VIDEO-SYRI TV/ Vrasja e Indrit Ndojit kthehet në pikën zero, lirohen vëllezërit Miri

18:24, 01/02/2023
A+ Aa A-

Vrasja misterioze e Indrit Ndojit në Fushë-Krujë tetorin e kaluar, mbetet pa autor. Gjykata ka liruar nga qelia vëllezërit Saimir e Landi Miri, për të cilët prokuroria dhe policia ishin të bindura se kishin kryer krimin. Kjo për shkak të njollave të gjakut në rrobat e tyre, por edhe një shapke pranë vendit të krimit. Analizat e AND-së, zhgënjyen hetuesit pasi provuan se nuk kishte përputhje me profilin e viktimës. Teksa vëllezërit pritet ti drejtohen gjykatës me ankim për qëndrim të padrejtë në burg, drejtësia nuk ka një version të qartë të ngjarjes.

Nga SYRI TV

Kthehen në pikën zero hetimet për vrasjen e Indrit Ndojit në tetor të vitit të kaluar në Fushë Krujë. Prej 22 tetorit, vëllezërit Saimir e Landi Miri qëndronin në burg me dyshimet se kishin ekzekutuar të riun në fshatin Hasan, teksa gjykata e këtij rrethi, këtë të mërkurë, liroi nga qelia vëllezërit me kërkesë të pokurorisë duke caktuar masën detyrim paraqitje.

Organi i akuzës, nuk provoi dot fajësinë e vëllezërve Miri brenda afateve kohore në dispozicion. Për më tepër, dështoi të provonte përmes dy analizave përfshirjen e tyre në vrasjen misterioze të Ndojit. Përgjigjet e analizave të rrobave me njolla gjaku të Siamir Mirit që iu gjetën në banesë, treguan se profile nuk përputhej me atë të Indrit Ndojit.

Miri pretendoi se njollat kishin mbetur nga therja e një kafshe të para disa ditëve. Po ashtu as të një shapke të gjetur disa metra larg vendit të ngjarjes. Do të kalonte një muaj dhe përgjigjet e AND-së, në trupin e viktimës, për një shenjë në thonjtë e tij, do ta zhgënjente sërish organin e akuzës.

Burime bëjnë të ditur, se edhe këtij dyshimi i dhanë fund për mospërputhje analizat përkatëse. Vëllezërit pritet ti drejtohen gjykatës me një ankim, për qëndrim të padrejtë në qeli, teksa drejtësia duhet ti japë përgjigje vrasjes misterioze.

Indrit Ndoj u gjet i pajetë në një kanal pranë banesës së tij, më 21 tetor të vitit të kaluar dhe dyshimet janë se vdekja e tij ka ardhur pas një konfrontimi fizik dhe goditjes me kaçavidë. I riu rezulton me precedent sa i përket trafikut të emigrantëve të paligjshëm, teksa njihej në zonë për shoqërimin me persona problematik.

Konfliktet mbi shpërndarjen e narkotikëve pritet të jetë një nga pistat për hetimet në të ardhmen, ndërsa pritet rimarrja në pyetje e personave të fundit në shoqërinë e të cilëve viktima ka qenë para se të ndërronte jetë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco