Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

32 ton kokainë nga Ekuadori/ Banda shqiptare i pastroi fitimet në Shqipëri

32 ton kokainë nga Ekuadori/ Banda shqiptare i pastroi fitimet në Shqipëri

09:17, 22/03/2023
A+ Aa A-

Mediat belge raportojnë se pritet të nisë ai që cilësohet si gjyqi më i madh në historinë e vendit.

Sipas gazetave të këtij vendi, 124 persona dhe 4 kompani pritet të dalin përpara gjyqit pasi mendohet se janë përfshirë në ‘bandën më të madhe të drogës në historinë e Belgjikës’.

Gazeta Nieuwsblad raporton se bëhet fjalë për një bandë shqiptare, në përbërjen e të cilës ka edhe marokenë, e cila mendohet se ka trafikuar të paktën 32 ton kokainë. Gjatë operacionit për goditjen e kësaj bande u sekuestruan më shumë se 7 milionë euro vila dhe makina.

Kurse gazeta HLN shkruan se operacioni u zhvillua në tetor të vitit 2021 dhe u përqendrua kryesisht në Bruksel. Më shumë se 114 shtëpi u bastisën dhe 64 persona u arrestuan gjatë operacionit. Operacioni u zhvillua më 26 tetor 2021 dhe gjatë tij u angazhuan 1100 oficerë policie.

Sipas gazetës HLN, gjatë këtij operacioni u zbuluan plot 11 laboratorë kokaine dhe të paktën 5 plantacione kanabisi. Dhjetëra armë zjarri u sekuestruan dhe u konfiskuan 67 makina dhe mbi 1 milionë euro në cash. Shumica e të arrestuarve ishin shqiptarë dhe kolumbianë.

HLN shkruan se droga vinte nga Ekuadori, ku janë të vendosur shumica e shqiptarëve që luajnë një rol kyç në trafikun e drogës. Kokaina futej në Belgjikë përmes porteve të mëdha të vendit. 18 muaj pas operacionit, hetimet kanë përfunduar dhe prokuroria thotë se do dërgojë në gjyq 124 persona dhe katër kompani hije.

Gazeta shkruan se për shkak të numrit të stërmadh të të akuzuarve, gjyqi monstruoz do të zhvillohet në Bruksel në sallën kryesore të Pallatit të Drejtësisë.

HLN thekson se gjithçka nisi me një zjarr aksidental në një apartament në Bruksel. Pasi u fik zjarri u zbulua se apartamenti kishte shërbyer si një laborator i vogël kokaine. Prokuroria nisi përgjimet dhe pas deshifrimit të komunikimeve me SKY ECC, zbuloi se bëhej fjalë për një rrjet gjigant të trafikut të kokainës.

Droga vinte nga Ekuadori dhe pasi përpunohej në laboratorët e Brukselit, shpërndahej në Europë.

Gazeta thekson se përfitimet nga ky trafik përfundonin kryesisht në Shqipëri.

Bie në sy se një nga të dyshuarit e prokurorisë është edhe një polic nga zona jugore e vendit. Ai thuhet se u kalonte shqiptarëve informacione nga databaza e policisë. Një hetim tjetër po bëhet ndaj një avokati që thuhet se është përfshirë në këtë trafik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco