Lajmi i fundit

Bardhi: Provohet bashkëpunimi i Olsi Ramës me grupin e kokainës në Xibrakë, 10 prova

Kina dhe Turqia i kërkojnë për mashtrime, 2 bosët e kapur në Shqipëri i drejtohen Gjykatës së Lartë për prishje vendimiesh

Kina dhe Turqia i kërkojnë për mashtrime, 2 bosët e kapur në Shqipëri i drejtohen Gjykatës së Lartë për prishje vendimiesh

10:09, 27/03/2023
A+ Aa A-

Ata konsiderohen si një ndër mashtruesit më të mëdhenj të vendeve të tyre respektive. Kanë përfituar miliona dollarë nga mashtrimet dhe kanë mbërritur në vendin tonë, njëri nga Kina e tjetri nga Turqia.
Por pasi janë ndaluar, dy drejtësitë e vendeve të tyre i kërkojnë për t’i gjykuar vetë, por dy mashtruesit refuzojnë të pranojnë ekstradimet e për pasojë, me anë të mbrojtësve të tyre shqiptarë ata kanë çuar për rekurs në Gjykatën e Lartë vendimet e Gjykatave të Apelit.

Bëhet fjalë për kinezin mashtrues Liangbin Chen dhe bosin turk të kriptomonedhave, Faruk Ozer. Ata i janë drejtuar shkallës më të lartë të gjyqësorit për të mos lejuar ekstradimin për shkak se iu rrezikohet jeta seriozisht nga regjimet e vendeve të tyre.

Rekursi i Liangbin Chen

Gjykata e Lartë pritet të vendosë përfundimisht për fatin e të shtetasit kinez, Liangbin Chen, që kërkon azil politik në Shqipëri, ndërsa 2 hallkat e para të gjyqësorit, vendosën ekstradimin e tij. Në masën e arrestit në shtëpi, për mashtrim kompjuterik në vlerë 140 milionë euro, Chan pretendon se në vendin e tij rrezikohet nga regjimi.

Por pavarësisht kësaj, Prokuroria e Tiranës i drejtohet me rekurs Gjykatës së Lartë për lejimin e ekstradimit.

Prokuroria e Tiranës i është drejtuar me Rekurs Gjykatës së Lartë për shtetasin nga Kina, Liangbin Chen, për të cilin dy hallkat e para të Gjyqësorit, Shkalla e Parë dhe ajo e Apelit, vendosën ekstradimin e tij drejt vendit të lindjes. Organi i akuzës në kryeqytet kërkon nga togat e zeza të Gjykatës së Lartë, lejimin e ekstradimit drejt Kinës.

Sipas arsyetimit të Prokurorisë, 33-vjeçari kinez kërkohet nga autoritetet e drejtësisë në vendin e tij për veprën penale të mashtrimit kompjuterik, vepër penale për të cilën është caktuar masë arresti me burg.

Aktualisht, drejtësia shqiptare ka caktuar ndaj tij masën e arrestit të shtëpisë për shkak të problemeve të tij shëndetësore dhe ndjekja e çështjes në hallka të ndryshme të gjyqësorit, me pretendimet e palëve, ka lënë peng procedurën e ekstradimit. Vetë 33-vjeçari apelon për dhënien e azilit politik me pretendimin se në vendin e tij i rrezikohet jeta. Ai pretendon se atje mund të përndiqet dhe persekutohet nga regjimi.

Dhjetorin e kaluar, Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi për ekstradimin e Liangbin Chen që kërkohet nga autoritetet kineze për mashtrim dhe vjedhje të 140 mln eurove. Apeli la në fuqi vendimin 13 tetorit 2022 të Gjykatës së Shkallës së Parë. Chen ka hequr dore nga shtetësia kineze që nga viti 2018 dhe mban pasaportë kamboxhiane. Ai u arrestua në aeroportin e Rinasit më 11 korrik të vitit të kaluar gjatë kontrolleve të pasagjerëve të linjës ajrore, në fluturimin Londër-Tiranë.

Chen njihet në vendin e tij si kreu i një grupi kriminal që ka realizuar grabitjen me mashtrim me vlerë rreth 140 milionë euro. Lidhur me kërkesën për azil të të riut, autoritetet shqiptare pritet ta shqyrtojnë duke u bazuar edhe në një vendim të Parlamentit Europian më 9 qershor 2022, i cili ka vendosur të pezullojë të gjitha marrëveshjet e ekstradimit me Kinën dhe Hon Kongun.

Në këto kushte, Gjykata e Lartë pritet të përcaktojë përfundimisht fatin e 33-vjeçarit, përballë një situate të tillë që kanë të bëjnë me qëndrimet e palëve.

Rekursi i Faruk Ozer

Bosi turk i kriptomonedhave, Faruk Fatih Ozer, i ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë vendimit të Apelit të Durrësit për ekstradimin e tij. Pas u shty disa herë seanca, Apeli i Durrësit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për ekstradimin e tij, por Faruk Fatih Ozer ka bërë rekurs.

Ai akuzohet për mashtrim me kriptomonedhat ndaj disa shtetasve turq. SHISH dhe Forcat Operacionale ndoqën për 5 javë Faruk Ozerin dhe dy shqiptarët. Jetesa e tij shtrihej mes Elbasanit dhe resortit luksoz në Palasë.

Për disa javë, Ozer ka shijuar plazhin e jugut në vend duke ndryshuar edhe pamje për të mos u njohur, me flokë të qethura dhe me mjekër. Ozer është identifikuar nga gjurmët e gishtërinjve që linte teksa pushonte në ambientet e plazhit luksoz.

Bashkë me 28- vjeçarin u kap në Palasë të Himarës e bashkë me të u arrestua edhe Edevaldo Haxhiu, nipi i presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, që akuzohet se e ndihmonte të shumëkërkuarin që t’u fshihej autoriteteve. Bosi i kriptomonedhave fshihej prej 4 muajsh në një banesë me qira në Elbasan, jo në emër të tij, të cilën dyshohet se ia kishte siguruar Edevaldo Haxhiu.

Faruk Ozer, i arratisur prej muajit prill të vitit 2021, akuzohet në Turqi se në bashkëpunim me persona të tjerë ngriti një skemë mashtrimi nëpërmjet krijimit dhe shitjes së monedhave virtuale përmes kompanisë që vetë ai themeloi, duke mashtruar rreth 400 mijë persona që investuan në platformën e tij, tashmë të mbyllur.

Autoritetet atje i bllokuan llogaritë bankare të kompanisë THodex, ku iu gjetën 16 milionë lira. Sipas mediave turke, në momentin që është arratisur nga vendi, Faruk Ozer kishte me vete një server ku mbahen 108 milionë dollarë në formë kriptomonedhash. Në Turqi janë arrestuar disa bashkëpunëtorë të 28-vjeçarit me akuzën e mashtrimit./Panorama/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco