SYRI TV/ Sanitarja Dobi jep fakte të tjera shtesë: Të gjitha paratë janë të Alda Klosit

14:51, 08/02/2023
A+ Aa A-

Sanitarja Rozeta Dobi ka dhënë fakte të reja shtesë për hetimet mbi veprimet e saj dhe të ish-zyrtares së kabinetit qeveritar, Alda Klosit. Ndërkohë që në dëshminë e saj të fundit, ka mbajtur të njëjtin qëndrim sa i përket 500 mijë eurove të gjetura në tubin e aspirimit në banesën e saj. Dobi thotë se ato para janë të Klosit, teksa prokuroria po kryen veprime të thelluara mbi origjinën e tyre.

Nga SYRI TV

Pavarësisht qëndrimeve të Alda Klosit, të konfirmuara edhe nga avokati i saj Ilirjan Muho, të martën në seancën për caktimin e masës së sigurisë, Rozeta Dobi vijon të ketë të njëjtat pretendime për shumën prej rreth 500 mijë eurove të gjetura në tubin e aspirimit në banesën e saj.

Burime bëjnë me dije, se në deklarimet e fundit të marrë prej sanitares, të hënën e 6 shkurtit, në ambientet e Komisariatit Nr. 3, sanitarja Rozeta Dobi ka pretenduar njësoj si të premten e kaluar, ditë kur pas rrëfimit të saj në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, Alda Klosi, ish-shefe kabineti e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetajt, u vendos në pranga.

Dobi vijon të pretendojë se të gjitha paratë janë marrë në banesën e ish-zyrtares në fjalë. Nga ana tjetër, argument më të fortë, mbrojtja e kësaj të fundit po përdor ndryshimet e deklarimeve të Dobit, që nuk përputhen me dy të parat për rrethanat e ngjarjes. 

Mbrojtja e Klosit thotë se Prokuroria e Tiranës nuk ka marrë parasysh faktin që mes të tjerave, nënë e bir, përkatësisht Rozeta e Havier Dobi, kanë dhënë deklarime të njëjta në momentin e arrestimit, ku e pranuan ngjarjen si vjedhje por më pas, sanitarja tha se ishte inskenim në bashkëpunim me Klosin. Burime nga Prokuroria e Tiranës, bëjnë me dije se pas arrestimit të Alda Klosit dhe dëshmive të Rozeta Dobit, po kryhen verifikime edhe rreth origjinës së parave dhe mënyrës se si janë siguruar. Ndërkohë po ndiqen disa pista, ku nuk përjashtohet mundësia edhe e implikimit të personave të tjerë, rrethana për të cilat hetuesit nuk kanë ende prova të mjaftueshme për të arritur në konkluzione. Por pavarësisht kësaj, Dobi thonë të njëjtat burime, ka treguar më shumë të dhëna, mbi fakte të reja shtesë, por prokuroria shprehet e rezervuar për detaje, teksa konfirmon se deri në këtë fazë, sanitarja Dobi nuk ka përmendur asnjë emër tjetër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco