SYRI TV/ Fatkeqësia godet një familje në Rubjekë, zjarri u djeg të gjallë bagëtinë, ua bën hi shtëpinë dhe paratë

12:48, 01/02/2023
A+ Aa A-

Durrës - Familja Domi prej 7 anëtarësh ka mbetur në qiell të hapur pasi banesa e tyre në fshatin Rubjekë u përfshi nga flakët. Kryefamiljari 61 vjeç kërkon ndihmë, pasi fatkeqësia kësaj here është edhe më e madhe se ajo e tërmetit të 2019 që po ashtu i shkatërroi shtëpinë.

Nga SYRI TV

Një banesë është shkrumbuar plotësisht në fshatin Rubjekë, duke lënë në qiell të hapur familjen prej 7 anëtarësh. Burimet nga njësia administrative Maminas kanë pohuar se zjarri ka shpërthyer rreth orës 23:30 të mbrëmjes së të hënës, ndërsa në banesë ka qenë vetëm kryefamiljari 61-vjeçar, Vebi Domi, i cili ka shpëtuar pa u lënduar.

“Isha në gjumë vetëm kur mori zjarr batanija që isha mbuluar dhe kam dalë jashtë. Kasollen e bagëtisë e kisha tre metra larg. Doja të nxirja lopën dhe dhitë por flakët i kishin përpirë. Nuk i nxora dot.

Shtëpinë e kisha me llamarina mbuluar, po prisnim pranverën të ndërtonim shtëpinë e re se na e prishi tërmeti atë që patëm. Shteti na kompesoi sa na kishin dhënë 15,7 milionë lekë, por edhe ato u dogjën. Nuk mora dot asgjë, veç dola gjallë… M'u dogjën të gjalla bagëtitë. M'u dogj lopa që shisja qumështin e mbanim frymën gjallë. Mbetëm prapë pa shtëpi, pa katandi në një çadër”, thotë 61-vjeçari.

Vebi Domi kërkon ndihmë, pasi ka mbetur sërish pa shtëpi, por këtë radhë fatkeqësia është edhe më e madhe se ajo e tërmetit tre vjet më parë. Tre mjete zjarrfikëse shkuan në vendngjarje, por gjithçka ishte djegur pasi shërbimi zjarrfikëse u lajmërua me vonesë.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco