Ekzekutimi i Briken Sanajt/ Policia e Kosovës arreston Gjelosh Krasniqin

Ekzekutimi i Briken Sanajt/ Policia e Kosovës arreston Gjelosh Krasniqin

10:23, 01/02/2023
A+ Aa A-

Në tetor të vitit 2022 u ekzekutua 39-vjeçari Briken Sanaj në Tiranë. Viktima u qëllua për vdekje nga një distancë e afërt nga një makinë në lëvizje dhe atentati dyshohet se u krye për hakmarrje. Lidhur me këtë rast, mbrëmë në Pejë është arrestuar i dyshuari Gjelosh Krasniqi.

Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar për gazetën Express, Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.

“Mbrëmë nga puna operative është arritur të arrestohet një person (me urdhër arrest ndërkombëtar) i cili dyshohet se ka qenë i përshirë vitin e kaluar për një vrasje në Shqipëri. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari Gj.K., është ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor ndaj tij do parashtrohet edhe kërkesa për caktimin e paraburgimit. Për procedurat e mëtutjeshme rreth këtij rasti ju lutem i drejtoheni Ministrisë së Drejtësisë”, tha Shkodran Nikçi për Express.

Po ashtu është ndaluar edhe personi, i cili dyshohet se e ka ndihmuar për strehim Krasniqin. 

Gjelosh Krasniqi, 49 vjeç, i lindur dhe banues në Pejë, është i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. 

Para se të ndodhte atentati, Sanaj ka qenë duke mbyllur makinën te garazhi i pallatit ku jetonte dhe është takuar me tre persona të njohur në trotuar. Pasi kishte mbaruar dasma në Lezhë, ai së bashku me të afërmit e tij kanë sjellë nusen në Tiranë tek pallati ku jetonte prej më shumë se një viti. Në momentin që ai ka zbritur nga makina, u qëllua për vdekje nga një distancë e afërt nga një makinë në lëvizje.

Makina tip “Benz” që përdorën autorët u gjet e djegur pas ngjarjes, në Qafë Kashar, ndërsa brenda saj u gjet një armë tip kallashnikov. 

Ngjarja dyshohet se ndodhi për hakmarrje, pasi në vitin 2010 familja Sanaj ka pasur konflikt me familjen Kola për shkak të ngacmimit të një vajze. Konflikti u ashpërsua dhe vëllai i vogël i Briken Sanajt plagosi një prej djemve të familjes Kola.

Vladimir (Valmir) Kola është shpallur në kërkim si autor i dyshuar i vrasjes së Briken Sanajt.

Kened Antoni, 25-vjeçari nga Peja, i ka shitur automjetin ‘Mercedes Benz’ që u përdor për ekzekutim. Më 24 nëntor ai kreu procedurat e shitjes për Gjelosh Krasniqin, 49-vjeçar nga Peja. Po në këtë datë, e kanë futur makinën në territorin e Shqipërisë dhe ia kanë vënë atë në dispozicion Vladimir Kolës, i cili e ka përdorur automjetin për realizimin e vrasjes së Briken Sanajt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco