Incident në veri të Kosovës: 'Audi' nuk i bindet policisë, e detyron të përdorë armët

Incident në veri të Kosovës: 'Audi' nuk i bindet policisë, e detyron të përdorë armët

08:07, 10/03/2023
A+ Aa A-

Një incident ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:20 në veri, njoftoi Policia e Kosovës. Ngjarja ka ndodhur në pikën e kontrollit në fshatin Banje në një rrugë ilegale, ku njësia policore e Policisë së Kosovës ndodhej duke realizuar detyrat dhe autorizimet e saj ligjore në garantimin e sigurisë.

Në atë moment ka ardhur një automjet xhip i tipit Audi, i cili nuk i është bindur urdhrave të policisë, njofton RTK.

“Zyrtarët policor në pikë kontrolli sipas procedurave kanë sinjalizuar automjetin me bateri që të ndaloj për kontroll rutinor, por personi i dyshuar (drejtuesi i automjetit) posa ka vërejtur zyrtarët policor të cilët e kanë sinjalizuar për ndalim, ka rritur shpejtësinë për të ikur nga ndalimi duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e zyrtarëve policorë, derisa njëri nga zyrtarët policor me qëllim të shmangies së rrezikut të drejtpërdrejt për jetën e tij dhe zyrtarëve tjerë policor, është detyruar që të përdor armën e zjarrit”, njoftoi Policia.

Automjeti i dyshuar, sipas këtij informacioni, me shpejtësi është larguar nga vendi i ngjarjes përmes rrugëve ilegale, “dhe njësitet policore janë duke ndërmarr veprime operative dhe hetimore për identifikimin dhe arrestimin e personit/ve të dyshuar të përfshirë në këtë rast”.

Sipas të njëjtit informacion, si vazhdimësi e hetimit gjatë realizimit të detyrave policore, njësitë relevante policore kanë ndaluar dy automjete tjera të cilat kanë ardhur në atë lokacion, e që dyshohet se mund të ndërlidhen me makinë e dyshuar, në të cilat gjendeshin pesë persona, të cilët sipas Policisë, janë dërguar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në parandalimin e veprave kriminale, ndërmarrjen e masave rigoroze ndaj secilit individ apo grup kriminal që cenon rendin, sigurinë apo rrezikon jetën e zyrtarëve policor që po punojnë natë e ditë për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco