Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

'E kam tmerr burgun'/ Klosi drejt rrëfimit, në lojë edhe emri i Ahmetajt

'E kam tmerr burgun'/ Klosi drejt rrëfimit, në lojë edhe emri i Ahmetajt

09:25, 06/02/2023
A+ Aa A-

Teksa janë mbushur 48 orë nga ndalimi i Alda Klosit, ish-drejtoreshës së Ministrisë së Financave dhe Rindërtimit, i është hedhur në tavolinë oferta e prokurorisë për të folur dhe bashkëpunuar me drejtësinë.

“Ora News” ka mësuar se tashmë qëllimi i prokurorëve të Tiranës është vetëm zbardhja e pronarit dhe burimit real të krijimit të shumës financiare prej gati 600 mijë euro. Këtë shifër Alda Klosi e mbante në banesën e saj tek Rruga e Kosovarëve në Tiranë.

Për këtë çështje, që fillimisht u raportua si vjedhje e kryer në bashkëpunim, kanë folur duke bashkëpunuar me prokurorët dy të arrestuarit, Havier Dobi dhe Rozeta Dobi. Pas dëshmisë së nënë e bir, në prangat e policisë dhe prokurorisë, mbrëmjen e të premtes përfundoi dhe Alda Klosi, e besuara e ish-ministrit të Financave dhe Rindërtimit si dhe ish-zv/kryeministrit të Shqipërisë, Arben Ahmetaj.

Klosi është thirur në ambientet e Policisë së Tiranës me preteksin e marjes së një deklarimi rreth shumave të parave. Por teksa ka ngjitur shkallët e policisë dhe ka hyrë në zyrë, Klosit i është komunikuar arrestimi , pasi prokurorja e çështjes, Mirela Cano, kishte firmosur për zyrtaren një urdhër ndalimi.

E vënë në hetim për tri akuza, mes të cilave dhe ajo e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, Klosi është shfajësuar duke kërkuar ta lironin, duke pretenduar se izolimin në burg e kishte tmerr dhe i përkeqësonte shëndetin.

Por prokurorët dhe policia i kanë kujtuar Klosit që ndalimi i saj nuk kishte si qëllim t’i përkeqësonte shëndetin, por ka si synim të zbulojë origjinin e 600 mijë euro, që vartësja e Arben Ahmetaj mbante në banesë.

Grupi i hetimit i ka kërkuar Alda Klosit të flasë dhe bashkëpunojë me organet e hetimit, duke treguar emrat e personave që i çonin në shtëpi, eurot dhe dollarët me çanta e kuti kartoni. Sipas hetuesve, një ofertë e tillë me qëllim tregimin e ngjarjes në shkëmbim të pozitës penale, i është bërë dhe dy të arrestuarve Havier dhe Rozeta Dobit, të cilët kanë folur para grupit hetimor duke treguar gjithçka dinin.

Një burim shumë pranë grupit hetimor tha për “Ora News” se tashmë çështja e vjedhjes së 600 mijë eurove në banesën e Alda Klosit është bërë mjaft interesante, pasi deri në këtë fazë hetimi ka zbuluar se e gjitha ka qënë një iskenim.

“…Ne fillimisht hetuam për vjedhje të pronës private, shtëpisë së zyrtares së dy ministrive të rëndësishme, Alda Klosi, njëherësh dhe njeriut më të besuar të ish-ministrit, Arben Ahmetaj. Gjatë hetimit na doli që gjithçka ka qënë një inskenim, me qëllim fshehjen e një shume mjaft të madhe në euro, dollarë dhe lekë. Tashmë çështja është bërë interesante, pasi kemi dy njerëz që kanë bashkëpunuar. Ndërkohë ne po bëjmë maksimumin për të bindur që të bashkëpunojë dhe Alda Klosi…” deklaroi për “Ora News” hetuesi.

Synimi i prokurorisë është të shkojë tek pronari i kësaj shume financiare dhe burimi real i krijimit të tyre, duke mos u mjaftuar vetëm në faktin e zbulimit të tre personave që kanë shërbyer për ti fshehur këto euro dhe nga ana tjetër pronari i tyre të lihet pa gjurmuar.

“…Nëse Alda Klosi do pranojë të flasë dhe tregojë të gjithë skemën e fshehjes së eurove dhe dollarëve si dhe pronarin real të tyre, atëherë për ne do ishte më e lehtë të formonin pazëllin e kësaj çështje, duke zbardhur plotësisht misterin…”, deklaroi hetuesi.

Hetuesi nuk përjashtoi mundësinë se sasia e parave mund t'i përkasë dhe ish-ministrit Arben Ahmetaj, duke shtuar se në tavolinën e punës janë të hapura dhe verifikim të gjitha variantet. Por Alda Klosi, që nga momenti i arrestimit e deri më tani, nuk ka pranuar të flasi për këtë çështje.

“Ora News” ka mësuar se zyrtarja, teksa qëndronte e vetme në dhomat e shoqërimit pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë, ka shfaqur probleme me tensionin duke mos u ndjerë mirë nga shëndeti. Në orën 03:00 të natës së të shtunës, Alda Klosi, është paraqitur me prezencë të policisë në ambientet e urgjencës, pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”.

Pasi është mjekuar nga mjekët roje të urgjencës, ata kanë konstatuar se Klosi kishte tension të lartë, duke i sjellë anomali dhe ç’rregullim të imunitetit shëndetësor. Klosi i është nënshtruar disa analizave mjekësore, dhe pas konsultimeve të mjekëve, bluzat e bardha vendosën që Alda Klosi të shtrohej në spital me qëllim trajtimin mjekësor për disa ditë me rradhë.

Shtrimi i Klosit është kryer në orën 10:00 të paradites së të shtunës në pavionin e Mjekësisë Inerte dhe Hipertensionit. Ndërkohë ditën e sotme, pritet që në ambientet e spitalit të paraqitet prokuroria dhe gjykata, për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, që do kërkojë akuza./Oranews/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

adela dervishi06/02/2023 14:10

shko ne biruce baxhelle

Shto koment

Denonco