Ish-zyrtarja Alda Klosi në burg, merret sërish në pyetje pastruesja

Ish-zyrtarja Alda Klosi në burg, merret sërish në pyetje pastruesja

13:19, 06/02/2023
A+ Aa A-

Rozeta Dobi, pastruesja që akuzohet për megavjedhjen në banesën e ish-zyrtares së Kryeministrisë, Alda Klosi po merret sërish në pyetje.

Mësohet se oficerë OPGJ-së do të marrin në pyetje në komisariatin nr.3 në kryeqytet, Dobin, edhe më të gjatë, ndërsa parashikohet që ajo të pyetet për 4 orë. Kjo pasi pak para arrestimit të Alda Klosit, Dobi u mor në pyetje shumë pak, ndërsa ajo nuk ka emra konkrete të personave të tjerë të përfshirë. Dobi deklaroi më herët se paratë që iu gjetën në banesë janë të Alda Klosit dhe se kjo e fundit ia kishte dhënë për t’i fshehur. Prokuroria kërkon arrest me burg për ish-zyrtaren Alda Klosin, ndërsa masa për të pritet të jepet nesër në orën 10:30.

Klosi akuzohet për pastrim parash, fshehje pasurie dhe për deklarim të rremë para oficerëve.

DËSHMIA E ROZETA DOBIT PAK PARA ARRESTIMIT TE ALDA KLOSIT

Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur për “BalkanWeb” dëshminë e plotë të Rozeta Dobit në polici, dëshmi që çoi në arrestimin e ish-zyrtares së Kryeministrisë Alda Klosi.

“Kam vendosur të bashkëpunoj me policinë. Nuk dua të mbrohem nga avokatët që më ka caktuar familja. Dua të më caktoni një avokat shteti. Kam filluar punë si pastruese në shtëpinë e Alda Klosit në vitin 2018. Shtëpinë në atë kohë e kishte te Mozaiku. Aty ka pasur dhe një shtëpi tjetër. Në vitin 2018 kam konstatuar që në krevatin e saj të mbuluar me batanije kishte lekë dhe euro, shumë të mëdha. I kam marrë dhe i kam sistemuar në sirtar dhe e kam telefonuar Aldën dhe i kam thënë që lekët i ke në sirtar. Alda Klosi kishte përveç kësaj një shtëpi në Kombinat, kishte porositur një shtëpi te Kodra e Diellit dhe kishte një shtëpi të ndërtuar në truallin e prindërve. Shpesh Alda lëvizte para, unë nuk kam prekur asgjë. Kur shkoi te apartamenti te ‘Rruga e Kosovarëve’ që u nda nga bashkëshorti, ajo më kërkoi që t’i mbaja këto para. Unë e kam marrë kasafortën, e kam çuar në shtëpinë time me makinën e djalit dhe i kam sistemuar disa nga lekët dhe bizhuteritë. Disa të tjera i kam vendosur te sirtari i dollapit tim për ti sistemuar më vonë.
Makinat ia kam blerë unë djalit. Njëra ka kushtuar 3 mln lekë të vjetra. Shuma prej 25 700 eurosh që janë gjetur te komoja e krevatit janë para të punës sime. Ndërkohë shtëpinë e bëra unë rrëmujë sepse Alda donte të fajësonte për paratë dhe bizhuteritë bashkëshortin, pasi ai e kërcënonte”, ka deklaruar Dobi.

Ajo nuk identifikon persona apo zyrtarë të tjerë për paratë e gjetura në shtëpinë e Alda Klosit. Rozeta Dobi e ndihmoi grupin e hetimit dhe e çoi te ish-zyrtarja teksa mund të jetë vetë Alda Klosi që të çojë në hetime më të gjera sa iu përket parave të sekuestruara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco