Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë informacion të detajuar për arrestimin e një numri të madh zyrtarësh të Portit të Durrësit, doganës së Qafë Thanës e Tiranës.
Pak pas mesnate Syri.net raportoi për operacionin e prokurorisë në lidhje me ngarkesën e madhe të drogës prej 10 ton kanabis të trafikuar nga Shqipëria në Itali.
Organi hetimor bën me dije se janë 18 persona ndaj të cilëve është lëshuar urdhër-arresti, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trafikuar në Itali 10 ton drogë në dy raste të ndryshme në shkurt dhe në mars 2017.
Rasti i parë ka ndodhur në 5 shkurt 2017, kur në Itali u kap një kamion me 8 ton drogë, e cila kishte hyrë në Shqipëri nga Maqedonia nëpërmjet pikës doganore Qafë-Thanë dhe ka dalë nga pika e kalimit kufitar në portin e Durrësit. Për këtë rast, para pak javësh u arrestuan edhe 4 punonjës policie të Qafë-Thanës.
Rasti i dytë ka ndodhur më 24 mars 2017, kur në Itali u kap një kamion me shofer shqiptar, me rreth 2.2 ton kanabis në bord.
Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të informacioneve të siguruara nga autoritetet italiane për kapjen e këtyre ngarkesave me lëndë narkotike, ka nisur hetimet, nga ku janë siguruar të dhëna, të cilat krijojnë dyshimet e arsyeshme për përfshirjen e zyrtarëve policorë dhe doganorë në trafikun e lëndëve narkotike.
Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore për këtë rast, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”:
Ymer Blloshmi, doganier, përgjegjës turni, Qafë-Thanë
Iliras Malja, doganier pranimi/verifikimi, Qafë-Thanë
Maliq Kadilli, agjent doganor, Qafë-Thanë
Kastriot Topulli, agjent doganor, Qafë-Thanë
Gëzim Dervishi, specialist në Policinë e Portit Durrës
Mexhit Xhixha, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës
Roland Metani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës
Agron Kapllani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës
Gentian Selmani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës
Medi Demiri, kontrollor, Policia e Portit, Durrës
Fatmir Plaku, kontrollor, Policia e Portit, Durrës
Julian Doraci, Shef i Stacionit Policor, Porti Durrës
Edmond Luzi, doganier eksporti, Porti Durrës
Ylli Vogli, doganier peshore, Dogana Vorë (Tiranë)
Vladimir Ziu, doganier regjimi, Dogana Vorë (Tiranë)
Erald Kulla, agjent doganor, Dogana Vorë (Tiranë)
Behar Sula, kontrollor hyrje-dalje, Policia e Portit, Durrës
Nezir Bardhoshi, kontrollor hyrje-dalje, Policia e Portit, Durrës
Sipas të dhënave të deritanishme hetimore, Prokuroria vlerëson se, bazuar në veprimet e punonjësve të policisë kufitare, të doganës dhe të agjentëve doganor, Qafë Thanë, si edhe atyre të Portit Durrës, Doganës Durrës dhe Doganës Tiranë, ekziston një formë e organizuar bashkëpunimi mes tyre për të realizuar kalimin e automjeteve kamion të mbushur me lëndë narkotike nga Shqipëria në Itali.
Të dyshuarit e këtij hetimi janë të përfshirë në njërin ose në të dy episodet, të cilat janë pjesë e të njëjtit procedim penal.
© SYRI.net
nuk hy drog nga maqedonia o debila, dorga eshte ngarkuar ne shqipri... keta te qafthanes kot i merrni ne qafe...