Sekuestrohen 763 celularë kontrabandë, 4 të arrestuar në Tiranë, mes tyre dy vëllezër

Sekuestrohen 763 celularë kontrabandë, 4 të arrestuar në Tiranë, mes tyre dy vëllezër

10:10, 31/01/2023
A+ Aa A-

Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Avoid”.

Sekuestrohen 763 aparate celulare të kontrabanduara. Vihen në pranga 4 shtetas.

-Vihen në pranga 2 shtetas (vëllezër) që tregtonin aparate celulare të kontrabanduara, në 5 subjekte (dyqane), të cilat i kishin regjistruar në emër të familjarëve të tyre, për të shmangur detyrimet tatimore.

-Vihen në pranga edhe 2 shtetas të tjerë që administronin 2 prej dyqaneve. Shpallen në kërkim 2 shtetas që administronin 2 dyqane të tjera.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të kontrolleve të dedikuara, në subjekte të ndryshme tregtare, me qëllim evidentimin dhe goditjen e krimeve ekonomiko-financiare, pas informacioneve të siguruara përmes iteligjencës informative, se dy shtetas tregtonin në dyqanet e tyre, aparate celulare të kontrabanduara, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Avoid”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:

F. K., 38 vjeç dhe E. K., 33 vjeç (vëllezër), banues në Tiranë, pronarë të 5 dyqaneve për tregtimin e celularëve;

D. M., 38 vjeç dhe I. B., 25 vjeçe, administratorë të 2 prej këtyre dyqaneve, banues në Tiranë.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim administratorët e 2 dyqaneve të tjera, shtetasit F. I., 37 vjeç dhe R. M., 45 vjeç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se vëllezërit F. K. dhe E. K., për të shmangur detyrimet tatimore, i kishin regjistruar dyqanet për tregtimin e celularëve, në emër të të afërmve të tyre. Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto dyqane, më rrugët “Hoxha Tahsim”, “Konferenca e Pezës” dhe në “Rrugën e Durrësit”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 763 aparate celulare të llojeve të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco