment autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës së televizionit.

Autorët, pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur, për në drejtim të Durrësit dhe në orën 00:36, janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit.

Ndërkohë që në orën 00:55, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e quajtur “Përroi i Agait”.

“Menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen e ndodhur, në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, si dhe janë organizuar pika kontrolli në të gjitha akset rrugore të vendit. U formua grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe u kryen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në vendin e ngjarjes dhe në vendin e djegies së automjetit”, ka njoftuar Policia.

Uniformat blu konfirmojnë gjithashtu se nga veprimet hetimore në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 25 gëzhoja model 56, 5 predha dhe 9 copëza predhash municioni luftarak.

Vendi i ngjarjes

Ndërkohë që janë këqyrur dhe sekuestruar kamerat e sigurisë të televizionit, si dhe disa kamera sigurie të subjekteve private për rreth vendit të ngjarjes dhe në drejtimin e lëvizjes së automjetit të përdorur nga autorët.

“Në vendin e djegies së automjetit është këqyrur dhe sekuestruar automjetit i djegur dhe një gëzhojë model 56, e cila u gjet jashtë automjetit. Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri model AK-47, si dhe sende të tjera që lidhen me automjetin, si targa e parë e automjetit, 4 gëzhoja model 56 të plasura si pasojë e djegies etj.”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Për këtë ngjarje të rëndë janë pyetur në cilësinë e personit që mund të ketë informacion të dobishëm për hetimin, të gjithë personat e pranishëm në vendin e ngjarjes, si dhe disa persona të tjerë të evidentuar nga Policia, në Kavajë, Vlorë etj.

Ekspertimi i provave

Nga ekspertimi i provave të sekuestruara në të dyja vendngjarjet, ka rezultuar se autorët i kanë përdorur të dyja armët e zjarrit, ku 20 gëzhoja janë qitur nga një armë zjarri dhe 6 gëzhoja janë qitur nga arma tjetër. Për provat e tjera të sekuestruara janë përgatitur vendimet e ekspertimit dhe nga Instituti i Policisë Shkencore vazhdon puna për ekzaminimin e tyre.

“Automjeti i përdorur nga autorët është i tipit ‘Range Rover Sport’, me ngjyrë kafe, i cili ka rezultuar i vjedhur më datë 10.07.2020, në fshatin Tale të Lezhës. Ky automjet i është vjedhur një shtetasi kosovar, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit ‘AA 456 HC’, janë kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës”, vijon njoftimi i Policisë, e cila nënvizon se pas një analize të gjerë janë përcaktuar versionet hetimore dhe një grup i posaçëm hetimor po vazhdon kryerjen e veprimeve hetimore të deleguara me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.

Po kështu, po analizohen të gjitha informacionet që disponon Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, të cilat do të ndihmojnë grupin hetimor, për kryerjen e këtij hetimi.

Lirimi i të dyshuarve

Ish-dhëndri i Pal Kolës, që mbeti i vrarë nga breshëria e kallashnikovit në oborrin e “Top Channel”, Roberto Papçiu, së bashku me shokun e tij Agustin Tonaj, u lanë të lirë pas disa orë marrje në pyetje.

Në momentin e parë ata dhanë deklarime kontradiktore, duke thënë që udhëtonin nga Tiranë në Vlorë dhe kjo bëri që të dy të ndaloheshin për t’u marrë më tej në pyetje. Por, kur Policia verifikoi që Papçiu dhe Tonaj, vinin nga Gjirokastra, ku dhe kishin kaluar darkën dhe pas darkën aty, bazuar në tabulatet e telefonit dhe të kamerave të sigurisë, hetueset u tërhoqën.

Fshehja e itinerarit të tyre nga Gjirokastra në Vlorë, kishte të bënte me ca punë të dyshimta, që për Policinë është një çështje që do të ndiqet në një fazë tjetër hetimesh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco